Myrvete Asqeri: Qeveria u jep pensionistëve varfëri, jo dinjitet! Partia e Lirisë do të bëjë gjithçka që kjo padrejtësi historike të marrë fund

Kryetarja e  Lëvizjes së Gruas për Integrim, në Partinë e Lirisë, Myrvete Asqeri ka reaguar rreth politikave sociale të qeverisë, duke i cilësuar ato si dështim total.

Në një deklaratë ajo theksoi se mbi gjysma e pensionistëve në vitin 2024 përfitojnë vetëm pension të pjesshëm, për shkak të reformës së vitit 2014 që kërkon 40 vite sigurime për pension të plotë.

Sigal

Sipas saj, kjo është padrejtësi ndaj mijëra qytetarëve që kanë punuar me ndershmëri në një ekonomi të paformalizuar dhe të pa mbështetur nga shteti.

Asqeri akuzoi qeverinë për propagandë dhe mungesë vullneti për të ndërtuar një shtet social, ndërsa përmendi propozimet e Partisë së Lirisë për indeksim real të pensioneve, rritje të minimumit jetik, subvencione për ilaçet dhe kthimin e bonusit të fundvitit si të drejtë ligjore.

Deklarata e plotë:

Përshëndetje!

Sot, Shqipëria përballet me një nga pasqyrat më të errëta të dështimit shtetëror dhe social.
Sipas të dhënave zyrtare, 52% e qytetarëve që dolën në pension në vitin 2024 nuk përfitojnë pension të plotë, por të pjeshëm.
Janë mijëra burra dhe gra që kanë punuar një jetë të tërë, që sot e gjejnë veten të dënuar nga sistemi që i braktisi.
Ky nuk është një problem statistikor, por është një dramë sociale e bërë nga një qeveri që nuk ka pasur as vullnetin, as vizionin dhe as ndërgjegjen për të ndërtuar një shtet social.
Ky është një dështim total i politikave sociale të kësaj qeverie, që për 10 vjet me radhë ka promovuar propagandë dhe shifra boshe.
Reforma e pensioneve e vitit 2014, që kërkon nga 35 në 40 vite sigurim për një pension të plotë, nuk është reformë, është dënim me mjerim për një brez të tërë që ka punuar me ndershmëri, por është lënë jashtë sistemit nga politikat korruptive dhe mungesa e shtetit ligjor.
Një reformë që u bë në një vend ku gjysma e ekonomisë ka qenë në të zezë, ku mijëra shqiptarë kanë punuar pa kontratë, dhe ku shteti ka munguar sistematikisht.
Vitin e kaluar duheshin më shumë se 38 vite me sigurime për të përfituar pension të plotë, por të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2024, vitet mesatare të sigurimit për pensionet e reja ishin 26.7%, shumë më poshtë kriterit për pension të plotë.
Sot, pas 12 vitesh qeverisje, e vetmja gjë që qeveria garanton për pensionistët është varfëri dhe pasiguri. Pensioni i pjesshëm është kthyer në normë, jo përjashtim.
Pagesat për ilaçe e shërbime bazë nuk mbulohen dot nga pensioni, ndërkohë që luksi i pushtetarëve rritet, klientelizmi forcohet dhe buxheti i shtetit vidhet çdo ditë përmes PPP-ve dhe tenderëve të dyshimtë.

Partia e Lirisë e ka dinjitetin e pensionistëve si prioritet të padiskutueshëm. Programi ynë, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, është i qartë, i drejtë dhe i realizueshëm:
Pension minimal jo më pak se minimumi jetik (200 € në muaj), cdo qytetar shqiptar ka të drejtë të mos jetojë në mjerim në pleqëri, por me dinjitet.
Indeksim progresiv automatik i pensioneve sipas inflacionit real, jo me përqindje simbolike.
Kthim i bonusit të fundvitit si e drejtë ligjore, jo si favor elektoral.
Subvencionim i barnave dhe shërbimeve mjekësore për moshën e tretë.
Nëse nuk ndryshojmë këtë realitet sot, po i themi brezave që vijnë:
“Puno, kontribuo dhe kur të vish në moshën e pensionit… do të harrohesh.”
Kjo nuk është e pranueshme.
Partia e Lirisë do të bëjë gjithçka që kjo padrejtësi historike të marrë fund.
Pensioni nuk është lëmoshë, por është e drejtë. E jona është detyra për ta garantuar.

Faleminderit!