Ergys Alushi: Nuk ka qenë kurrë më parë kështu!

466
Sigal

Kam 25 vjet që njoh çdo skutë të çdo institucioni dhe çdo ish drejtues e drejtues aktual institucioni, por nuk ka qenë asnjëherë kështu! Një “moçal” i vërtet institucional! Të gjithë ata që ndodhen brenda këtij ‘moçali” e dinë, por askush nuk e thotë me zë të lartë! Prefekti nuk komunikon me kryetarin e bashkisë! Deputetët nuk komunikojnë me njëri-tjetrin! Këshilli i Bashkisë është braktisur nga kryetari i bashkisë qoftë edhe në aktin e miratimit të buxhetit! Kryetarin e bashkisë e afrojnë dhe e largojnë sipas “lojës” që luhet nga lart! Drejtori i policisë nuk komunikon me shefin e komisariatit! Drejtuesit e institucioneve në pjesën më të madhe nuk komunikojnë me njëri-tjetrin! Vartësit e kanë të ndaluar të komunikojnë me vartësit e “atij tjetrit”! Çfarë po ndodh kështu në Vlorë?! Dhe të mendosh që janë të gjithë emërime e zgjedhje të një Partie! Dhe të mendosh që ka patur shumë më shumë bashkëpunime e komunikime kur në Vlorë kanë qenë në drejtim përfaqësues të Partive kundërshtare! Që nga këshilli i parë pluralist i rrethit! Që nga këshilli i parë pluralist i bashkisë! Që nga koha kur Prefekti dhe Kryetari i bashkisë u përkisnin forcave të ndryshme politike! Sot shteti i Vlorës është në krizë! Krizë komunikimi, bashkëpunimi e qeverisje! I mbledh dhe i bën bashkë vetëm i deleguari kur vjen nga Tirana! Kurrë më parë nuk ka qenë kështu! Çfarë dreqin të jetë e çfarë dreqi të kenë?! I ka lodhur pushteti? I ka lodhur qëndrimi i gjatë në drejtimin e institucioneve? I kanë teka? Janë të pazëvendësueshëm? Janë më të mirët e nuk ka të tjerë? Janë miqtë e Ramës, të deputetëve, ministrave? Apo nuk kanë se çfarë të japin më, por na janë bërë pajë se nuk i këviz kush? Apo qëndrojnë aty vetëm e vetëm sepse Partia Socialiste është në pushtet? Ja ky është realiteti i sotëm i Vlorës së Pavarsisë dhe Qeverisë së Pare shqiptare.