Çano Nora: Thanas Dino si e zuri mik Ismail Kadarenë dhe miqësia në mes tyre se humbi kuptimin asnjëherë

* Tregimi për fshatarin që gjeti një minë në një anë deti të cilin e kishte shkruar për bazën e Vlorës

* Mardhëniet e Ismailit me Rexhep Qosen dhe përse u bisedua në shtëpinë e Kadaresë në Tiranë?

NOA

* Çfarë i tha Dritëro Agolli Sihat Tozajt, sekretarit të parë të komitetit të partisë së Gjirokastrës, për Ismail Kadarenë?

* Si vajti në Amerikë Ismail Kadareja kur po xhirohej filmi “Dimri i vetmisë së madhe”!


KUR U NJOHE PËR HERË TË PARË ME ISMAILIN?

Në shtëpinë e parë, në fillimet, kur isha student i druajtur e skuqesha lehtë . Atëherë më ka thënë :- E ke lexuar një tregim të shkurtër Mina?

– Si jo ,- i thashë .

Ishte botuar në “Drita”. Asnjeri nuk e ka kuptuar atë tregim . Më shpjegoi; është shkruar për bazën e Vlorës , por nuk e ka kuptuar asnjeri. Një fshatar i një fshati anë deti gjeti një minë – fuçi dhe u gëzua. E mori në shtëpi, duke futur kështu të keqen brenda. Kur e kuptoi ,u desh të vinte xhenieri t’a çmontonte. Ishte fare i shkurtër , shkruar tjetër lloj , por shiko baza e Vlorës s’qe veçse një fuçi të cilën ne e morëm me duart tona.

Unë sa çuditesha, aq lumturohesha.Vajtja student në vitin 1967 dhe këto biseda të para duhet të jenë të viteve 1968 – 1969. I këtyre viteve duhet të jetë edhe fakti i mëposhtëm, një mendim i tij që tani e formuloj, rreth trajtimit të temës nacionale , kombëtarizmit a diçka e tillë. Një mbrëmje ishim grup në kafe Tirana, kafe e atëhershme e shkrimtarëve. Duhet të ketë qenë dhe Kujtim Spahivogli, se Ismaili tha për poemën e tij të botuar në revistën “Nëntori” , kur dikush e mburri ose e rreshtoi në gjërat e mira të botuara atë kohë. Ka vetëmburrje nacionale. Duhet të kemi kujdes nga kjo kur trajtojmë tema të tilla.

MBAS PËRFUNDIMIT TË STUDIMEVE SI VAZHDOI RRJEDHA E JETËS?

Me mbarimin e universitetit dhe të emëruar në “Drita”, bashkë me Moikomin ,i’u sulëm me etje shërbimeve, udhëtimeve , njohjeve dhe trajtimin më shumë të gjinive gazetareske e letrare. Unë kisha hapur “Fletorja e udhëtimeve”. Një paradite punonim në tavolinat ngjitur , kur erdhi Ismaili. Ne u ngritën në këmbë dhe filluam të bisedonim. Ç’ po shkruani, pyeti ai dhe Moikomi i tha për dy tregime të shkurtëra. Ismaili e dëgjoi dhe na këshilloi:- Shikoni ,kjo është gjini e vështirë ; zakonisht shkrimtarët ato i trajtojnë në fund të jetës.

Petro Marko ishte një shkrimtar që e nderonte veçanërisht. Nuk e di si u ndodha një mbrëmje me Ismailin dhe Dritëronë, kur drejt nesh erdhi me furinë e tij Petrua , shkrimtari me cigaren e pahequr nga buza. Ishte botuar në japonisht “Qyteti i fundit”, madje në dy vëllime. Ejani ta shihni librin në shtëpi tha. Eja dhe ti më tha mua. Kur punonte “Kështjellën” më tha një pas dite:-Çdo njeri do gjejë një gjë të pamundur për t’a arritur. Ti p.sh. një vajzë që nuk e arrin dot. Një komandant turk nuk merr dot një kështjellë shqiptare. Romani  u botua edhe në Itali.Unë rrija me Ismailin, mësoja nga ai si atëherë që e kisha patur pedagog. Mua s’më mbante të fshehta të profesionit, por më qëndronte afër duke diskutuar edhe për projektet e tij. Pak nga pak po hyja dhe unë në këtë rrugë të këtyre njerëzve të mëdhenj.

PO MARDHËNIET ME REXHEP QOSEN SI I KA PATUR?

Një ditë kur vajta një pasdite, i rashë me kujdes ziles dhe u ngrit vet dhe e hapi derën. Brenda ishte dhe Rexhep Qosja.

-Eja ,- më tha. Takoje, rri pak dhe pastaj kërko leje për të ikur.

Ashtu bëra. Rexhep Qosen e kishim dëgjuar, por edhe kishim lexuar kritika të tij. Besoj se ajo ka qenë vizita e tij e parë në Shqipëri. E shoqëronte Agim Cerga, kryeredaktor i revistës “Ylli”. Rrinin në dhomën e pritjes ,ata të dy përballë. Ismaili në kolltukët këndej. Këndej u ula dhe unë. Atëherë ishin dyzetëvjeçarë të dy, jo vetëm për mua po e po, por për të gjithë e kishin hijen e të mëdhenjve.

Agimi më prezantoi me profesor Rexhepin.

– Është student,- e sqaroi, por i kemi botuar edhe tregime.

Emrin tim profesori s’e kishte dëgjuar natyrisht, por reagoi me shumë kujdes e finesë. Rifilluan temën e tyre, mes kritikës e letërsisë. Siç më porositi edhe Ismaili, qëndrova pak . U dhashë dorën dhe u largova , duke e mbajtur këtë takim në kutinë e vogël të kujtimeve të shtrenjta.

CILI ISHTE RAPORTI I KRIJIMTARISË SË ISMAILIT, I POEZISË ME PROZËN?

Ismail Kadare e la shpejtë poezinë dhe dukej sikur vitet e fundit nuk e çmonte shumë atë. Kur ndonjë nga shokët i jepte librat e tij të sapobotuar me vjersha ,ndodhte që i thoshte :”Akoma shkruan vjersha t’i ?”Për një diplomat që shkruante vjersha tha një ditë:”Alamet burri , shkruan poezi! Po vetë ,vjershën e tij të fundit , këngën e mjellmës,siç i thonë , Krishtlindje në Nju Jork, e ka qarë . Duket se erdhi një moment kur poezia e brishtë u tërhoq nga tavolina e tij e punës , por duke lënë atje gjurmët e thella të saj, strukturën dhe subjektet metaforike , çuditë, imagjinatën figurative. Ajo jo vetëm mbeti në “stafin” e prozës , por disa herë ndikoi në konceptimin e shumë veprave tregimtare.”Shkaba” nuk është veçse një shkrim i gjatë i një legjende poetike; në “Përballë pasqyrës së një gruaje ” tabloja kufizohet brenda elementëve të një poezie , pasqyra ku bën tualetin e saj një grua me emër jo fort të mirë, litari që ajo ka hedhur për t’i dhënë fund jetës dhe kravatat e shkrimtarëve dogmatikë. Dihet balada e “Kush e solli Doruntinën?”, subjekt i projektuar dhe nga shkrimtarë të tjerë ballkanikë, por që ua mbylli derën varianti shqiptar i tij. Disa herë duket se një detaj i vetëm , një përshëndetje që e ka më për zemër poezia , bëhet shkas për një libër të tërë proze.

Ashtu si një poezi që shumë herë lind prej një figure , ashtu duket se kanë lindur prej një mendimi figurativ poetik disa vepra tregimtare të Kadaresë. Shkrepja poetike , fakti dhe detaji fin janë përdorur si çelësa për të hapur novelat e madje edhe romanet. Këpucët e Basri Hankonit,që themi midis shokësh , është një fakt i vërtetë që unë e kam dëgjuar në Picar të Labërisë , kur vajta në vitin 1973 . Fshatra të Kurveleshit ziheshin për toka e kullota dhe një i mënçur i vjetër, mbushi këpucët me baltë nga e tija dhe u betua në gjyqet ku vendosej me be , balta që kam nën këmbë është imja. Këtë fakt i’a tha Ismailit në Tiranë  Petro Çekrezi. Është fjala për “Breznica e Hankonatëve”, që ai bluante ato kohë. Gati si figurë poetike është ndjekja e shpirtit, hedhur si pa trajtim të gjerë te romani i kinezëve e që më pas dha romanin “Spiritus”, me një subjekt ekstra për përndjekjet në sistemet diktatoriale.

E ZBULONTE TEMËN ME TË TJERËT GJATË KOHËS QË AI ISHTE DUKE PUNUAR PËR NJË VEPËR?

Një mbrëmje shëtisnim të tre, Ismaili, Petro, Çekrezi dhe unë, afër shkollës “Nëna Mbretëreshë”, pedagogjikja e atëhershme. Një çast ai heshti, ndërsa Petrua dhe unë vazhdonim bisedën.

– Dëgjoja dialogimin tuaj ,- tha.Çudi me gjuhën, seç kish në ritmin tuaj.

I entuziazmuar nga që tregoi romanin e ri që po shkruante “Dimri i vetmisë së madhe”, përkundër zakonit të tij për të mos treguar veprat që punon. Na foli për strukturën , qendrat e veprës, familjen tiranase, Moskën, Bazën e Vlorës, përmbytjen etj.

A E PËRDORTE ISMAILI SHPEHJEN JUSTIFIKUESE SE “S’KEMI KOHË TË SHKRUAJMË?”

Shumë herë kur disa ankoheshin , s’kemi kohë të shkruajmë , s’na lënë punët, jemi të zënë etj të kësaj natyre , Ismaili e kish zakon të përmëndëte këtë argument:” Një faqe letërsi të mirë në ditë të shkruash, bën një roman në vit.”Nuk ka gjë më të rëndësishme se puna, më tha një ditë në shëtitje.Të gjithë kalojnë e harrohen ,edhe dashuria vetë, vepra është ajo që mbetet e nuk vdes. Pasi u ndamë u nisa me nxitim për në konvikt, vura tavolinën në mes të dhomës dhe u ula të shkruaj në prozë. Këtë gjë e çmonte më shumë tek unë, nga disa dorëshkrime, që i kisha dhënë e ku i pëlqente përdorimi i gjuhës. Përmeti ka gjuhë të bukur më tha njëherë, pastaj shtoi: Që tani shkrimtarët e rinj shkruajnë një shqipe më të bukur se; përmendi dy emra ,le kur të formohen më shumë. Një herë tjetër më tha:” Është një dramë e Fadil Paçramit, por është e dobët, nuk bën.

– Do t’ia thuash,e pyeta unë?

– Do t’ia them , më tha, kur është puna për cilësinë e letërsisë.

Nuk e di saktë se për ç’dramë bëhej fjalë, por nga rrjedhat e mëpastajme të botimeve, kam përshtypjen se duhet të jetë”Nuk kam mall për vjetërsirat”.

A ISHTE I SAKTË PËR ATO QË SHKRUANTE APO I ANASHKALONTE GJËRAT E PARËNDËSISHME?

Kur një pjesë prej nesh besonim se tufëzat dhe arëzat e Ramiz Alisë do të rregullonin diçka në ekonomitë familjare, Ismaili , pasi na pyeti ne të bazës njëherë tha:” Asnjë ndikim nuk do të kenë. Unë kam pyetur një specialist të shquar të blegtorisë dhe më ka shpjegua:”Është një ndërmarrje e kotë, nuk do të ketë asnjë rezultat”.

Gjatë një vere në Sarandë , duke shëtitur , nuk harroi të verifikojë këtë edhe verën tjetër. Kur “ndikimet” kishin filluar të dukeshin . Kështu rrihte në mëndjen e tij dhe në biseda, për t’u saktësuar edhe për bunkerët. Mbaj mënd që tregoi kur një specialist i shquar ushtarak kundërshtoi bunkerët, duke i shkruar letër me emër vetë Enver Hoxhës.

PSE PYETI KOMITETI I PARTISË SË GJIROKASTRËS, SE ÇFARË KISHTE THËNË ISMAILI PËR TË HUAJT?

Në vitin 1982 , në Gjirokastër. Duke folur e diskutuar për shtëpitë centaur ,si të hidalgove të vjetër e të tjera si këto, për mbajtjen e tyre në këmbë, investimet e paratë që duhen etj,. Ismaili dikur kish thënë se qytete si ky ruhen vetëm nën kujdesin e organizmave e shteteve të fuqishme. Sot lutemi t’a marrë këtë qytet UNESCO. Në vizitën e vitit 2000, ai tha se vetëm shtete të fuqishme si Amerika janë në gjëndje të mbajnë qytetet e tyre si ky. Atëhere nuk më kujtohet ku e tha këtë ide, e as kush ishte në bisedë me të, por pasi iku Ismaili nga Gjirokastra , komiteti i partisë dërgoi një nga instruktorët e tij t’a verifikonte këtë gjë te ne ,si e tha Kadareja atë mendim, t’u jepet Gjirokastra të huajve?

KUR PO REALIZOHEJ FILMI “DIMRI I VETMISË SË MADHE”PËRSE IU DESH TË VINTE NË AMERIKË?

Kur isha student e mora në telefon nga shtëpia e ushtarakëve, ku venim për të ngrënë ndonjë darkë vitet e fundit. Në telefon më doli Helena.

– Ku është Ismaili?- e pyeta.

– U nis për në Amerikë – ma ktheu ajo.

Për në Amerikë. Ka një orë që është nisur. Përgatitej për” Dimrin e vetmisë së madhe”, dhe na kishte thënë se për të dhënë shijen e ndeshjes së përmasave ndërkombëtare , i duhej që të vinte në një vend të tillë të madh. Ta jetonte emocionalisht. Në Bashkimin Sovjetik atëhere ishte e pamundur dhe ai kërkoi të vinte me një delegacion rinie në Nju Jork, në një veprimtari botërore.

Po për këtë roman , dikush më tha se ai do vente në një vënd tjetër , së bashku me Hito Çakon , që në atë kohë ishte komandant i bazës së Vlorës në kohën e sovjetikëve, për të parë vëndet e për të dëgjuar ngjarjet , se një kapitull i romanit do të zhvillohet aty.

PO PËR MASAKRËN E BOROVËS ÇFARË DINI?

Për këtë më ka folur Ismaili një natë. Ishte koha kur ai shkruante “Dimrin e vetmisë së madhe”Shkaktari i saj ai që pa ditur se ç’bënte , kishte ngritur tabelën e flakur , shkruar në gjermanishte. Bëni masakër! Ishte çmendur më vonë dhe mjekohej në psikiatrikun e Tiranës.Ngjarjen i’a kishin treguar ndoshta , ose kish ikur prej spitalit i luajturi dhe kjo kishte bërë bujë. E dini si filloi masakra më tha Ismaili? Dhe na tregoi:”Pastaj tha e kam në libër. Ai i çmonte detajet dhe faktet që mund të visheshin lehtë me letërsi, po dhe i derdhte në librat që shkruante pa i kursyer.

PËR NDERIMIN E ISMAILIT ME GRUSHT NGA HAJREDIN ÇELIKU, ÇFARË MUND TË MË THONI?

Ishte koha pas kongresit të nëntë të partisë së Punës. Në ato momente kaloi me këmbë Hajredin Çeliku, futur mes atyre që e ruanin. Kur pa Ismailin, ngriti dorën dhe nderoi me grusht. Shih ky, nderon me grusht më tha Ismaili, pikë e zezë. Kur ra biseda se si zgjidheshin delegatët, Ismaili e dinte mirë se si funksiononte kjo , se kish qenë një herë delegat në kongresin e nëntë dhe thuhej se kishte shuar hapur emrin e Tefta Canit, Ministre e Arsimit dhe Kulturës, në listën e kandidatëve për Komitetin Qendror.

PO “NJOLLAT E MURME”?

Nuk e pashë dot. Ishim në vitet e para. Njihnim pak. Vinim rreth teatrit popullor , por nuk gjetëm dot bileta. Një nga ditët pasi e kish parë Enver Hoxha , siç dihet, pas Mehmet Shehut , paradite ishte. Në kafe Tirana u ndodha dhe unë. Në një tavolinë që shihte drejtë bulevardin. Ismaili rrinte në qoshe . Ishin me të dhe dy të tjerë.

Ra fjala për Ibrahim Uruçin kur u tha:”Mos e kërkoni! Është mbyllur dhe shkruan kritikë e autokritikë. Si qe kjo punë kështu? – Duhet të kem pyetur unë. Ismaili tha:”Je i ri t’i, nuk i kupton këto gjëra. Kuptohet që nuk fola më. Ibrahim Uruçi duhet të ketë qenë kryetar i jurisë për festivalin e teatrove.

Shkrimi që u bë mbante për titull:” Një njollë e zezë” dhe më duket se u botua te “Zëri i popullit”.

PËRSE FILLOI FUSHATA KUNDËR LIBRIT”DIMRI I VETMISË SË MADHE?”

I pari që më ka folur për këtë roman, pas Ismailit ,që na tregoi strukturën e tij një mbrëmje, në shëtitje, ku ishte dhe Petro Çekrezi ,ishte Ibrahim Uruçi. Ai nuk e kishTe lexuar dorëshkrim ,por i kishte thënë Fadil Paçramit -çfarë ka bërë ai shkrimtar i jashtëzakonshëm ?! Libri u përpi , por ndërkaq me të njëjtin rritëm filloi edhe fushata kundër tij.Vilson Kilica tha një ditë në Lidhje se një kritik i kishte thënë:” nuk shkruaj unë për libra si ky. Ai është roman psikopatësh”. Po pse Enver Hoxha që është personazh ,psikopat është ?- i’a kishte kthyer Vilsoni.

Në Elbasan komunistët kishin pyetur vetë Enver Hoxhën , që kish shkuar për vizitë atje.

– Kemi vërejtje për romanin , si ju duket juve shoku Enver? Kështu e kishin pyetur në një aktiv partie në këtë qytet.

E mbaj mënd atë ditë. Kisha marrë rrobat në çantë . Llazar Verua , në rrugën e Kavajës , gazetar i “Bashkimit” dhe shoku im m’u afrua dhe më tha:”Një lajm i gëzuar! Ismaili shpëtoi .Shoku Enver ka folur mirë për “Dimrin”. Maks Kroi më mori në telefon. Ishte vet atje, e dëgjoi me veshë.

ÇFARË I THA DRITËRO AGOLLI SIHAT TOZAJT, SEKRETARIT TË PARË TË GJIROKASTRËS, PËR ISMAIL KADARENË?

Në pranverë të vitit 1982, pas plenumit të katërt, erdhi Dritëro Agolli me Moikom Zeqon për të shkruar diçka për Dropullin. Dritëroi i kish thënë Sihatit, që ishte sekretar i parë në Gjirokastër:”Priteni mirë Ismailin. E kemi kritikuar pak, por ju priteni mirë!” Me t’i thënë se kishte ardhur Ismaili, Sihati e kish lënë në mes vazhdimin e mbledhjes së byrosë, gjë kjo që kish ngjallur mjaft dyshime. Por mbasdite, kur kish takuar kryetarin e Punëve të brendëshme e kishte pyetur se a e njihte Ismailin dhe ai ngriti supet. S’kishte vënd në turizëm. Ismailin e mori për darkë Petro Çekrezi.

PYETJA E FUNDIT: SI I KISHTE MARDHËNIET ME GJIROKASTRËN DHE GJIROKASTRITËT?

Mirë e ke menduar, që t’a mbyllim me Gjirokastrën këtë intervistë. Si të gjitha dashuritë edhe për qytetin e tij të lindjes, e kishte dashurinë të thellë e të brendshme. Po të ishte me origjinë nga një vend tjetër, nuk do ishte ai që ishte, natyrisht. Në vitin 2000 ishte për herë të fundit në Gjirokastër. Në aeroport dolëm dhe e pritëm një grup njerëzish. Duke pirë kafe në lokalin e turizmit, në një moment Ylli Asllani, kryetari i bashkisë u ngrit në këmbë dhe më foli. U futa mes tyre. Edhe Stefan Papamihali. Në asgjë s’kish ndryshuar. Helena më tha, po t’a them edhe ty, se të kemi mik shtëpie. E para herë që këto dy ditë që e kam harruar dhe nuk e kam sjellë ndërmënd Doruntinën, mbesën. Pas pak erdhi helikopteri dhe i ngriti në qiell.