Në tetë muaj hetohen 243 policë në Shqipëri, 61 u arrestuan

101
Sigal

Gjatë këtyre tetë muajve, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka çuar në prokurori për t’u hetuar 243 efektivë të sektorëve të ndryshëm në të gjithë vendin.

Krahas tyre, në organin e akuzës po hetohen edhe katër punonjës të Gardës së Republikës.

Referuar raportove mujore të AMP-së, gjatë kësaj periudhe janë arrestuar me masa sigurimi dhënë nga gjykata, 61 punonjës policie. Kryesisht, ata dyshohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion, por edhe për vepra të tjera penale, si mosveprim, apo veprime arbitrare.

Vetëm në muajin gusht, kjo Agjenci dërgoi për t’u hetuar në prokurori 26 efektivë të Policisë së Shtetit. Ndërsa gjykatat dhanë 5 masa sigurie për efektivët e hetuar, nga të cilët 4 ishin arrestuar në flagrancë dhe një tjetër u arrestua pasi ishte me masë sigurie arrest në burg.

Dy nga rastet më të bujshme të arrestimit të efektivëve gjatë muajit të kaluar, ishte arrestimi i efektivit të Operacioneles, Jeton Lami i akuzuar për sh[përdorim detyre, si person që ka shoqëruar me makinë të shumëkërkuarin Ervis Martinajn.

Ndërsa në fillim të gushtit u arrestua komisari i Elbasanit Arjan Tase, pasi me gomonen që drejtonte, vrau 7 vjeçaren Jonada Avdia në plazhin e Potamit.

Në raportin e APM-së, citohet se gjithsej në muajin që lamë pas, kjo Agjenci ka trajtuar 134 ankesa. Numrin më të lartë të tyre e mbajnë ankesat për shkeljet që kanë kryer efektivët e Rendit dhe Sigurisë Publike. Janë trajtuar për këtë kategori 51 ankesa. Lista e ankesave pasohet nga Policia Rrugore, ku janë trajtuar 46 ankesa. 29 ankesa të tjera janë trajtuar për efektivët e Hetimit të Krimit dhe për pak për sektorët e tjerë.

RAPORTI NË 8 MUAJ

243 efektivë policie në hetim
4 punonjës të Gardës në hetim
61 efektivë policie të arrestuar

134 ANKESA TË TRAJTUARA

51 ankesa për strukturën e Rendit e Sigurisë Publike
46 ankesa për strukturën e Policisë Rrugore
29 ankesa për strukturën e Hetimit të Krimit
7 ankesa për strukturën e Kufirit dhe Migracionit
1 ankesa për strukturën e Shërbimeve Mbështetëse