Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka publikuar pamje që, sipas saj, janë realizuar në Spitalin Francez në Tiranë, ku pacientët e shtruar përballojnë temperaturat e larta me freskuese të sjella nga familjarët.
Sipas Xhixhos, situata vjen në një periudhë kur temperaturat kanë arritur rreth 40 gradë Celsius, ndërsa në repart mungojnë kushtet e nevojshme për pacientët.
Në reagimin e saj, deputetja e krahason këtë situatë me fondin prej 4.2 milionë eurosh të akorduar për një koncert, duke ngritur pikëpyetje mbi prioritetet e qeverisë.
Xhixho shkruan se, ndërsa fondet publike përdoren për aktivitete të tilla, në spitale mungojnë kushtet bazë, ilaçet dhe pajisjet mjekësore.
Ajo shton se pacientët përballen me vështirësi edhe për shërbimet më elementare gjatë qëndrimit në spital.
Deputetja shprehet se mënyra se si shpërndahen fondet publike tregon, sipas saj, prioritetet e qeverisë në raport me sistemin shëndetësor.


















