Kur kërkon të portretizohen familjet e njohura lushnjare që kanë kontribuar fort në vite dhe dekada në futbollin myzeqar, natyrshëm, krahas familjeve shumë të njohura si ato Haxhiu, Bano, Shandro, Xhoxhi, Ceco, Mitrushi, do të përmendet dhe familja Gazheli. Katër pjestarë të kësaj familjeje në vitet 1960-2007, me Jasinin, Lirimin, Petritin dhe Judmirin, kanë qenë pjesë e skuadrave të futbollit të ish-Traktorit , sot Lushnja. Një kontribut ky shumë vjeçar, që sot mbahet gjallë nga trajneri i moshave të akademisë të futbollit lushnjar, ish-futbollisti Judmir Gazheli. Dhe për gjithçka që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë në fushën e blertë, në shërbim të futbollit, familja Gazheli, me vendimin nr. 55, datë 05.09.2006, të Këshillit Bashkiak Lushnje është shpallur: “Qyetar Nderi i Lushnjes”, me motivacionin: “Për kontributin e shquar në skuadrat e futbollit të qytetit Lushnjes, për një periudhë të gjatë dhe nivel të lartë tekniko-taktik të treguar në fushën e lojës”. Mjafton ky fakt për të treguar qartë, se si kjo familje sportive, ka vlerat dhe kontributet e saj në rritjen dhe zhvillimin e futbollit në qytetin e Lushnjes. Pak kush e kishte menduar më parë që familja çame e Cerciz Gazhelit e vendosur në qytetin myzeqar të Lushnjes, diku në vitin 1945, do të kthehej në vite, në një “dinasti” më vete duke “prodhuar” katër futbollistë cilësorë që me përkushtimin e tyre, kanë pjesën e punës dhe suksesit të tyre, në historinë në futbollin myzeqar.
“Mjeshtri i Sportit” Jasin Gazheli
Atë ditë të vitit 1995, kur në qytetin e Lushnjes shpalleshin për herë të parë në historinë e futbollit të qytetit, me titullin “Mjeshtër Sporti”, gjashtë futbollistët dhe pikërisht, Tajfur Shehu, Hajdar Sherifi, Mimi Xhoxhi, Kristaq Gogoni, Sami Shefa dhe Jasin Gazheli, në opinionin sportive, ky akt është përshendetur nga të gjithë. Dhe ish futbollisti i “Traktorit” të Lushnjes në vitet 1961 -1972, Jasin Gazheli, që e ruan këtë si një ditë të veçantë të jetës tij, këtë moment me nostalgjinë e moshës thotë: “Më vjen mirë për vete dhe për shokët për këtë vlerësim, sepse për fanellën e skuadrës tone, për shumë vite kemi dhënë gjithçka nga vitet tona të rinisë tonë”. Ai duke kujtuar kujtimet dhe vitet e moshës tregon gjithçka nga karriera e tij sportive. Dhe si të gjithë fëmijët e tjerë dashurinë për futbollin e ka shfaqur në atë fushë të vogël lagjes vet me shokët e fëmijërsisë së vet, Xhemal Xhemon, Karafil Beqon dhe Mehmet Nurcen, kur me top prej lecke dhe më vonë atë top të vogël tenisi të siguruar nga ish-shoku skuadrës, Idajet Haxhiu, do të harroheshin të gjithë bashkë, për shumë orë të ditës pas lojës futbollit. Dhe kur ishte 15 –vjeç, trajneri Besim Ruli, do t’a bëjë pjesë të ekipit të Lushnjes.I fortë fizikisht, tepër i shpejtë si një futbollist që godiste saktë me të majtën, Jasini do shfaqte vlera si sulmuesi majtë. Dhe ndeshja e tij e parë me fanellën e “Traktorit”, do të jetë në moshën 17 –vjeçare, më 1961, kundër “17 Nëntorit” –Tiranës, në atë ndeshje të zhvilluar tek fusha e vjetër, ku së bashku me Iljaz Cecon, u bënë problematikë për ekipin nga kryeqyteti. Trajnerët Adem Karapici, Fatbardh Delliallisi, Roza Haxhiu shikonin tek ky djalosh i fuqishëm tiparet e mira të një mesfushori –mbrojtës, ndaj i besonin hera- herës mbulimin nga afër të sulmuesve të forte të kohës si, Pano, Selamidani, Ibërshimi, Duro, Zaho, Vorfi, Hazhiu e Hyka. Numri 6 në fushën e lojës, Jasin Gazheli, së bashku me Gogonin, Xhoxhin, Mitruhin, Caparin, Shefën, Pepën, Alikon, Naci, Gjecin, Sefën ,Stamon e të tjerë, ishin pjesë e asaj skuadre të “Traktorit “ në ato vite, që për 17 –vjet rresht e mbajtën ekipin e tyre në nivelet e larta të futbollit shqiptar. Ky fakt e bën “Mjeshtrin e Sportit”, Jasin Gazheli, të ndihet mirë dhe të shprehë konsideratën e vet kur thotë: “Me shokët luanim futboll me zemër dhe për qytetin, pa menduar për shpërblimet që mund të merrnim. Shumë prej nesh e kanë mbyllur pa zhvilluar ceremoni për dorëzimin e fanellës. Gjithësesi, nuk jemi mërzitur asnjëherë për ato që i kemi dhënë futbollit. Tani gjërat janë shumë më ndryshe, të cilat edhe s’më pëlqejnë, kur shikoj që skuadra e qytetit tonë nuk është pjesë e më të mirëve”, – ka mbyllur rrëfimin e tij mes dashurisë që mbahet gjallë për futbollin, Jasin Gazheli.
Dy vëllëzerit Lirim dhe Petrit Gazheli
Ende pa e mbyllur karrierën si futbollist vëllai i madh Jasini , tek ekipi “Traktorit” në ato vite do afrohet një tjetër pinjoll i kësaj familje sportive, mesfushori Lirim Gazheli. Shumë i shpejt dhe teknik në përdorimin e topit , ai do zhvillojë vetëm një ndeshje, atë kundër Besës në vitin 1971, sëbashku me vëllain si pjesë e “Traktorit”, sepse pastaj do të vazhdojë fort e bukur në traditën familjare në futboll. Edhe në vitet e shërbimit ushtarak, kur aktivizohet tek “Naftëtari”, mesfushori Lirim Gazheli, do lerë mbresa të mira, por “Traktori” -Lushnjes mbeti dashuria e tij deri në vitin 1978, kur krejt papritur dhe në kulmin e tij, u largua nga futbolli dhe shokët e skuadrës. Dhe gjithçka ishte një “thyerje disipline” në mosparaqitjen në grumbullim me skuadrën në Divjakë, sepse drejtuesit e ish ndërmarrjes komunale ku punonte, nuk e lejonin. Kaq ka mjaftuar që ky mesfushor potent, si pjesë e asaj skuadre që bënin pjesë Gjeci, Karame, Borizani, Cobani, Baballaku, Borizani e të tjerë t’i varte këpucët në gozhdë përpara kohe dhe jashtë dëshirës tij. Gjithsesi atë vit, të 1978-ës, në skenë do të dalë nga kjo familje sportive një tjetër futbollist , vëllai tjetër, Petrit Gazheli. Plot 14 -vjet, në vitet 1978-1992, Petriti do të jetë pjesë e skuadrës verdhëjeshil të Lushnjës. Në ndeshjen e parë si mbrotjës duke mbuluar fort dhe me kujdes sulmuesin Filjari të “Lokomotivës”. Trajneri Mimi Xhoxhi do t’i japë atij gjithë besimin si pjesë e skuadrës parë. Në vitet 1986-1992, do provohet si sulmes, duke rezultuar si një zgjidhje e duhur, sepse golat përcaktues të shënuar nga ana e tij, në shumë ndeshje , do i japin skuadrës siguri për mbijetesën në grupin e më të mirëve. Të qenurit për shumë vite si kapiten skuadre do t’i japin Petrit Gazhelit, motivimin e duhur në shërbim të skuadrës. Pas vitit 1992 deri me 1998, kur zgjedh të emigrojë jashtë vendit, ai do t’i përkushtohet tranjerit sportiv me skuadrat e moshave, deri dhe ekipin e parë të Lushnjes. Gjithësesi, karriera shumëvjeçare e Petrit Gazhelit si futbollist dhe trajner ka lënë mbresa në opinionin sportiv të qytetit të Lushnjës.
Tradita vazhdon me Judmir Gazhelin
Pak ditë më parë “Mjeshtri i Madh” Iljaz Ceco, do shprehej: “Unë kam luajtur pak kohë në Lushnje, me Jasinin tek “Traktori”, por di të them, që ai qytet, nuk qëndron asnjëherë bosh në rradhët e tij pa pasur një pjestar të famniljes Gazheli”. Dhe fakti i tillë është, sepse ende pa u larguar nga futbolli Petrit Gazheli, në fushën e blertë del i nipi tij, Judmir Gazheli. Një mbrojtës shumë energjik, tipik, një “ fotokopje” e babait vet, Jasinit. Plot 16 -vjet si futbollist me Lushnjen , Albpetrolin , Egnatien dhe Bylysin në vitet 1993-2009. Në çdo ndeshje në maksimumin e vet dhe me shumë vlera për skuadrën. Një futbollist që kujtimet më të mira i ka me skuadrën e qytetit tij, Lushnjen, sepse me atë ka përjetuar vitet me trajnerin argjentinas Kempes, si dhe të tjerë me rradhë: Mimi Xhoxhin, Hasan Likën, Sul Demollarin, Ilir Gjylën dhe deri xhaxhin e vet Petritin, por dhe për atë, që tek skuadër ka arritur deri në nivelet e finalistit të Kupës. Judmir Gazheli ka 10 -vjet që drejton Akademinë e Futbollit me moshat “Lushnja 1920”. Janë 18 trofe të fituar deri tani në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare nga skuadrat e moshave të kësaj akedemie. Por më e veçanta qëndron në atë se nga kjo shkollë futbolli po dalin talente plot cilësi, të cilët shumë shpejt do ta kthejnë ekipin e futbollit “Lushnja” në ato nivele të mira për të cilën kontribuan fort në vite dhe dekada pjestarët e familjes futbolldashëse Gazheli.