Klubi i fshatit
Klubi i fshatit, këtë kohë përjetimi,
është për të rinj dhe adoleshentë,
institucioni i vetëm me relaks argëtimi,
ku shtyhen orët, në çdo moment.
Aty është muzeu dhe vatra e kulturës,
që u lanë të mbyllen apo të prishen,
aty të rinjtë marrin edukatën e currës,
aty kanë derë shkolle, xhamie, kishe.
Klubi i fshatit, ka boll alkool rrushi,
ka birrë “Peja” dhe uiski Evrope;
Ka cigare të shtrenjta, duhan kaushi,
shitës ambulant lëndësh psikotrope.
Aty lihet trurin të marrë pyjet e malet,
të endet bashkë me ujqër dhe derra;
Aty, i riu, në vrap gremine nuk ndalet,
dehumanizohet e humbet gjithë vlerat.
Aty edukatën e pijanecit, ai ka marrë
të bëhet kafshë, të kthehet në bishë,
të lidhi me tel, të mbytë në rezervuar,
xhaxheshën, që e ka mëkuar me sisë.
Ku vemi me këtë formim të brezave,
që e lëmë të marrë udhën e krimit,
apo derën e burgut e të varrezave,
në vend të brezit, të heroizmit?…
Ku është familja, me mendjen te leku,
ç’bën shoqëria, shteti i Pons Pilatit?
Pret t’i nisë te italiani, gjermani, greku,
mostrat që përgatit, klubi i fshatit?…