Suplementi Pena Shqiptare/ Lela Kokona: Sa pak njihen femrat e suksesshme shqiptare në shoqërinë tonë!

158
Sigal

Me titull ” Doktore e shkencave” në fushën e kimisë, pedagoge në fakultet, autore e disa artikujve shkencore, ndër to ka studjuar lumin e “Lanes”dhe ndotjen e këtij lumi , shkrimtare, poete, aktiviste, znj. Eva Gavani si nje model suksesi. Eva Gavanin natyrisht e kisha dëgjuar më parë, kisha lexuar për të, por asnjëherë se kisha takuar. Për herë të parë ndodhi te njiheshim në një aktivitet. Ishte një aktivitet që zhvillohej në shoqatën “Në dobi të gruas” me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Ishte nëntor dhe një ftesë e ardhur nga aktivistë të shoqatës më ftonte bashkë me disa mike të tjera në këtë aktivitet ku midis të tjerash ishte ftuar edhe Liljana Pere, që kish asistuar në Vatikan në aktivitetin për nder të Nënës Terezë. Aktiviteti ishte i moderuar me kujdes në të gjitha detajet. Zonja që ishte kujdesur për këtë aktivitet ishte Eva Gavani. Aty e pashë për herë të parë këtë zonjë sharmante dhe ajo që më bëri përshtypje ishte fjala e hapjes me një elokuencë e diksion që të bënte ta kishe vëmëndjen e mos t’ia ndaje sytë deri në fund. Po nuk ishte vetëm kjo, përshtypje më bëri gjithashtu që aktiviteti nuk ishte si gjithë ato organizime që jemi mësuar të shohim brenda klisheve “ tani e ka fjalën..” apo “ tani ftojmë…” etj. Eva Gavani me një natyrshmëri i përfshiu të gjithë pjesmarrësit në debat duke vënë theksin te shenjtëria e fjalës Nënë. Kjo përqasje na përshiu të gjithave e kështu biseda kaloi nga Nënë Tereza, te secila nga ne. Më ngeli në mëndje se si një auditor i mbushur me intelektuale, nëna, familjare, motra mbetëm me impresione të jashtëzakonshme në atë aktivitet ku orët kaluan pa u kuptuar.

Ky ishte takimi i parë me Eva Gavanin emrin e të cilës e kisha të njohur si poete e shkrimtare. Aty mësova se ajo ishte një nënë e sukseshme e pëkushtuar si rrallë nëna që gjithë jetën e saj ja kishte kushtuar dy fëmijëve duke i rritur e vetme. Djali dhe vajzae Evës ishin fëmijë model. Djalin Arditin pata rastin ta njoh po aty përkrah nënës së vet për të nxjerrë aktivitetin sa më të bukur me projektorë të detaje të një artisti dizajner. Të dy fëmijët të shkolluar e edukuar me kujdes janë model e bërë shembull për komunitetin me edukimin qytetar e human.

Modeste dhe shume e dashur Eva Gavani tregoi aty që familja e miqësia për të ka vlerë të vecantë. Kaluan disa ditë e jehona e aktivitetit më shoqëroi bashke me kureshtjen për të ditur më shumë për zonjën fisnike që na kishte mbledhur në një sofër shenjtërimi. Eva Gavani nuk ishte vetëm aktiviste në komunitet, ajo ishte poete shumë e njohur, shkrimtare, pedagoge në fakultet, punonte në një institucion ku i shërbente shëndetit dhe njohuritë e veta i kish vënë në shërbim të shkencës. Eva Gavani e meritonte fjalën që kisha dëgjuar për të, shumëdimensionale.

Me një modesti të pakrahasueshme ajo flet pak për veten, por ngado ta kthesh bisedën me të në tavolinë të flasësh për shkencë, poezi, letërsi, pikturë e art Eva ka rrjedhshmërinë e një njeriu nga i cili ke cfarë të mësosh. Është fat ta kesh mike – këtë dëgjova më së shumti në biseda ku e përmëndja me simpatinë e një gruaje për gruan. Simpati që zuri fill nga humanizmi e dashuria e Eves për njerëzit, gjë që e shfaq që në buzëqeshjen që të dhuron. E po kaq të dashur mu dukën vargjet e saj kur nisa t’i lexoja e rilexoja me ëndje duke parë se sa mirë e njeh vargun e sa me frymëzim shkruan për jetën, dashurinë, familjen kolegët, nënën, fëmijët.  Eva Gavani është një nga zërat e spikatur femërorë, ku përveç ngrohtësisë dhe metaforës që ajo përdor, përcjell një mesazh shumë njerëzor. Veçori karakteristike e poezisë së Evës, është spontaniteti dhe thellësia, jo vetëm e mendimit, por edhe e ndjenjës së fortë që ndihet kur lexon poezitë e saj. Në disa nga vargjet kushtuar gruas ku ajo ka lënë gjurmë të padiskutueshme në mënyrën se si i ka shkruar me individualitetin që e karakterizon, shkruan: “ Unë jam për ty një pasqyrë/ ku ti vjen e sheh mëkatin…” Një varg i guximshëm ku me pak fjalë thuhet shumë e mesazhi nuk është një kriptogram që ta rilexosh e në fund të thuash “ ç’ka dash të thotë autori?”, por janë vargje që prekin shpirtin e secila grua gjen pak nga e përditshmja e vet. E kështu mund të vazhdoj me vargje që të mbeten e mbeten gjatë në kujtesë si psh më ka mbetur “ të jetojmë që kur të vdesim të varroset vdekja” një mënyrë kaq metaforike e të shprehurit për të treguar vlerat e jetës së njeriut. Një varg që lë një mesazh edukues qytetar e njerëzor.

Thuhet që kur lexon një autor të shpaloset përmes artit vetë karakteri e personaliteti i autorit. Tek Eva nuk ka vargje të rrëmujshme e as mendime të pasistemuara, nuk ka vargje të shkruara “ se ashtu më erdhi”. Janë aq të sistemuara aq të kuptueshme aq me mesazh vargjet e saj sa të duket se shpalos vetë personalitetin mbresëlënës së Evës. E unë duke folur e shkruar për të kthehem si pa dashur përsëri te takimi i parë me Evën. Portreti i saj si poete e njeri i letrave është skalitur që në titullin e një libri me poezi ku me një krenari të natyrshme ajo thotë që në titull të librit “ jam Eva”. Me një larmishmëri temash poezitë e saj i ngjan një ylberi me ngjyra ku shpirtërisht ndihesh i mbushur.  Nga disa të dhëna për të, mëson që Eva është lindur në qytetin e Vlorës në një familje intelektualësh. Shkollën fillore dhe atë të mesme e ka kryer në Vlorë. Që herët është dalluar për shkrime e për poezi të mira të vlerësuara nga poetë vlonjatë e jo vetëm, pasi edhe në konkurset e zhvilluara pranë Radio-Tiranës e Tv shqiptar ka spikatur me talentin e saj. Në vitet e shkollës së mesme ka shkruar edhe publicistikë në mënyrë të vazhdueshme në faqet e gazetës lokale “Zëri i Vlorës”. Studimet e larta i ka mbaruar në Universitetin e Tiranës për degën Kimi. U duk se në ato vite e la pas dore letërsinë, mbasi profesioni, familja, fëmijët kërkonin shumë angazhim. Eva Gavani është autore e 10 librave artistikë. Në vitin 1998 ka botuar librin e parë me titull “Kam mall” një përmbledhje me poezi e tregime e më pas në bashkëpunim me shtëpinë botuese Toena ajo ka botuar poezi tregime por edhe roman.  Në të gjithë krijimtarinë e Evës të bie në sy ndjeshmëria për gjithçka që e rrethon. Gavani është autore e një hymni për moshën e tretë poezi e titulluar “Pa moshë” përkthyer edhe në gjuhë të huaj që ja kushton solidaritetit me gjeneratën me vlera të mëdha jo vetëm për shoqërinë por edhe për kontributet në ndërtimin e shtetit. “ Jemi të gjithë bashkë/ pa moshë si dashuria/ pa moshë jetën të thërrasim/ të na përgjigjet Lumturia”. E ndërsa po kërkoja të dija më shumë përmes materialeve të shkruara për të, mësoj që diaa nga poezitë e tregimet e Evës janë përzgjedhur në disa antologji të ndryshme brenda e jashtë dhe Gavani është nderuar me titullin “Grua e rëndësishme në botë” dhënë si vlerësim për punën që ka bërë në botën e letrave, në shoqëri por edhe në shkencë. Si kimiste ajo mban titullin “Doktor i Shkencave” dhe përvojën e saj e ka shpërndarë edhe përmes mësimdhënies në Universite duke u bërë një mike e mirë me studentët që kanë pasur fatin ta njohin e që kanë folur për të edhe në media në profile të dedikuar për Eva Gavanin.Autore e disa artikujve shkencorë është interesant fakti që punimet e saj i ka përqëndruar duke studiuar lumen e Lanës dhe ndotjen e këtij lumi. Ky është një kontribut që i vlen mjedisit të Tiranës dhe shëndetit në përgjithësi. Edhe sot Eva Gavani vazhdon punën në një sektor mjaft të rëndësishëm farmaceutik duke u bërë pjesë përmes konsulencës shkencore në një staf që promovon e prodhon medikamente për sëmundje të rralla.  Nuk di në i kam thënë të gjitha në këtë shkrim, sepse të flasësh dhe të zbërthesh jetën e një gruaje që e ka arritur përmes punës e vullnetit gjithçka të mirë në jetë nuk është e lehtë, por nuk është asnjëherë e mjaftueshme. Ajo që mund të them me bindje në fund të këtij shkrimi është se gratë si Eva Gavani por edhe njerëzit si ajo .mund të quhen me plot gojën pasionantë për jetën me vullnet të pashtershëm për të nxjerrë kurdoherë më të mirën nga vetja.

Po e mbyll me një poezi të shkurtër të cilat janë karakteristikë e thellësisë së mendimit ku sic thotë vetë autorja shkurtimat poetike janë kombinim i dy talenteve të rëndësishme të saj, letërsisë dhe shkencës.

Balancë

“Në dashuri mos shko kaluar

e mos u mba krenar.

Vetëm aty nuk ka të humbur,

por s’ka as fitimtar”!