Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Ahmeti: Poema e kafesë

218
Sigal

 

O, Maria nga Miloti!

që bëje kafe për shoferat e skodave

të Veriut-

mishërim i femrës ishe,

prej kafes që dije ta bëje,

dije ta shkrije

dhe burrat të donin fuqishëm

sepse…

dije.

Isha fëmijë dhe asnjëherë

nuk e pashë Marian e Milotit.

Të rriturit flisnin përditë për të –

e bukur, vetulla gajtan,

kishte në qafë një kokërr kafeje,

nishan.

“Ah Marin Marjana, gushën me nishana”!

Kurse Bali,

ajo që bënte kafe te Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve

kishte një kokërr kafeje anash hundës…

Gra që kanë kokrra kafeje

nishana mbi trup!

Sensuale,

thithëse, venoze…

Kallup!

Kam parë një ëndërr me sy hapur këto ditë,-

ajo më tha:

“Ti do të mbash këtej e tutje taka të holla-

nga ato që u ngulen burrave në zemër.

Kurse çunave u pickojnë ijen në mëlçi.

Taka, që kërcasin sikur

thyejnë kafe

të të ngrihet tensioni…

Ah pasioni!

Nuk kalon pasioni…

Pasioni vetëm shpërdorohet,

ndërsa motivimi harrohet!

“Duhet ta përdorësh motivimin!

Ai vjen, të lë, po nuk e përdore!

Unë kam humbur kushedi sa motivime!

Duke i lënë pas dore”.

Këtë më shkruante në provim:

një student i gjenisë naive…

E gjithë kjo parantezë për një filxhan kafe!

Kur isha shtatzanë në Eir,

haja kafe me grushta.

Dhe i merrja erë bidonit të vajgurit derisa mehesha!

Thoni, çfarë logjikë mund të ketë në këtë kërkesë trupi?

Dhe në cilin trupim logjik

është përhapur dëshira gulfuese për një kafe?

Teze Fekja na shikonte filxhan,

Filxhani i saj ishte më parashikues se moti,

më transhendent se mesha,

më shkencor se kimia!

Për sytë tanë,

përmbi filxhan,

teze Fekja ishte Perëndia.

Unë edhe mund t’jua vizatoj

që ta shikoni!

Jadigjari më shiti mullirin e kafesë

para se të emigronte në Itali.

Dhe, kur u kthye, ma kërkoi të ma blinte.

Nuk e shes, i thashë. Ta bleva se e doja!

Jadi mbeti e zhgënjyer! Sikur po e tradhëtoja…

Ne kishim pasur në shtëpi, një mulli vigan,

që duheshin dy veta për t’ia mbyllur kapakun, dhe tre të tjerë

për t’i rrotulluar krahun e dorezës,

pasi e kishim rrasur mirë te kofshët e mamasë.

Por kafeja që nxirrte ishte magji-

e hollë si hi

me aromë alivani…

Ah Antuani! (Pastaj Bataclan-i…)

Kur e përcolla, në aeroport

pashë në “duty free” një mulli e ia bleva,

ia shtiva me zor në duar!

Dhe nuk e pashë më atë dashuri

të bekuar!

Ҁ’paske bërë më tha Irini, që merrte vesh nga dhuratat!

Po nuk i jepet mulli kafeje tjetrit,

se i jep gjithë hallet e botës!

Ҁ’thua, moj,- thashë

e pa frymë rashë në atë kujtim,

që qenkësh edhe Pinakli

i jetës sime…

sipas astrologes Mari!

Eci në Paris…

Kudo që jam, eci në Paris.

Franca është refeneja ime.

Ndoshta ngaqë gjyshja jetoi ne okupacionin francez…

O-

ku-

pa-

cioni…

Ҁfarë është “cion”-i?

Më mirë mos ma thoni…

Po dal mendsh nga dëshira për një kafe!

Kafe

Kafene…

Kafe bar…

Kafe shop…

“Kafe Flora mbushur plot!”

Në Romë të bie të fikët nga aroma

kur kalon anës kafeneve…

Italia është një tavernë kafeje kum-hapur,

por Parisi

i ka karriget e holla,

të duket sikur do të thyhen

prej dëshire për t’u lakuar

rreth vitheve të tua,

epen duke

murmuruar…

“Comment ca va, comment ca va,

notre chere,

Mimoza”…

Sikur të mbajnë në duar…

Dhe ndërsa ulesh për të pirë

xixa të dalin nga nofullat nepsie.

Zgjatohen gishtërinjtë nga dëshira duke tërhequr filxhanin pranë,

zgjohen bulat poshtë thonjve tek rrokin bishtin,

hapen e flegrat e frymës para se ta marrësh hurpin.

Bie vernik’ i qepallave të mbyllura mbi faqe,

sapo rrjedh nëpër lug gllënjka e parë.

Çel amza duke kaluar nga fyti:

te tëmblat,

ngop të pangopshmin-

trurin.

Fiken organet, bien një nga një

në ritmi…

Ҁdo farë mendimi, që përbënte problem tretet…

Kryet bie lirisht në Univer-s

nuk ka gjë tjetër

veç distancë e shpluar krejt me prani,

kapilaritet, qetësi.

Më në fund

Je

Ti.

U zgjova sot me lumturinë!

që mund të prek ëndrrën e një filxhani kafe,

që mund ta pi me nge

vetëm,

moment që intimisht

më lidh me jetën.

Oh, Maria nga Miloti

im atë të dëshironte

vetëm me të dëgjuar,

ime më xhelozonte për ty inferiuar…

Midis burrave

vendosje ti sens dhe rend…

Unë të ëndërroja – një ëndërr e ndaluar-

prej krejtve

heshtas – haptas ishe e dëshiruar…

Nën avujt e ekspresit dhe zhurmës elektrike

të tubit

që futej brenda xhezvesë

duke fekonduar pas banakut

shpirtëra pritës

me aromin deliruese

të kafesë!

(Oh Maria nga Miloti,

që e kishe përbuzur një burrë,

i cili të pati kërkuar ujë

pasi kafenë e kish pirë…

Atij nuk i mbushe filxhan kafeje më kurrë!

Dhe ia bëre shumë mirë!)