Suplementi Pena Shqiptare/ Xheladin A. Çitaku: – Zija Çela vjen me romanin e ri “Banka e Ankesave”, fitues i Çmimit të madh në Panairin e Librit

218

Një “Bankë” plot me thesare letrare

Sigal

1“Kur je duke lexuar një roman, ta harrosh irealitetin, ke harruar kushtin e ekzistencës së artit.”

Ky parim duket sikur ka dalë nga romanet e Zija Çelës ose, së paku, u shkon atyre fort për shtat. Jo rastësisht studiuesi Ali Aliu, duke shkruar për individualitetin e këtij shkrimtari, si nga tiparet më të spikatura thekson asimilimin e aktuales, imagjinatën e fuqishme dhe lojën e magjike mes reales e ireales. Gjetjet në romanet e Çelës janë përherë të veçanta, gjithë peshë përmbajtësore dhe spikamë estetike. Në kostelacione të tilla krijuese, letërsia gjakon të transponojë shtjella skenike sipas përmasave të fantazisë e përjetimit të autorit, të cilat mbarështrohen në strukturën kompozicionale, stilistike, ideore e tematike, duke sjellë (aq sa është e mundur) kohën dhe hapësirën e zhvillimit të rrjedhave. “Banka e Ankesave”, fitues i Çmimit të madh në Panairin e Librit, është një përqasje artistike (si përmasë dhe si vëllim) i tërë jetës bashkëkohore, çka simbolizohet kryesisht në një skenë veprimi, pikërisht te “Korpusi”, siç quhet territori i bankës, bashkë me operativitetin e personelit që është angazhuar në punë. Në këtë institucion absurd, në bazë të vendimit të Qeverisë, janë përqendruar të gjitha ankesat e qytetarëve, të gjitha me shkrim e shërbim postar, pa të drejtën që të ankohen në asnjë zyrë a institucion tjetër. Dhe meqë këto ankesa “gozhdohen” aty, në bankën ku depozitimet ekzistenciale e shpirtërore përpunohen, ndryshohen ose gëlltiten fare, megjithëse ky funksion manipilues njihet, për pushtetarët krijohet iluzioni se gjithçka shkon mirë, sepse përderisa nuk ka të pakënaqur, do të thotë se nënshtetsit janë të lumtur… Çfarë ironie, ironi e sarkazëm tronditëse! Prandaj në korpus vepron një sistem i organizuar strukturalisht dhe organikisht, me drejtori e sektor drejtorish, duke i dhënë dorë autorit për të zbërthyer tematikën e ideuar, personazhet e karakteret, si dhe për të shpërfaqur momentin e zhvillimit në kohë e metodologjinë e qasjes ndaj problematikave të jetës. Në përshkrimin e ngjarjeve të këtij romani, deri dhe të kronikës fabulare, do dështonim gjithsesi, sepse e tillë është trajektorja e dinamikës së zhvillimit të tyre, qoftë e subjektit, qoftë e personazheve që përfaqësojnë karakteret e kohës e të rrethanave. Kush e njeh (pak a shumë) veprën e Zija Çelës, e ka të qartë se duhet eksploruar secila lëvizje, duhet zbërthyer secili kuptim shprehës, duhet skanuar secili karakter, për ta kuptuar mëtimin e shkrimtarit dhe për ta ravijëzuar atë si një tërësi. Në këtë kontekst, mendoj se bota krijuese e Zija Çelës ndjek një kurbë të veçantë, rrugëton nëpër një trase të shtruar enkas për autorin. Si e tillë, kjo botë krijuese rafinon derivatet e saj të pakrahasueshme, sepse lënda, teksti i veprës, është përplot me veçori që përcaktojnë origjinalitetin e krijimit. Ja përse romani “Banka e Ankesave” është telajo ku pikturon individualiteti i papërsëritshëm i Zija Çelës, opusi i tij i pa-paralelizuar dhe i pa-analogjizuar, edhe nëse për koincidencë tematike takohet jo formalisht me ndonjë botë tjetër krijuese, atë zonën enigmë që bashkon gjithë shkrimtarët e mëdhenj. Kjo është vlera e Zija Çelës, është mendja dhe shpirti i tij, të cilat ia dhuron lexuesit përmes një krijimtarie burimore të pandalshme, e pra edhe romanit të ri “Banka e Ankesave”, që vjen plot me thesare letrare. Ambientimi i temës në rendjen e shoqërisë shqiptare, në jetën e saj, në dritëhijet e vlerave të saj, përkufizimin dhe identitetin e saj, angazhon pikëpamjet dhe këndvështrimin artistik të shkrimtarit, për ta ngjizur skenën adapte dhe infrastrukturën letrare në përputhje me stadin aktual të zhvillimit të gjithanshëm, të aspekteve përbërëse, si dukuritë sociale, psikologjike, intelektuale e deri tek impulsimet shpirtërore, që vihen në shërbim. Fenomeni i centralizimit të pushtetit vjen gjithë vërtetësi artistike e forcë emocionale në vepër. Një fenomen autokratik që sot po haset rrezikshëm në Europë e jashtë kontinentit, çka i jep vlera universale romanit. Të gjitha në duart e Bankës, nën rregullat e Bankës, në vullnetin e sektorëve të Bankës e të shefave të Bankës. Pra, të gjitha brenda vorbullës së kontrolluar nga një hierarki vertikale, burokratike dhe e korruptuar, që udhëheq Bankën. Që në fillim të romanit, paralajmërohet se zoti Zamarini i përmbahet “konceptit” që ngërthen dimensionet lart-poshtë dhe mbështjellë, nga e djathta dhe nga e majta, vetë globin mbarë, të cilin sikur e ka ndrydhur për ta mbajtur në grusht me tërë formën e ekzistencës. (Fillimi i romanit.) Tek e fundit, ai ka instiktin e mbështetjes së vazhdueshme, nëpërmjet ndjesisë se në përmasa globale ekziston edhe Banka Botërore e Ankesave.

Në bankën e Tiranës, Zamarini është diku nga kreu i piramidës (mëkëmbës i të parit, Drejtorit të përgjithshëm të padeklaruar. A thua vetë shefit të Qeverisë?!) dhe udhëheq me një aparat të përbërë nga shefa e nëpunës, që i shërbejnë një kauze, asaj të njohjes, zbërthimit dhe dirigjimit të shpirtit njerëzor, të individit e shoqërisë, kontrollimit të çdo segmenti dhe survejimit të gjithanshëm.

2 “Romani ndërtohet me logjikën e arkitekturës danteske të Ferrit; shkatërrimi infernal i qenies njerëzore nga mekanizmat shtetërorë burokratikë e kontrollues, me gjithë pasojat e një procesi të tillë – mozohizimi i viktimave dhe si kundërgoditje, degradimi i vetë aparatit diabolik që survejon…” (Rudolf Marku) Sektorët e Bankës së Ankesave janë përshkallëzuar në funksion të administrimit enigmatik, ose procedimit jotransparent të ankesave, si një labirinth, në daljen e të cilit nuk presin ankues të gjallë, si “shkatërrim infernal i qenies njerëzore nga mekanizmat shtetërorë…”. Viron Merko, njëri nga personazhet kryesore, shëmbëllen shpirtin në ankthin e pritjes së pafundme, sepse ingranazhet burokratike të Bankës nuk lëvizin shpejt, përkundrazi, me dinamikën e moszënies së epilogut, zgjidhjes. Edhe ankesa testamentare i nënshtrohet zvarritjes në kohë.  Aparatin administrativ të Bankës, Zija Çela e ka strukturuar sipas modeleve standarde të strukturave të shoqërisë moderne, me po ato karakteristika bazë që i shquajnë, preokupimet, synimet, teknologjinë, orekset egoiste, degradimet dhe përfundimet. Veçse observon me tematikën në një konvencë të veçantë, ku nevojitet përqëndrimi i vëmendjes për ta perceptuar, si dimension narrativ dhe si reliev i përveçëm letrar, sepse transformimi artistik vendohet në shtrirje ndryshe, në përshkallëzim stilistik përtej konsolidimit të deritashëm.

Thënë troç, Zija Çela po i konfiguron vlerat e tij letrare në komponime të pakrahasueshme, cilësisht dhe afirmativisht, duke e shpërfaqur shoqërinë shqiptare me ngjyrat që ka, duke nxjerrë në sipërfaqe nënshtresat e mbuluara e të harruara, ato të dukshmit që bëhen të padukshëm në korrupsion, pjesën hipokrite të elitës intelektuale, duke fotografuar qiellin e vrenjtur, tokën djerrinë dhe gjallesat që lëvrijnë mes tyre; duke formësuar ëndërrat e vrara dhe shpresat e uzurpuara të shpirtrave të lirë. Ky është çmaskimi i realitetit përmes shëmbëllimit të tij, përmes transponimit në ndërtim prozaik. Prandaj pajtohem me Rudolf Markun kur shkruan: “Në librat e Zija Çelës ngjarjet mund të ndodhin kurdoherë. Dhe kjo u jep romaneve të autorit një dimension të përtejshëm. Me krijimtarinë e tij, Zija Çela provon se letërsia e madhe i shpëton tiranisë së kohës. Kohës kalendarike. Por jo asaj ku rrinë së bashku veprat më të mira të letërsisë e të krijimtarisë shpirtërore, në atë zonë ku qëndron me dinjitet dhe krijimtaria e tij.”

3 Romani ‘Banka e Ankesave’, ashtu si shumica e romaneve të Zija Çelës, vjen si një alegori e fuqishme, ku shkrihen kontekste dhe referenca të vështira të realitetit jetësor… (Mehmet Kraja)

Kodet e ligjërimit të Zija Çelës ngërthejnë një mënyrë të posaçme të rrëfimit, e cila nuk i përket së thjeshtës së thatë dhe nuk receptohet sipërfaqësisht, por kërkon thellim e përqendrim për ta zbërthyer, për t`i eksploruar këto “kontekste dhe referenca të vështira të realitetit jetësor”.

Ky koncept krijues, pra, angazhon potencialin e botës komplekse që artikulon tekstin e mestekstin, kuptimin dhe nënkuptimin, vijëzimin konkret dhe abstragimin. Prandaj, kapaciteti krijues i Zija Çelës është ideatori dhe “ekzekutori” i kësaj prodhimtarie letrare-artistike, sistemimi dhe ekspozimi i saj tek opinioni lexues. “Banka e Ankesave” është plasimi specifik i këtij kapaciteti, i cili po absorbohet etshëm dhe po shijohet, tashmë, nga pasioni për lexim dhe përvetësim të vlerave të vërteta letrare. Kjo vepër plotëson edhe më tej ciklin e larmishëm të romaneve të autorit, që pikërisht Mehmet Kraja e ka cilësuar si “saga metaforike më e madhe e letërsisë shqipe”.