Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Nëse një ditë do trokas në portë i penduar…

731
Sigal

Koha shpirtin s’ma shëroi, as fjalët s’u harruan,
mbeta pijanec rrugëve pa të dashurit pranë,
njollë e turpit m’i thërrmoi eshtrat me duar,
kam mall për familjen time,zemra më qan…

 

Me gotën e pijes, dashurinë shkatërrova,
vura dorë mbi gruan sikur të isha një bishë,
nënë-shkreta ulërinte; “O bir, t’u thafshin duart!”,
kurse unë gjithë nerva godisja atë grua të mirë.

 

Fëmijët, si drita, më prisnin krahëhapur te dera,
strukeshin të trembur prehrit të nënës, duke lotuar,
drithëroheshin, kur hiqja rripin e zi nga pantallonat,
dhe si dordolec prej rrecke e vërtisja nëpër duar.

 

Lotët e kuq të nënës më luteshin hidhëruar,
“mos tek fëmijët, mos fut shpirtin në gjynah!”,
por gjaku im nxirrte llavë si vullkan nga pija,
nga këmbët i godisja, nuk dija pse merrja hak.

 

Merrmë vdekje nëpër thonjtë e tu shtrënguar,
mëkatova ndaj familjes dhe nënës sime të gjorë,
kafshatën e gojës ruante mënjanë, e uruara,
një thelë mishi më ka rritur në varfëri dhe lot.

 

Nuk meritoj të jem aspak një shpirt penduar,
turfullimë dola nga dera, e lashë shkret atë prag,
“Ku shkon më qafsh mua?!” thoshte nëna lotuar,
por unë si burracak ika dhe nuk u ktheva prapë.

 

Nëse një ditë, do trokas në portë i penduar,
e di se do më presin krahëhapur, si dikur,
këmbët flutur të më bëhen, të rend atje nxituar,
t’i përulem familjes e t’i them “Më fal”në gjunjë.

Shkëputur nga vëllimi poetik “Dashuria është bekim “