Laçi frenon Kukësin, Skënderbeu merr kryesimin

517
Java e tridhjetë e Kategorisë Superiore, e cila është mbyllur dje, jo vetëm që ka sjellë përmbysje të kreut, por ka dhënë një rezultat krejtësisht të pamenduar nga askush. Të paktën kjo jo vetëm për sfidën e luajtur në “Zeqir Ymeri”të Kukësit, por dhe në Korçë, ndërsa të kuqtë shpresonin shumë të frenonin Skënderbeun dhe të ngjiteshin në vendin e parë. Mirëpo Skënderbeu, me petkun dhe stofin e një skuadre katër herë kampione radhazi, ia ka dalë të jetë fituese. Dhe jo pak, por me një rezultat bindës, 5-2. E duke përfituar nga frenimi i Kukësit nga Laçi, Skënderbeu është në vendin e parë në renditje.
Kurbinasit bëjnë “zap”Kukësin
Laçi konfirmohet si “macja e zezë” e skuadrave pretendente për titullin në Kategorinë Superiore, sepse pas Skënderbeut, ndali edhe Kukësin në një barazim 0-0. Në “Zeqir Ymeri” sfida nisi me Kukësin më këmbëngulës. Në minutën e 9-të provoi Dushku me kokë, por asnjë problem për Moçkën. Katër minuta më pas ishte Lushtaku që kishte një mundësi të mirë, por nuk u koordinua siç duhet në goditje. Edhe gjatë minutave në vazhdim u luajt vetëm në gjysmëfushën e Laçit. Në të 20’, provoi edhe Pejiç, por as sulmuesi kroat nuk arriti të godiste saktë me kokë. Në minutën e 29-të u regjistrua një tjetër tentativë e Kukësit nga distanca, këtë herë provoi Zeqiri, por goditja e tij ishte krejtësisht e pasaktë. Tre minuta më pas u shënua edhe rasti më i mirë për Kukësin në pjesën e parë. Pasim perfekt i Lushtakut për Pejiç, por goditja e sulmuesit kroat përfundoi paksa mbi traversë. Në të 53’ provoi edhe braziliani Xheferson me një goditje nga një distancë e largët, por pa rrezik për portën e Mockës. Ritmi i lojës ra disi gjatë minutave në vazhdim.Gjithsesi në minutën e 66-të u regjistrua edhe rasti më flagrant për Kukësin. Pejiç, pasi kontrolloi shumë mirë një top midis disa lojtarëve të Laçit, ftoi në gjuajtje Yll Hoxhën, por goditja e fuqishme e lojtarit të verilindorëve mori përgjigjen fantastike të Shpëtim Moçkës, që e dërgoi topin në këndore. Vetëm pak sekonda më vonë Kukësi pretendoi për një penallti pas një kontakti të Yll Hoxhës me Olsi Teqjan, por kryesori Bardhyl Pashaj lejoi vazhdimin e lojës. Në të 70-tën pretendimet për 11-metërsh kaluan në krahun tjetër, teksa Laçi kërkoi një penallti për një prekje me dorë të Edon Hasanit, por vendimi i Pashajt për të vijuar lojën mori edhe kundërshtimin e Armando Cungut nga stoli. Deri në përfundim asgjë për të regjistruar dhe më pas 0-0
Skënderbeu dhe festa e ujqërve
Askush nuk mund ta parashikonte një 5-2 fitoren e korçarëve ndaj Partizanit. Serinë e golave për korçarët e ka hapur Lilaj në të 12’, që është pasuar nga Latifi në të 39’. Por kur Raçiç ka shënuar në fundin e pjesës së parë të gjithë shpresuan që të kuqtë do të mund të ndryshojnë situatën. Por Skënderbeu është i papërmbajtshëm. Shënon Berisha, Stojkov dhe në të 54’shifrat e rezultatit janë 4-1 për korçarët. Ka ngushtuar Raçiç, kurse Radas ka vulosur rezultatin përfundimtar 5-2 për Skënderbeun, që është kryesues i kampionatit
Deklaruan pas ndeshjes
A.Shaqiri (Trajneri i Kukësit) – “Jo nuk është e vërtetë që skuadra dha sinjale që nuk është e gatshme. Por ky është futbolli kur trepikëshin e çdo kush nuk e arrin qëllimin. Ndaj Laçit sulmuam për 95 minuta por nuk patëm saktësinë e duhur në finalizim. Nuk dua të flas për arbitrin, por disa vendime të tij ishin jo në favorin tonë”.
A.Cungu (Trajneri i Laçit) – “Unë nuk jam nisur për ti prishur punë asnjë ekipi aq më tepër Kukësit. Unë kam pasur gjithmonë respekt për këtë ekip dhe për këtë qytet i falenderoj me gjithë zemër tifozët e Kukësit, por ky është futbolli sot je pjesë e një skuadre neser mund të jesh pjesë e një tjetre. Nuk ishte aspak e lehtë për ne pasi mungesat bënë të vetën. Kukësi është një skuadër pretendente dhe na i vështirësoi shumë gjërat por barazimi ishte një rezultat i mirë për ne”.
B.Shkëmbi (Kapiteni i Skënderbeut) – “Ishte një ndeshje e vështirë. Ne e mendonim edhe më të vështirë kjo për shkak të mungesave që kishim por ia dolëm dhe për këtë jam i lumtur. Sot kemi sakrifikuar shumë për këtë ndeshje dhe në fund jemi shpërblyer me këtë fitore të madhe. Ekipi luajti i bashkuar ndaj dhe loja ishte aq e mirë. Përsa i përket dëmtimit tim kisha dhimbje para takimit ashtu si edhe në ndeshjen ndaj Kukësit, por bëra një gjilpërë për të qetësuar dhimbjet dhe më pas isha i gatshëm për të luajtur”
Sh.Duro (Trajneri i Partizanit) – “Ishte një ndeshje amatoreske, sidomos në aspektin mbrojtës. Skuadra gaboi në të gjitha aspektet dhe kjo është e pafalshme. Patëm një moment të mirë kur realizuam golin e parë, por përsëri gabuam. Nuk dua t’i heq meritat Skënderbeut pasi ishte dukshëm më lart, por unë dua të merrem më shumë me skuadrën time.Më vjen turp nga tifozët dhe ju kërkojmë falje. Kampionati nuk ka mbaruar ende dhe ne mbetemi në garë. Një gabim tjetër do të ishte fatal dhe do të na nxirte jashtë garës për titull”
Kategoria Superiore
Java e 30-të (12-13 prill 2015)
Apolonia – Flamurtari 2-1
Teuta – Elbasani 1-0
Tirana – Vllaznia 2-1
Kukësi – Laçi 0-0
Skënderbeu – Partizani 5-2
Renditja
Skuadra N F B H Golaverazhi P
Skënderbeu 30 19 6 5 48-16 63
Kukësi 30 19 5 6 47-20 62
Tirana 30 18 6 6 39-20 60
Partizani 30 18 5 7 33-21 59
Laçi 30 15 9 6 36-16 54
Flamurtari 30 9 7 14 24-28 34
Vllaznia 30 11 3 16 25-33 33
Teuta 30 8 2 20 26-44 26
Apolonia 30 5 4 21 11-47 19
Elbasani 30 4 1 25 15-59 13
Sigal