Teuta fut në krizë Flamurtarin

595
Sigal

As zëvendësimi urgjent i trajnerit Shkëlqim Muça me spanjollin Hulian Rubio nuk po i shëron vlonjatët

Një gol i realizuar nga sulmuesi kosovar, Isa Eminhazeri, në minutën e 90-të, i siguroi një fitore me shumë vlerë Teutës në suksesin 2-1 ndaj Flamurtarit, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 5-të të Kategorisë Superiore, pavarësisht se durrsakët luajtën nga minuta e 61-të me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq të Shetës (protesta ndaj gjyqtarit). Me humbjen në “Niko Dovana”, e dyta në pesë javët e para, Flamurtari është plotësisht në një spirale krize, aq sa zëvendësimi i ish-trajnerit Shkëlqim Muça me spanjollin Hulian Rubio (i vetmi i huaj në bankinat e Superligës) duket se nuk ka dhënë efektin e shumëpritur. Gjithsesi, Rubio ka marrë votëbesimin e presidentit Gjika. Kapiteni i Teutës, Arjan Sheta, shënoi në minutën e 16-të, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij, përpara se sulmuesi i njohur, Migen Memelli të barazonte shifrat në 1-1 në minutën e 60-të, me golin e tij të tretë sezonal pas atyre kundër Bylisit dhe Shkumbinit. Memelli pati një rast të artë për të kaluar në avantazh skuadrën e tij, por sulmuesi që ka luajtur në Norvegji, Suedi dhe Arabinë Saudite, nuk u tregua i saktë përpara portierit Rizvani në minutën e 78-të. Flamurtari, pas barazimit 1-1 me Shkumbinin në Vlorë, nuk arriti të reagojë ndaj Teutës, më durrsakët që tani e shohin veten në kuotën e 7 pikëve. Vlonjatët kanë shpenzuar shuma të mëdha në këtë sezon, duke investuar fuqishëm në repartin ofensiv, ku vetëm dy prej lojtarëve: Migen Memelli dhe Gjergji Muzaka, kanë nënshkruar kontrata që shkojnë deri në 10 milionë lekë secili, pa harruar pagesat për argjentinasin Soza, malazezin Rajoviç dhe kroatin Bratiç. Me gjashtë pikë më pak se dy bashkëkryesuesit e kampionatit, Skënderbeu dhe Tirana (të dy nga 11 pikë), dhe me vendin e 10-të në renditje, Flamurtari duket se po komprometon jo pak synimin për titull, pavarësisht se në lojë janë dhe 21 ndeshje. Të shtunën, Luftëtari fitoi 3-0 me Apoloninë (në Fier), Vllaznia fitoi 1-0 me Bylisin (në Ballsh), ndërsa Tirana barazoi 1-1 me Besën (në “Qemal Stafa”).

 LAÇI-KUKËSI 1-1

Kukësi mori një tjetër pikë të çmuar në transfertën e Laçit, duke barazuar 1-1 me kurbinasit. Për të theksuar është fakti se, portieri Argent Halilaj i debutuesve të Superligës pëson gol pas 439 minutash lojë në pesë javët e para, kur kroati Stipe Buljan realizoi në minutën e 79-të për Laçin, por një gol i realizuar nga pika e bardhë. Pas gjashtë minutash erdhi dhe goli i barazimit nga ana e Enco Malindit (85′), i cili ruajti ta paprishur shifrën zero në kolonën e humbjeve të Kukësit. Laçi i Stavri Nicës goditi edhe shtyllën.

 SHKUMBINI-KASTRIOTI 1-1

Shkumbini dhe Kastrioti ndanë nga një pikë, në barazimin 1-1, në ndeshjen e zhvilluar pa praninë e shikuesve në Peqin. Golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar, Roland Dervishi, i dha avantazhin Shkumbinit në minutën e 19-të, por peqinasit nuk arritën ta mbronin rezultatin, ashtu siç bënë dy javë më parë me Besën e Kavajës, kur fituan 1-0, po në Peqin. Golin e barazimit për Kastriotin e realizoi Karapici në minutën e 61-të. Për Shkumbinin e Kristaq Miles, të bazuar kryesisht në lojtarë të rinj, ky ishte rezultati i tretë pozitiv rresht.

 _________________________________________________________________________________________________

100 milionë lekë, por asnjë gol

Gjergji Muzaka ishte ndër lojtarët më të kërkuar në merkaton verore. Kampion i dyfishtë me Skënderbeun, por trofe edhe me Tiranën dhe Partizanin, ish-mesfushori i Partizanit pranoi ofertën e Flamurtarit, pas ofertës së bujshme prej 100 milionë lekësh të vjetër. Një shumë goxha e madhe për një futbollist të paguar nga një klub shqiptar. Deri tani, Muzaka ka qenë një ndër zhgënjimet më të mëdha të këtij sezoni, pasi mesfushori ofensiv nuk ka arritur të shënojë as golin e nderit me fanellën e Flamurtarit (me përjashtim të atij të shënuar në miqësoren me spanjollët e Seviljes).