Arjan Jaupllari: Në krye të Urdhrit të Mjekut Din Abazaj nuk përfaqësoi vetëm një institucion; përfaqësoi dinjitetin e një profesioni të tërë

Nga Arjan Jaupllari

Sot u gdhimë rreth teje, të mbuluar me lule të bardha, por as bardhësia e tyre nuk mund të krahasohej me bardhësinë e shpirtit tënd, tashmë në trupin pa frymë!
Iku një burrë i madh i Tropojës.
Na la një model i rrallë njeriu, tek i cili ishin mishëruar aq natyrshëm virtytet më të bukura njerëzore: mirësia dhe dashuria, besnikëria dhe ndershmëria, thjeshtësia dhe modestia, mençuria dhe urtësia, bujaria dhe fisnikëria.
Din Abazaj ishte nga ata njerëz që nuk kishin nevojë të flisnin për veten për t’u bërë të mëdhenj. Madhështinë e kishte në mënyrën si jetonte, si sillej, si i qëndronte pranë tjetrit, si e respektonte mikun dhe si i shërbente njeriut. I qetë në fjalë, i palëkundur në miqësi, i drejtë në qëndrime dhe zemërgjerë në çdo marrëdhënie.
Sot nuk u nda nga ne vetëm një mjek e një profesionist i nderuar. U nda një Njeri, në kuptimin më të plotë dhe më fisnik të kësaj fjale.
Si mjek, Din Abazaj i përkiste atij brezi profesionistësh për të cilët mjekësia nuk ishte thjesht profesion, por mision. Dija dhe përvoja e tij shkonin gjithmonë bashkë me përgjegjshmërinë, etikën, humanizmin dhe respektin e thellë për jetën dhe dinjitetin e pacientit. Ai dinte të dëgjonte, të kuptonte, të qetësonte e të jepte shpresë. Për të, përballë bluzës së bardhë nuk ishte kurrë thjesht një diagnozë apo një kartelë – ishte një njeri që kishte nevojë për dijen, kujdesin dhe fjalën e mjekut.
Dhe pikërisht këto cilësi e shoqëruan edhe si drejtues. Nga Klinika e Udhëheqjes, në përgjegjësitë e larta shtetërore si zëvendësministër i Shëndetësisë, e deri te drejtimi për disa mandate i Urdhrit të Mjekut, Din Abazaj mbeti po ai: i matur në vendimmarrje, i urtë në komunikim, i drejtë në gjykim, parimor pa qenë përjashtues dhe autoritar vetëm përmes dijes, integritetit dhe shembullit personal.
Në krye të Urdhrit të Mjekut ai nuk përfaqësoi vetëm një institucion; përfaqësoi dinjitetin e një profesioni të tërë. Mbrojti etikën dhe figurën e mjekut, por mbi të gjitha përgjegjësinë e mjekut ndaj pacientit dhe shoqërisë. Respekti që fitoi ndër vite nuk erdhi nga funksionet që mbajti, por nga mënyra se si i ushtroi ato.
Prandaj, edhe kur mandatet përfunduan, lidhja e tij me Urdhrin dhe komunitetin mjekësor nuk mund të përfundonte. Ai mbeti President Nderi deri në çastin kur mbylli sytë, një titull që nuk ishte thjesht nderim institucional, por mirënjohje për një jetë të tërë në shërbim të mjekësisë, kolegëve dhe njerëzve.
Për mua, ikja e Din Abazajt ka edhe një dhimbje thellësisht personale. Sepse përtej mjekut dhe drejtuesit, humba një mik të çmuar, një bashkëpunëtor të rrallë dhe një njeri që më qëndroi pranë në momente të rëndësishme të rrugëtimit tim profesional.
Nuk mund ta harroj kurrë ndihmën e tij të pakursyer në ngritjen, funksionimin dhe konsolidimin e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë. Në ato vite të para, kur po ndërtonim nga themelet një institucion të ri profesional, unë, si Presidenti i parë i tij, gjeta te Dini jo vetëm mbështetjen e Presidentit të Urdhrit të Mjekut, por përvojën, këshillën e mençur dhe dorën e zgjatur të një miku. Ai nuk e kurseu asnjëherë dijen dhe eksperiencën e tij për të na ndihmuar që edhe profesioni i farmacistit të kishte institucionin, zërin dhe dinjitetin që meritonte.
Bashkëpunimi ynë mori një tjetër dimension gjatë viteve të gjata kur shërbyem së bashku si anëtarë të Bordit të Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Aty, së bashku edhe me drejtoren e nderuar Hana, ndamë shumë debate, vendimmarrje dhe përgjegjësi, por thuajse gjithmonë bashkuam mendimin rreth një parimi të vetëm: interesi i pacientit dhe interesi publik duhet të qëndronin mbi gjithçka tjetër.
Nuk na bashkonte politika, nuk na bashkonte ndonjë interes personal dhe aq më pak interesa të pandershme, nga ato që fatkeqësisht dëgjojmë kaq shpesh sot. Na bashkonte profesionalizmi, përgjegjësia dhe bindja se çdo qindarkë e parave publike të shëndetësisë duhej administruar me ndershmëri, sepse pas saj qëndronte një pacient, një i sëmurë, një familje që kishte nevojë për kujdes dhe mbështetje.
Sot, kur kthehem pas në ato vite, ndihem krenar që pata privilegjin të punoja krah Din Abazajt. Mund të kemi diskutuar, mund të kemi pasur këndvështrime të ndryshme, por në fund gjithmonë gjenim gjuhën e profesionalizmit dhe të arsyes. Sepse për Dinin, funksioni publik nuk ishte privilegj. Ishte përgjegjësi, ishte shërbim dhe, mbi të gjitha, ishte besim që nuk duhej tradhtuar.
Por përtej gjithë këtyre viteve të punës dhe përgjegjësive të përbashkëta, ishte miku Din ai që do të më mungojë më shumë.
Kishim një diferencë të madhe në moshë, por çuditërisht, sa herë e takoja, largohesha prej tij më i freskët, më i qetë, më i pasur në mendime. Dini kishte një dhunti të rrallë: ai të rinonte.
Të rinonte me mendjen e tij gjithmonë të kthjellët, me shpirtin e hapur, me kuriozitetin për jetën, me humorin, me fjalën e mençur dhe me atë optimizëm të qetë që vetëm njerëzit që e kanë jetuar jetën me mirësi dinë t’ua përcjellin të tjerëve.
Vitet kalonin mbi të, por sikur nuk arrinin t’ia plaknin shpirtin.
Në çdo takim gjeje po atë Din: të kthjellët, të interesuar për gjithçka që ndodhte, të gatshëm për të dëgjuar, për të dhënë një mendim, një këshillë, ndonjëherë edhe një batutë që ta ndryshonte krejt atmosferën. Nuk të fliste nga lartësia e viteve dhe e funksioneve që kishte mbajtur. Të fliste si mik.
Dhe ndoshta kjo është ajo që më dhemb më shumë sot: mendimi se nuk do ta kem më atë takim. Nuk do ta dëgjoj më atë zë, nuk do ta pres më atë fjalë të matur dhe nuk do të largohem më prej tij me atë ndjesinë e çuditshme se, pasi kisha takuar një njeri shumë më të madh në moshë se unë, isha unë ai që ndihesha më i ri.
Sepse ka njerëz që të marrin energji dhe ka njerëz që të japin jetë.
Din Abazaj ishte nga ata njerëz që të jepnin jetë.
Sot, miku im, ne që të deshëm dhe patëm fatin të të kishim pranë, duhet të mësohemi me mungesën tënde. Por do të jetë e vështirë të mësohemi me një mungesë që ka lënë pas kaq shumë kujtime.
Do të na mungojë mjeku.
Do të na mungojë profesionisti.
Do të na mungojë drejtuesi.
Do të na mungojë këshilla jote.
Por mbi të gjitha, do të na mungojë Njeriu dhe miku Din.
Tropoja humbi një nga burrat e saj të mirë. Mjekësia shqiptare humbi një nga figurat e saj të nderuara. Ne humbëm një mik. Familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë.
Por ti le pas diçka që vdekja nuk e merr dot: emrin e mirë, respektin, veprën, miqtë dhe kujtimin e një jete të jetuar me dinjitet.
Sot u gdhimë rreth teje, mes luleve të bardha.
Nesër lulet do të vyshken.
Por bardhësia e shpirtit tënd do të mbetet në kujtesën tonë.
Dhe në këtë dhimbje të madhe ka një mendim që, sado pak, dua ta kthej në ngushëllim.
Jeta të vuri përballë edhe dhimbjes më të rëndë që mund të përballojë një prind. Para disa vitesh, sëmundja të mori vajzën tënde të shtrenjtë, Luzhin. Një plagë që e mbajte brenda vetes me atë dinjitet dhe forcë që të karakterizonte, por që e dinim se nuk u mbyll kurrë.
Ndoshta sot, ndërsa ne po të përcjellim me lot, ti po shkon drejt saj.
Dua të të përfytyroj kështu, miku im: jo duke u larguar vetëm prej nesh, por duke shkuar drejt Luzhit tënd, drejt vajzës që të mungoi aq shumë, drejt atij përqafimi që një baba e kishte pritur prej vitesh.
Dhe ndoshta, diku përtej asaj që ne mund të shohim e të kuptojmë, babë e bijë janë përsëri bashkë.
Ky mendim ma bën lamtumirën edhe më të dhimbshme, por njëkohësisht pak më të lehtë.
Shko i qetë, Din!
Shko tek Luzhi yt.
Ne do të të mbajmë këtu, në kujtimet tona, në mirënjohjen tonë dhe në atë pjesë të jetës sonë ku kanë vend vetëm njerëzit që nuk harrohen.
Lamtumirë, miku im Din!
U prehsh në paqe, pranë vajzës tënde të shtrenjtë!
I paharruar qoftë kujtimi yt!

Sigal