Edmond Kodra: Besa është pretendente, e projektuar për Superiore

KATEGORIA E PARË/ Këndvështrim teknik i javës së dytë nga ish-sulmuesi kavajas Edmond Kodra

Nga Agron KAJA

Sigal

Java e dytë e Kategorisë së Parë 2026-2027 nisi me një barazim në Vlorë, aty ku mendohej se Flamurtari vendas do të ishte superior ndaj Burrelit udhëtues. Ndërkohë që në ndeshjet e tjera, veçohen tre fitoret në transfertë, ku ajo e Besës me Sopotin në Librazhd 0-4, mbetet një trokitje e kësaj skuadre si pretendente e ndërtuar për tu ngjitur në Superiore. Me këtë mendim është edhe Edmond Kodra, ish sulmues i skuadrës kavajase, i cili e shikon si një skuadër e projektuar për ngjitjen në Superiore. “Kampionati në Kategorinë e Parë ka nisur si një garë e luftuar, edhe me problematika që janë pjesë e garës. Edhe Besa e ka nisur mirë në dy ndeshjet e para, dhe si zakonisht, edhe këtë sezon është e projektuar për Superiore. Por këtë sezon ta mendojë më pozitivisht, sepse me kujdesin e Presidentit Bizhdili, bashkëpunimin e përkrahjen e Bashkisë dhe lojtarët që ka në dispozicion, mbetet favorite. Pse jo, edhe formula e këtij sezoni mbetet një shanc për ngjitjen direkte, edhe pse do të ketë rivale skuadra të forta, si Flamurtari, Pogradeci apo edhe Bylisi”, kështu e nisi dje bisedën ish-goleadori kavajas, i cili për dy javët e para mendon se ende skuadrat nuk kanë treguar vlerat e tyre më të mira. “Është shpejt, sepse janë luajtur vetëm dy javë për të thënë se me rezultatet e arritura, cilat skuadra ngjiten e cilat rrezikojnë. Në dy javë ka patur edhe probleme që nuk duhen diskutuar, pasi këtu fillon serioziteti i klubeve që organizojnë ndeshjet dhe nuk kanë ambulancën në gatishmëri, apo edhe zjarrfiksen”. Java e 3-të luhet ditën e mërkurë 16 shtator dhe Besa pret Orikun, por të gjitha specialisti Kodra i mendon ndeshje interesante dhe të vështira. “Edhe Besa me Orikun nuk besoj se do ta ketë të lehtë, edhe pse është favorite e padiskutueshme për të fituar. Nuk mendoj se do ketë surpriza, është vetëm fillimi, dhe një kalendar i tillë i ngjeshur nuk përbën ndonjë problem për skuadrat”, ishte kjo biseda me Edmond Kodrën ish-sulmues i Besës dhe i Partizanit. Ndeshjet e javës së 3-të luhen të mërkurën, dhe të gjitha nisin në orën 16:00.

KOMENT

“Turbulencat” e Kategorisë së Parë në dy javë!

Alo, alo ambulanca, Alo 128-ta,ku jeni?! Na duhen ambulanca dhe zjarrfiksja në stadiumin, duhet të nisë ndeshja!

Kjo është një përmbledhje, e cila sjell figurativisht situatën problematike në dy javët e para të kampionatit në Kategorinë e Parë, nisur kryesisht nga disa situata të veçanta që kanë ndodhur në 180 minutat e para të këtij kampionati. Duke i quajtur “Turbulenca”, po mundohem të qartësoj atë çka janë në thelb këto situata. Ato lidhen me dy dukuri, që nga neglizhenca apo papërgjegjshmëria institucionale bëhen qesharake kur i shikon, i dëgjon dhe i lexon. Në javën e parë, në ndeshjen Iliria-Pogradeci 1-1 mungonte zjarrfiksja, një detyrim në Rregulloren e garës i pa nënvleftësueshëm. Mos harrojmë në këtë javë edhe dhunën që u ushtrua në sfidën Burreli-Kastrioti 2-2, ndërkohë që në javën e dytë nuk ka ambulancë në Orikum në ndeshjen Oriku-Bylis, 1-2! Po mirë zyrtarët e klubit, po të dërguarit e FSHF-së që duhet të shkojnë 1-2 orë më parë në stadium, nuk i kapin këto mangësi?! Dhe për ta mbyllur: Sa i nevojiten këto “turbulenca” mbarëvajtjes së garës? Përgjigja mbetet në skrivanitë e FSHF-së dhe të klubeve, të cilët janë pjesë e kësaj gare, si zbatues dhe përgjegjës.

Bankina e Besëlidhjes “bosh”, thyen “rekordin” e kampionatit

Pas humbjes 1-2 në javën e dytë ndaj Korabit, trajneri Elvis Plori ka dhënë dorëheqien nga stoli i Besëlidhjes, e cila është pranuar edhe nga drejtuesit e klubit. Ky është një rekord për Kategorinë e Parë, kur një trajner largohet pas 180 minutave drejtimi. Kanë kaluar 48 orë nga dorëheqia dhe ende nuk ka një emër të ri në bankinën lezhjane, ndërsa janë lakuar emrat e Gerd Haxhiut dhe e Mirel Josës. Të mërkurën Besëlidhja luan në transfertë ndaj Bylisit në Ballsh.

KATEGORIA E PARË

 SEZONI 2026-2027

    Kampionati i 79-të

(5 shtator 2026 – 2 maj 2027)

Ndeshjet – Java 3    

E mërkurë, 16 shtator 2026

Kukësi-Pogradeci           16:00

Korabi-Iliria                   16:00

Bylis-Besëlidhja             16:00

Besa-Oriku                     16:00

Burreli-Sopoti                16:00

Kastrioti-Flamurtari        16:00

RENDITJA   

Skuadrat             Nd     P

1.Korabi               2        6

2.Besa                  2        4

3.Iliria                  2        4

4.Bylis                  2        4

5.Pogradeci           2        4

6.Kukësi               2        3

7.Flamurtari          2        2

8.Burreli               2        2

9.Kastrioti            2        1

10.Sopoti              2        1

11.Oriku               2        0

12.Besëlidhja        2        0

 

Besa “zonja” e javës së 2-të, e ndjek Korabi

Me përfundimin e javës së 2-të të Kategorisë së Parë, trajnerët e ekipeve kombëtare kanë përzgjedhur edhe 11-shen më e kësaj jave, sipas formacionit 1-4-2-3-1. Në portë, gardiani i Besës, Abdullahu. Në mbrojtje: Duka (Korabi), Selmani (Iliria), Abudali (Besa), Pjeshka (Flamurtari); Në mesfushë P. Marku (Bylis), Okoli (Pogradeci); Në sulm Hoti (Burreli), Latif (Iliria), T. Marku (Korabi). Sulmues kryesor: Ruzgis (Besa). Trajneri i javës, Gugash Magani, Besa.