Duro: Mezanit i uroj suksese pas ndeshjes së sotme, s’na favorizon fusha asnjëanëse

550
Shpëtim Duro nuk beson se sot e favorizon faktori fushë, pra mosluajtja e ndeshjes në Laç, por në Krujë. Në konferencën e djeshme të dhënë për mediat, trajneri Duro tha se ky kampionat ka ekuilibër, mund të humbasësh pikë në fushën tënde dhe të marrësh pikë jashtë fushe. Ndeshja me Laçin, sipas Duros, ka specifikën e vet.
“Kalendari është i tillë që kemi dy ndeshje në transfertë. Pas Shkodrës, tani luajmë edhe me Laçin. Pra, është një kalendar i ngjeshur, ku brenda tri ditësh luajmë dy ndeshje. Ato që kam thënë për Vllazninë, them edhe për Laçin. Çdo javë dhe çdo ndeshje kanë specifikën e tyre. Ndeshja me Laçin është në vazhdim të kampionatit dhe ka rëndësinë e saj. Fakti që ndeshja nuk luhet në Laç, por në Krujë, nuk është asnjë favor për ne. Po del fjala ime tani, që kam thënë qysh në fillim që kampionati do të ketë ekuilibër. Mund të humbasësh pikë në fushën tënde dhe të marrësh pikë jashtë fushe dhe në këtë aspekt nuk ka asnjë favor. Është ndeshje për t’u luajtur nga të dyja skuadrat dhe nuk është favor për ne kjo gjë. Në këto kushte, neve na mbetet që të japim maksimumin në këtë takim të radhës dhe shumë të rëndësishëm”, tha fillimisht Duro.
PËR MEZANIN
Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, i ka uruar suksese trajnerit vlonjat të Laçit, Gentjan Mezani, por jo në ndeshjen e sotme. Duro e falënderon Mezanin edhe për iniciativën për drejtimin e Laçit.

“Unë patjetër që Mezanit i uroj suksese. E falënderoj për iniciativën që mori për drejtimin e Laçit. Patjetër që i uroj suksese, por jo në këtë ndeshje. Ndoshta suksese të ketë për ndeshjet në vazhdim”, është shprehur Duro. I pyetur për faktin se Laçi i ka hapur gjithmonë probleme Flamurtarit më shumë në Vlorë dhe më pak në transfertë, Duro tha se kjo gjë nuk përbën problem për të. Duro tha se me Laçin ka pasur fat kur ka drejtuar skuadra të tjera përpara se të merrte Flamurtarin. “Normalisht nuk e di historikun e Flamurtarit me Laçin, por mua personalisht më ka ecur me Laçin me skuadrat që kam drejtuar”, u shpreh Duro.
Sigal