Ndriçim Kashami: Besa e ka kohën për Superiore, është në pikën e duhur për elitë 

KATEGORIA E PARË/ Ish-futbollisti dhe trajneri kavajas, Ndriçim Kashami, analizon situatën dhe pritshmëritë

Agron KAJA

Agron Kaja

Specialisti i futbollit Ndriçim Kashami, nuk ka munguar me reagimet e tij për situatën e skuadrës kavajase, madje edhe me tone kritike për humbjen e mundësisë për ngjitjen në Superiore në sezonin e kaluar. Edhe dje për gazetën “Telegraf”, ish-futbollisti e trajneri kavajas u shpres se në këtë sezon duhet një Besë më e qartë nga i kaluari. “Nga përgatitjet që ka bërë dhe merkaton e këtij sezoni të ri, shoh se Besa duket më e qartë nga sezoni i kaluar. Sepse së pari, ka bërë merkato më të mirë nga viti i kaluar dhe duket më shumë përcaktuese për titullin. Këtë merkato e mendoj se është cilësore, kur kujtoj brazilianin Uilliam Kordeiro Melo dhe shkodranin Edon Hasani, të cilët në Superiore kanë fituar tituj e trofe. Ky mendoj se duhet të jetë hapi i parë me përforcimet, sepse deri në fundin e muajit gusht tregu është i hapur, dhe trajnerët Emiliano Çela e Bekim Kuli do ti kenë bërë projektet për emra të tjerë”, kështu e nisi dje bisedën Ndriçim Kashami, ish-futbollist dhe ish-trajner i Besës, i cili më pas u shpreh se tashmë koha e Besës për tu ngjitur në elitë ka ardhur. “Unë mendoj se skuadra e Besës e ka kohën për të kaluar në Superiore, sepse kështu duket që është në pikën e duhur për elitë. Në programin e këtyre ditëve përgatitore, shoh se dy trajnerët, Emialiano Çela e Bekim Kuli kanë shumë përkushtim dhe përgjegjshmëri profesionale. Natyrshëm që në programet e tyre kanë zënë vënd edhe projektet për emra të tjerë lojtarësh,. Tashmë në program është duke u përdorur më shumë rritje e gjëndjes fizike të skuadrës, dhe më vonë do kalohet në atë speciale, e korrodinuar edhe me miqësore që janë shumë të domosdoshme në këtë hapësirë përgatitore”. Kategorinë e Parë të këtij sezoni, specialisti i futbollit Ndriçim Kashami e vlerëson jo vetëm nga emrat e skuadrave që ka në përbërjen e saj, por edhe nga angazhimi që pjesa më e madhe e tyre po tregon në këto përgatitje. “Nëse i referohemi emrave të skuadrave që përbëjnë 12-en e këtij sezoni në Kategorinë e Parë, pse të mos themi se po i afrohet elitës në futbollin tonë. Kështu duket një kampionat më shumë motivues dhe i fortë, duke i mbajtur skuadrat në tensionin e garës deri në fundin e saj. Është një përbërje me ekipe ambicioze, me përvojë edhe në Superiore, të cilët në këtë sezon të ri besoj se do të tregojnë më shumë ambicie për në Superiore”, kështu e mbylli dje bisedën specialisti i futbollit Ndriçim Kashami.

NOA

SKUADRAT SHQIPTARE NË EUROPË

LIGA E KAMPIONEVE

Ndeshje historike në Rrogozhinë, pritet dyndje tifozësh në stadium

E martë, datë 8 korrik 2025

EGNATIA-BREIDABLIK  21:00

Ndeshja e Ligës së Kampioneve, Egnatia-Breidablik (Islandë) do të luhet ditën e martë, datë 8 korrik 2025 në stadiumin “Arena Egnatia” të Rrogozhinës, me kapacitet zyrtar 4.000 shikues. Do të jetë një ndeshje historike kjo, pasi është zyrtarisht e para ndërkombëtare që luhet në këtë stadium, pikërisht në kuadrin e Ligës së Konferencës. Pas mbylljes së sezonit të kaluar që Egnatia u shpall kampione e Superiores, në skuadër ka patur lëvizje të shumta, me largime dhe afrime. Pritet dyndje tifozësh të Egnatias, të cilët kanë patur interesim të madh për bileta në sfidën ndaj ndaj Breidablikut. Klubi rrogozhinas u bën thirrje të gjithë tifozëve që të mos e shmangin mungesën e tyre në një sfidë kaq të rëndësishme për skuadrën. Trajneri Tetova ka besim te titullarët, me Selmanin forcë të re në sulm.

KONFERENCË LIGË

Trajneri Gega ka besim se do ja dalin: Partizani është solid

E enjte, datë 10 korrik 2025

KALJU-PARTIZANI          18:45

Ndeshja e Konferencë Ligë, Kalju-Partizani, do të luhet ditën e enjte datë 10 korrik, në ora 18:45 në stadiumin “Kadirov” të kryeqytetit estonez Talin, me kapacitet zyrtar 4750 shikues. Pas disa javëve përgatitje në Ohër të Maqedonisë së Veriut, skuadra e kuqe është kthyer në kryeqytet, ku trajneri Skënder Gega duket se po i jep dorën e fundit përgatitjeve për sfidën estoneze. Gegës do ti duhet edhe të eksperimentojë, duke menduar që janë larguar mesfushorët Shala, Taipi dhe Mintongo, ndërsa në miqësore janë aktivizuar Sembene dhe Malaj, por edhe Kote,  Mehmeti, Shanaj dhe Vata, janë “veteranët” e mesfushës. Ardhja e Skukës e ka forcuar sulmin, dhe trajneri Gega ka besim se janë shanset që t’ia dalin ndaj Kalju. “Po ndërtojmë një Partizan solid. Në Estoni për maksimumin, do t’ia dalim”.

KONFERENCË LIGË

Trajneri Martini, gati prurjen e pestë për formacionin

E enjte, datë 10 korrik 2025

VLLAZNIA- DAUGAVPILS          20:00

Ndeshja e Konferencë Ligë,Vllaznia-Daugavpils (Letoni), do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” me kapacitet zyrtar 12.800 shikues. Me një trajner të ri, por autokton shkodran, Edi Martin, skuadra kuqeblu i ka nisur përgatitjet kundër letonezëve me forca serioze më pak, si Ildi Gruda dhe Medi Çoba, por edhe me dyshimin e portierit Qarri të dëmtuar në miqësoren me Olimpian e Lubjanës. Në merkato janë pesë të afruar: Kruja, Hakaj, Kuros, Jazxhi dhe Gjini, me emra që garantojnë ecuri në garën sezonale, jo vetëm në Europë. Vllaznia luan të enjten me besimin e kualifikimit, dhe këtu vendimtar do jetë edhe kapiteni Bekim Balaj, i cili ka qenë figura kryesore te Vllaznia, dhe pritet që ta udhëheqë skuadrën edhe në sezonin e ri. Trajneri Edi Martini mbetet i “qetësuar” me gjëndjen e mirë fizike në skuadër.

 

Dy trajnerë të rinj, Ndreu e Nikaj gjejnë bankinë të re

Duke e fokusuar kryesisht te bankinat e këtij sezoni në Kategorinë e Parë, vetëm në fundjavë janë zyrtarizuar dy të tilla. Samuel Nikaj te Burreli dhe Ramadan Ndreu në stolin e Kastriotit, do të jenë pjesë e garës në këtë kategori, e cila e nis sezonin e ri më 23 gusht 2025. Te Burreli drejtoi Ditmar Bicaj, sot i përfolur edhe te bankina e Tiranës në Superiore, ndërsa te Kastrioti, Klevis Hima ishte ai që i shpëtoi krutanët nga rënia në Kategorinë e Dytë.

Nga Brazili e Venezuela-në Pogradec, dy përforcime të reja

Skuadra e Pogradecit e ka shpallur objektivin për sezonin e ri, që ditën e parë kur zbritën në fushë dhe nisën përgatitjet për sezonin e ri 2025-2026. Kështu, dje skuadra e Pogradecit ka zyrtarizuar dy përforcime, të cilat pritet të sjellin cilësi dhe eksperiencë në skuadrën pogradecare. Bëhet fjalë për mesfushorin brazilian Uillian Henrique dos Santos 26 vjeç, dhe sulmuesin 20 vjeçar nga Venezuela, Santiago Alfonso Rodriguez Pacheko. Duken përforcime me vlera për repartin e avancuar.

Kapiteni Ajazi largohet nga Kastrioti me falenderime

Pas afrimit të Ramadan Ndreut në bankinë, dje skuadra e Kastriotit është përballur me të kundërtën, pasi u largua kapiteni Spartak Ajazi. Madje këtë largim të tij është publikuar në rrjetet sociale, ku vetë kapiteni ka falenderime e mirënjohje për gjithçka kaloi së bashku në sezonin jo të mirë për të gjithë. Kujtojmë se sulmuesi Spartak Ajazi la Elbasanin në verën e kaluar për t’u kthyer te Kastrioti, por eksperienca me krutanët ishte këtë herë ishte e vështirë ku u rrezikua  mbijetesa.