Çiraku në 360 gradë për notin: Ne, sporti i rekordeve

528
Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, të shtunën në mëngjes ka qenë i ftuar në emisionin “Ditë e Re Uikend”në kanalin televiziv Ora Neës. Në emisionin e drejtuar nga gazetari sportiv, Gerti Çarçani, Çiraku ka folur për të gjitha problemet që lidhen me notin. Numri në rritje i fëmijëve, apo dhe i prindërve, numri i madh i rekordeve kombëtare të thyera në aktivitete, pjesëmarrja në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare e bëjnë Çirakun të mendoj që noti sot është numri një i sporteve në vend. Sigurisht që noti ka ardhur duke u rilindur, ndërsa pas viteve 1990, gjithnjë sipas tij, ka pasur dhe një rrënim të këtij sporti. Mirëpo afrimi i biznesit, apo dhe ngritja e pishinave dimërore duket se e ka ndryshuar dhe rritur dëshirën e të gjithëve për t’u marrë me not. Në idenë e tij, i pari i notit shqiptar kërkon që Bashkitë të merren më tepër me pishinat. Dhe për gjithçka që lidhet me dëshirën e tij si dinamovit, apo dhe me të marrurit me sport, Agim Çiraku si president i Federatës Shqiptare të Notit ka dhënë këtë intervistë për Ora Neës në emisionin e mëngjesit, që ka zgjatur për më shumë se 30 minuta. Dhe gazeta “Telegraf” po e boton të plotë atë.
– Sporti i notit po njeh një masivizim në rritje, ndoshta për një sport ende të panjohur mirë. A është vetëm pasioni e mban gjallë sot notin?
– Pasioni i fëmijëve vjen në rritje, por vjen në rritje dhe pasioni i prindërve. Pjesëmarrja e fëmijëve në Federatën Shqiptare të Notit nga viti në vit ka ardhur në rritje. Edhe në garat e notit që ne bëmë para disa javësh tek “Te Stela”, numri Iifëmijëve ishte në rritje dhe në analizën e punës që ne bëmë për vitin 2013-2014 na rezultoi që gati 20 përqind e fëmijëve janë rritur si pasojë e pjesëmarrjes në garave dimërore. Dhe kjo ishte e dukshme dhe në garat dimërore. 
– Duket sikur ka një farë hapjeje në sportin e notit, ka një lloj politike që të marrë pjesë kushdo në këtë sport?
– Jo nuk merr pjesë kushdo. Në garat e notit marrin pjesë ato notarë që e meritojnë. Ka norma pjesëmarrjeje që notari duhet të marrë pjesë në këto gara. Gjithmonë bëhen gara kontrolli dhe ato notarë, të cilët arrijnë kohën e pjesëmarrjes, duke futur këtu dhe fëmijët, janë pjesëmarrës në kampionat. Por numri i notarëve, ashtu sikurse thash dhe më përpara, vjen gjithnjë në rritje. Dhe tani ne kemi filluar t’i seleksionojmë notarët më të mirë, sepse pjesëmarrja është shumë e madhe.
– Nëse mund të bëjmë një numër total në rang kombëtar sa e frekuentojnë këtë sport?
– Për fëmijë në garat dimërorë shifra ishte në rritje krahasuar me vitin e kaluar. Megjithëse me të thënë të drejtën nuk ishin të gjithë anëtarët që ne kemi në Federatën Shqiptare të Notit, pasi garat dimërorë kanë të bëjnë me faktin që notarët duhet të jenë të stërvitur në pishina të mbyllura. Dhe këtë shans e kanë në përgjithësi Durrësi dhe Tirana. Dhe sado që numri i skuadrave ishte i cunguar, ndërsa ekipe si Saranda, Vlora, Lezha dhe Shkodra nuk morën pjesë, sepse ato nuk kanë pishina të mbyllura dhe nuk ishin të përgatitur për këtë lloj aktiviteti, përsëri kishte rritje. Për fëmijë pjesëmarrja ishte gati 200 fëmijë konkurrues, kurse për të rritur ishin 100-120 konkurrent.
– Dhe shifrat ju lëvizin nga viti në vit…
– Natyrisht vijnë duke u rritur, pjesëmarrja vjen duke u rritur, por fenomeni më cilësor dhe më i bukur që unë vë re tek Federata Shqiptare e Notit, apo dhe sporti i notit, është rekordet kombëtare, të cilat thyhen në të gjitha llojet e garave që ne bëjmë. Dhe e vërteta është se thyhen shumë rekorde kombëtare.
– Thyhen rekorde kombëtare dhe vlejnë për brenda vendit, ndoshta këtë shpërthim duhet të kenë dhe për jashtë. Jemi pak në distancë?
– E vërteta është se rekordet kombëtare që ne kemi janë rekorde kombëtare brenda për brenda vendit. Sporti i notit pati një periudhë që pothuajse nuk ekzistoi fare, sidomos pas 1990, sepse edhe kushtet e këtij sporti janë të atilla që duan pishina. Pas viteve 1990 pati 6-7 vjet që pothuajse mbijetoi sporti i notit nga dëshira e shumë trajnerëve për të mbajtur ekipet e notit. Dhe më pas një zbehje të këtij sporti. Këto dhjetë vjetët e fundit, ose më mirë me thënë këto pesë vjetët e fundit, kur investitorët shqiptar kanë investuar në këto pishina dimërore, sporti i notit ka filluar të marrë vlerat e veta që i ka pasur para viteve 1990. Ne sot mund të themi që sporti i notit ka bërë masivizimin e duhur dhe tani jemi drejt cilësisë në mënyrë që këto rekorde kombëtare të mos vlejnë vetëm për brenda Shqipërisë, por të jenë dhe kohë të mirë, kohë pjesëmarrjeje për aktivitetet botërore që zhvillohen në sportin e notit.
– Në aktivitetet ndërkombëtare ju jeni të pranishëm?
– Natyrisht që jemi, madje në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare. Por ndryshimi është që ne nuk shkojmë me kohët tona të kapura, sepse atje ka kohë pjesëmarrjeje. Që do të thotë se kush kap normën e pjesëmarrjes shkon vetë. Ne jemi me ftesë të Federatës Botërore.
– Vetëm po ju bënë ftesë dhe asgjë tjetër…
– Jo po na bënë ftesë, por na bëjnë ftesë tek të gjitha llojet e garave që ata bëjnë
– Do të jeni prezent edhe në Lojërat Olimpike Evropiane të Bakusë?
– Edhe atje do të shkojmë dhe në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare. Madje do të jemi dhe jemi në kampionatet lokale që zhvillohen në Ballkan si në Kroaci, Greqi, Malin e Zi, në Bosnje-Hercegovinë. Një pjesë e mirë e notarëve shqiptarë marrin pjesë në këtë aktivitet.
– Megjithatë mbështetja e buxhetit të Federatës mbetet në nivele jo të pëlqyeshme, mirëpo nuk është vetëm shqetësimi juaj, por i çdo presidenti federate…
– Shiko në të gjitha llojet e Federatave në Shqipëri nuk besoj se do të ketë ndonjë të kënaqur me përjashtim të futbollit, që menaxhohet vetë. Të gjitha të tjerët i kanë sytë nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit. Ministria me aq mundësi sa ka, sepse besoj se edhe ajo vepron brenda mundësive të veta, na krijon shansin që të zhvillojmë normal të paktën të gjitha garat që kemi në Shqipëri. Dhe ne me atë fond që na jep Ministria i mbulojmë garat kombëtare dhe i bëjmë aktivitetet tona.
– Sepse gjykoj unë që edhe kjo ndarje buxhetore është si një lloj rakingu, klasifikimi, pasi nëse të lëvizin shifrat e masivizimit si Federatë duhet të lëvizin dhe shifrat e buxhetit…
– Nuk e di nga se nisen, çfarë parametrash kanë në Ministri për të vlerësuar një federatë, por ashtu siç përmenda dhe pak më përpara unë di të them vetëm një fakt që ne në çdo garë thyejmë mbi 20 rekorde kombëtare. Nuk ma ha mendja që në një sport individual, siç është noti, në çdo garë të thyen 20 rekorde kombëtare. Po marrë p.sh atletikën, pa ma marrë për ters presidenti i saj, nuk besoj që në çdo garë që bën, apo aktivitet që merr pjesë, të thyejë mbi 20 rekorde kombëtare. Ne në kampionatin kombëtar të fëmijëve, që u zhvillua para 2-3 javësh, thyem 31 rekorde kombëtare. Kurse në kampionatin e të rinjve dhe të rriturve, që u zhvillua më pas, u thyhen 29 rekorde. Pra brenda dy javësh janë thyer 60 rekorde kombëtare. 
– Ndihmoheni dhe me bursë nga Komiteti Olimpik. A ekziston mundësia që ajo bursë të ndahet mes dy-tre elementëve, apo ta marrë vetëm njëri?
– Bursa e dhënë nga Komiteti Olimpik nuk ka mundësi dhe shans të ndahet mes dy-tre sportistëve. Atë duhet t’ia japësh një sportisti që ne e mendojmë se e meriton dhe është me perspektivë. Normalisht ne ia dhamë Franc Aleksit, teksa u nisëm nga dy kritere që ai notar të jetë në Shqipëri dhe të jetë ndër më të mirët. Për hir të së vërtetës duhet të pranojmë se patëm dhe dy notar që ishim më përpara se Franc Aleksi, të paktën me pikë olimpike. Por të dy këto notarë stërviteshin jashtë vendit. Kushtet i kishin shumë herë më të mira se sa Franc Aleksi. Dhe ne menduam për t’i dhënë mundësinë dhe dorën këtij notari që garon dhe stërvitet në Shqipëri. Është notar i mirë me perspektivë dhe ai e tregoi veten, teksa në kampionatin e të rinjve dhe të rriturve dimërore doli kampion vendi.
– A hidheni vetë në pishinë, a e gjeni momentin për t’u marrë me sport?
– Unë kam notuar vetë. Kam qenë 12-13 vjet notar me ekipin e Dinamos. Patjetër e gjej kohën dhe e gjej kohën për të gjitha llojet e sportit. Bëj edhe atletikë, edhe ushtrime fizike, edhe shtangë, edhe not. Kam gjithë jetën time, që kur kam qenë notar, nuk e kam lënë ndonjëherë sportin. Po të më pyesësh për hobet e mia, një nga hobet kam sportin.
– Më thatë dinamovit, keni keqardhje që është shuar kjo stemë?
– Natyrisht që ndjej keqardhje, kam nostalgji, sepse e gjithë familja ime ka qenë me Dinamon. Dhe unë që isha më i vogli i familjes, duke parë më të rriturit, prindërit dhe vëllezërit e mi, u bëra me Dinamon. Kam nostalgji, normale. Unë kam punuar në ato organet e Ministrisë së Brendshme para vitit 1990 dhe kam një farë nostalgjie për Dinamon. Kam bindjen që Dinamo do ta gjejë veten dhe do të rikthehet. Është një klub me tradita dhe nëse një skuadër ka tradita është shumë vështirë të zhduket nga skena.
– Shumë shpejt afrojnë Lojërat Olimpike të Rio-s, çfarë do të bëjë noti? .
– Duket sikur jemi në skeçin “A doni më për Belulin”, por unë e thash dhe më përpara, sporti i notit ishte, nuk është se kur erdha unë noti rilindi. Por e vërteta ishte se nuk njihej dhe aq shumë. Unë i kam pasur dhe pak mundësitë, ndoshta nga biznesi dhe nga gjërat e tjera. Po të shihje Federata Shqiptare e Notit nuk kishte faqe interneti. Unë me shpenzimet e mia personale bëra faqen në internet të Federatës, atje ku çdo njeri mund të futet dhe të shikojë të gjitha llojet e garave të notit, të gjitha llojet e rezultateve që janë në Shqipëri. Kam një gazetë, e cila është Telegrafi, që është e kompanisë sonë. Çdo garë, çdo trajner, i cili është i interesuar për të shkruar për notin e gjen mundësinë dhe shkruan tek kjo gazetë. Kam përshtypjen se këto 2-3 vitet e fundit noti është bërë më publik. Të paktën të njihet nga shqiptarët që ekziston një Federatë, ekziston një sport që bëhet dhe këtu.
– Ka dhe gjëra pozitive tek shëndeti, kam përshtypjen…
– Them unë që sporti i notit është më i miri. Por të gjithë ashtu thonë, futbolli është më i miri, atletika është më e mira. Por unë them që është më i miri sepse në krahasim me të gjitha llojet e sportit, atje ku vihen në lëvizje vetëm dy ekstremet, me notin vihen në lëvizje të gjitha pjesët e trupit. Vihen në lëvizje dhe krahët, edhe këmbët. Por vihet në lëvizje rruga aspiratore, zemra, mushkëritë, gjaku. Pra të gjitha. Noti është ndër ato sporte që çdo qelizë të trupit e vë në lëvizje. Dhe nuk dëmtohet dhe më e rëndësishmja është se është një sport që nuk ka dëmtime. 
– Biznesi dhe shteti a mund të shtojnë investimet të paktën në infrastrukturë
– Biznesi e ka thënë fjalën e vet dhe ka bërë pishina të mbyllura. I ngelet shteti të japi më shumë mbështetje për infrastrukturën, megjithëse pishina nuk del me fitim. Të gjitha llojet e pishinave edhe në Shqipëri, edhe në jashtë vendit janë me humbje. Në përgjithësi janë detyra të Bashkive. Bashkia ka shumë mundësi që ta mbajë pishinën, sepse pishinat mund të bëhen në qendra tregtare, apo nëpër qendra sportive, që mbahen nga Bashkitë dhe kontrollohen prej saj..
Sigal