Pirro Mani, ditëlindja dhe pengu të atin Kosta Mani, shoqëruesi i Fan Nolit

1523
14 Prilli është ditëlindja e Pirro Manit. Por edhe në një ditë të shënuar si ajo e Lindjes, e shfaq një peng Pirro Mani, mbreti i skenës shqiptare, gjenerali i regjizurës, Stanislavski shqiptar, është një peng që po e shoqëron për gjatë të gjithë jetës. Edhe tani, kur feston 83 vjetorin e lindjes, kërkesës për një intervistë, ai i përgjigjet shkurtazi: Për mua është shkruar mjaft. Nuk ka mbetur gjë pa u thënë. Por e kam një peng që më rëndon. Dua ta zbraz shpirtin nga brenga e tim eti… Më rëndon shumë ai peng. Më ka ndjekë edhe në skenë. E ke vënë re episodin e gurit të pendimit tek “Cuca…”? Është krijuar prej meje ai episod duke pasur në mendje fundin e babait tim Kosta Mani. E kam mësuar vonë faktin që ai dha shpirt duke mbajtur në shpinë pesha të rënda, ja ashtu si guri i pendimit. I zbriste në shkallaren e një galerie si mijëra të tjerë në kampin e vdekjes të Mathauzenit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ma ka treguar ngjarjen një durrsak që shpëtoi gjallë nga kampi i vdekjes…. Ai ishte një nga ata që i shpëtuan ferrit të Mathauzenit!. Ja si e pat përshkruar ai ngjarjen, që i pat marre jetën Kosta Manit: Nuk kishte pranuar Kosta te ngrinte “gurin e turpit”, gurin e poshtërimit; pas tij vinte guri i varrit. Ushtarët gjermanë të kampit i dërgonin të burgosurit në një humnerë të thellë dhe i detyronin që të ngrinin nga një gurë të madh mbi shpinë (si rrasë varri) dhe i shtërngonin me pahir që t’i ngjiteshin të përpjetës. Dhe ata çapiteshin me shpirt ndër dhëmbë me shpresë e me gurin e rëndë në shpinë. Kosta e kishte imagjinuar veten edhe si Krishti edhe si Sizifi në këtë ngjitje. Po përse duhej ta bënte sakrificën, kur pas ngjitjes, do ta prisnin plumbat? Pyet Pirro me shumë veten se sa të atin! Kosta Mani nuk e kishte ngritur “rrasën e varrit”, gurin e poshtërimit. Ata e grinë me plumba. Ai u masakrua me 1945, u shpall dëshmor po në 1945, ndërsa komunistët e ripushkatuan me 1946, duke e pushkatuar për së dyti!
KUSH ISHTE INXHINIERI I DIPLOMUAR NË MIT NË BOSTON, KOSTA MANI?
Tregon Pirro: Babai im. Kosta Mani ka lindur në Korçë. Si shumë korçar emigroi herët në Amerikë. Ka qenë rreth të katërmbëdhjetave kur mori rrugën e kurbetit. Krahas punës vazhdoi edhe studimet. Ka studiuar në Institutin e famshëm MIT të Bostonit, ku pat studiuar edhe mjeshtri i madh i fotografisë Gjon Mili. Është diplomuar për inxhinieri-arkitekturë. Ishte pjesë e Vatrës. Si shumë idealist të tjerë, e la Amerikën dhe u kthye në Shqipëri për të ringjallë vendin, si shumë idealistë të tjerë vatranë. Kishte në xhep diplomën e inxhinierit. Sa i mungonin Shqipërisë inxhinierët si ai! Në Shqipëri qe kthyer me Imzot Nolin dhe e kishte shoqëruar atë në udhëtimet që kryezoti i Shqiptarëve të Amerikës kishte bërë në Shqipërinë e Jugut, kryesisht në Tepelenë dhe Gjirokastër. Këtë episod, Pirros ia pat treguar nëna e tij. Pasi Fan Noli e la Shqipërinë, Kostë Mani nuk e ndoqi pas. I tha Imzotit se Shqipëria kishte nevojë për atë dhe do të qëndronte. Ati i shqiptarisë, Noli i kishte dhënë bekimin. Dhe ai vazhdoi të punoi në Ministrinë e Punëve Botore. Kishte fatin që të punonte me një tjetër inxhinier të zot, me inxhinier Gjovalin Gjadri. Shqipëria ishte me fat se ishin bashkë dy shkolla inxhinierike; ajo amerikane, ku ishte diplomuar Kosta Mani dhe ajo austriake; ku ishte diplomuar inxhinier Gjadri. Të dy ndërtuan ura, rrugë, vila, që i qëndruan kohës. Pirro përhumbet në rrëfimin e tij: -E mbaj mend mirë rrugën malore të Thethit. Babai më kishte marrë me vete. E kam në kujtesë bukurinë përrallore të Thethit. Ata punonin, unë vështroja bukurinë e egër të maleve dhe pastaj kthehesha i lodhur dhe i kënaqur në çadër. Qe kohë vere. Ishte bukur. Edhe Urën e Zogut, urën me harqe, e pat ndërtuar Gjadri me Kosta Manin. Pirro kujton se edhe atje i ati e pat marrë me vete shpesh herë. Madje e mban mend të atin dhe Gjadrin me hartat përpara tek ndiqnin projektin. Kosta Mani ishte kudo ku ndërtohej. Kishte ndërtuar dhe një shtëpi provizore për vete në Tiranë, që priste ta modernizonte kur t’ia kishte ngenë. Kosta Mani jepte edhe mësim në Shkollën Teknike të Fullcit. Jepte lëndën e Matematikës. Pirro kujton se i ati lexonte shumë Letërsi. Në bibliotekën e tij ndodheshin libra të Balzakut, Stendalit, Dumas, Tolstoit. Kosta ndertoi edhe uren e Kardhiqit ne Gjirokaster. Kjo urë i dha një fatkeqësi dhe një dhuratë, që do ta kishte të shtrenjtë gjatë jetës së shkurtër. Gjatë punimeve për ndërtimin e urës theu këmbën. Ku të gjente mjek? E çuan te një mjeshtre popullore, që i kishte dalë nami si ortopede e rrallë. Mjeshtrja, plaka Dade, jetonte në Stegopull të Gjirokastrës. Muskujt e Kostës sforcoheshin nën dhimbjet e shtrëngimeve të plakës, ndërsa sytë i ishin ngul në bukurinë e rrallë të një vajze 15-vjeçare; mbesa e plakës Dade. Inxhinieri shëroi njëherësh këmbën dhe shpirtin. Vajza bjonde, me emrin e bukur Amali, do të bëhej “robinë” e inxhinier Kostës, i cili e kërkoi sakaq për grua. U martuan me Amalinë dhe lindën fëmijën e parë, Pirron, pastaj dhe dy vajzat, motrat e Pirros. Kosta, ndërkohë kishte blerë një truall 6 mijë m2, në rrugn “Shën Gjergji” në Tiranë, sot rruga “Ali Demi” dhe aty ndërtoi shtëpinë e tij, që Pirro e gëzon sot (edhe pse është në Amerikë shtëpia pret të zotin ende). Jeta ecte në rrjedhat e veta. Shpesh Kosta bridhte nëpër Shqipëri, ku ndërtonte a projektonte. Merrte me vete edhe Pirron e vogël dhe e ushqente me dashuri për kombin, Atdheun e shtrenjtë, që duhej dashur edhe kur ishte kockë e lëkurë. Në ditën e pushimit fashist, Kosta u pushua nga puna dhe u arrestua me akuzën se kishte hedhur në erë urën e Limuthit, atë urë që e kishte bërë vetë. Kosta kishte shtetësi amerikane, urrente fashizmin, dhe u trondit nga pushtimi i Shqipërisë. Dikur hapi një zyre private në Tiranë, “Stika”, së bashku me inxhinierin Spiro Koleka. Ajo zyrë nisi projektet e ndërtimit të infrastrukturës së Tiranës; projektoi rrugë, sheshe; parqe, vila të bukura dy dhe tri katëshe. Kosta projektoi vilën e njohur mbi kodrat e Tiranës, “Baballarët e Teqesë” dhe vepra të tjera që i rezistuan kohës. Pirro është i bindur se babai ka qenë antifashist në shpirt dhe si i tillë ishte zgjedhë edhe në Këshill. Madje për reputacionin që gëzonte, u zgjodh edhe deputet i Korçës. Gazeta “Tomorri” e asaj kohe i kushtoi hapësirë në kroniken e vet fjalës së deputetit Kosta Mani: “Çamëria dhe Kosova, janë pjesë të pandara të Shqipërisë, deklaron deputeti Kosta Mani.” Në kohën e Asamblesë Kombëtare në kohën e pushtimit gjerman, si deputet ishte pjesë e saj. Por Partizanët e qëlluan me top duke shpallë Asambleja Tardhëtare. Si shumë intelektualë të tjerë patriotë Kostë Mani mendoi se Atdheut mund t’i shërbehej edhe nën pushtim. Por atë pjesëmarrje nuk ia falën komunistët. Mblidhet qarkori dhe e përjashton Kostën nga Këshilli. Ishte kohë e çmendur, komunistët e akuzojnë, fashistët e arrestojnë, edhe gjermanët, po ashtu e arrestojnë, si njeri të rrezikshëm. Me kë ishte Kosta Mani? Ishte me Shqipërinë. Arrestimi në fundin e dhjetorit 1943 nga gjermanët ishte fatal. Nazistët e syrgjynosën në kampin famkeq të Mathauzenit. Pirro kujton se nëna, që e kishte marrë vesh lajmin e internimit, i kishte shkuar në burg dhe i kishte dhënë një xhaketë nën astarin e së cilës kish qepur nën një arnë 40 napolona flori. T’i kishte për çdo rast, pat menduar nëna. Pirro atë kohë ishte fëmijë 12 vjeç. E ka në kujtesë pamjen e trishtë. Të burgosurit i hipën në kamionë dhe i nisën në mëngjes herët. Imazhi i mbeti në mendje. Në shtëpi prisnin në ankth ndonjë lajm. Shenja e fundit e komunikimit ishte një telegram që ishte nisë nga Kosta. Ishin vetëm tri fjalë: “Jemi në Manastir”! Asnjë lajm tjetër. E gjithë jeta e Kosta Mani, është një dramë me shumë mistere, një dramë e ankthshme me shumë akte, thotë i biri, Pirro Mani, për të cilin misteret mbeten të pazbardhura ende edhe sot. Hija e të atit dhe shpirti i tij peng nuk i janë ndarë Pirro Manit as këtu në SHBA. Kur erdhën në Amerikë u vendosën në Kolorado dhe më pas në Nju Jork. Shpesh shëtisja me hijen e tim eti. Më dukej se do ta takoja diku….Edhe ai kishte qenë në Amerikë…Më duket se Pirro po mediton…. Nuk ka heqë dorë nga gjurmimet për të gjet të dhëna për të atin, që më parë nuk mund t’i siguronte. Mësoi se Kosta Mani nuk ishte i vetëm kur u nis në kampin e vdekjes. Ishin më shumë se 200 të burgosur. Një pjesë i dërguan në Prishtinë, pjesën tjetër në Mat’hauzen, ku i ra fati të shkonte edhe Kosta. Përmes kërkimeve me shoqatat amerikane-hebraike, u arrit të sigurohen të dhënat e munguara, përfshirë dhe kohën e vdekjes -27 Janar 1945, vendin e vrasjes, dhe të dhëna të tjera. Madje edhe numrin që mbante në uniformën e kampit të internimit…. Lajmi fatal është mësuar pak muaj pas çlirimit të Shqipërisë. Në shtëpi ka shkuar Spiro Koleka, që ka qenë ortak me Kostën në zyrën e projektimeve dhe ndërtimeve “Stika”. Spiro ishte inxhinier i ri asokohe dhe bashkëpunoi me Kostën edhe për të fituar eksperiencë. Ai solli lajmin fatal në shtëpinë e Kostë Manit. Familja shpalli zinë dhe e qau Kostën. U shpall dëshmor nga regjimi. Familjes iu dha dhe karta e dëshmorit, por drama e Kostë Manit nuk kishte të sosur. Ashtu si në kohën e italianëve dhe gjermanëve, dhe të komunistëve, secili e sheh si armik. Pirro tregon:Më kujtohet se ka qenë një burrë me emrin Faruk, që jetonte në një barakë, diku aty ku ka qenë Ministria e Jashtme. Faruku ka qenë kampion boksi.Ai qe rritur në shtëpinë e Kosta Manit. Kujtoj se Faruku mbante dhe një pistoletë nga që kishte qenë partizan… Pirro kujton se po vinte Faruku me nxitim dhe i thotë: Ç’po bën këtu? A e di se po i demaskojnë gratë e familjes Mani?! Shkova me vrap. Agjitatorët komunist ngrinin zërin në kupë të qiellit për armikun imagjinar. Dhe armiku paskish qenë Kosta Mani që na qenkish shpallë “dëshmor me biografi të keqe” sepse paskish marrë pjesë në Asamblenë tradhtare! Fronti Demokratik dhe partia nuk mund ta toleronin këtë tradhti! Ultimatumi i demaskimit ishte i rreptë:Familja armike Mani duhej të largohej brenda shtatë ditëve nga Tirana! Nisën reprezaljet. Pirron kujton se e pezulluan nga puna, ndërsa motrën Marika e hoqën nga puna, edhe motra tjetër Mirela u pezullua nga shkolla. Ua hoqën dhe triskat. Ishte hapur fjala se Kosta nuk ishte vrarë e se punonte si agjent në një shërbim perëndimor! Pirro, thotë se pagoi rëndë faturën.Por siç duket, dikur u bindën se të gjitha këto ishin fantazira. Vetë ata e vërtetuan se Kosta ishte egzekutuar në Mathauzen. Mirëpo hija e dyshimit mbeti pezull, kurrë nuk u trajtua më si dëshmor. Jo vetëm kaq por Kostës nuk iu përmend emri as njëherë si një nga inxhinierët e parë të Shqipërisë të diplomuar në SHBA. Pirro ruan një dokument që ka emrat e inxhinierëve që kanë kontribuar në Shqipëri, ku emri i parë është ai i Kosta Manit, pastaj i dy inxhinierëve italianë,i Gjadrit dhe të tjerëve. Rehabilitimi i të birit të Kostës, Pirro Manit, ndodhi vonë. Fillimisht nuk i dhanë as të drejtë studimi. Kalojnë dy vjet pasi mbaroi shkollën dhe nuk po i dilte e drejta e studimit. Madje mbaroi dhe ushtrinë e më pas e lejuan. Kujton se një ndër ata që e ndihmuan ishte Dashnor Mamaqi.
JETA NË NJU JORK
Fillimisht Pirro Mani u vendos në Bronx, në një zonë shumë të populluar nga shqiptarët. Banonte në një apartament modest në zonën e Palham Parkut. I pëlqente pse shëtiste në parkun e madh. Shpesh herë humbiste ne brendesine e parqeve të gjelbërta, meditonte,endej bashkë me personazhet dhe subjektet e veprave të veta që kishte në dorë dhe përhumbte për orë të tëra, pastaj kthehej dhe shkruante…Ka më shumë se 1500 faqe të shkruara, drama, komedi, esse… Ai, vullkani i skenës, që i rrinte ndezur, ka mbetur sërish ashtu, i pashuar, por tani i zhvendosur në fushën e krijimtarisë. 
Unë:- Pirro, si e le Koloradon për Bronksin?
Ai:- “Më duket se koha fluturon dhe bashkë me të dhe unë me subjektet e mia. Nuk them se në Kolorado (ku ka jetuar para se të vinte në Neë York) nuk kishte variante, por këtu nuk e di se si më duket, krejt i veçantë ky Bronksi. Shpesh herë dal diku në kryqëzimin mes Holland Avenue dhe Lydig dhe gjithandej dëgjoj të flitet shqip, dëgjoj kasetofonat e makinave shqiptare të buçasin nga këngët shqiptare dhe shpirti ndjenë një prehje të butë, të kadifenjtë…Më pëlqejnë shumë tablotë e ndërtimeve të vjetra. Pa të vështrosh arkitekturën e këtyre mjediseve ku janë vendosur shumica shqiptare, habitesh; është një hundë e ngritur aty dhe po të shikosh përpara ka një pamje të mrekullueshme; ajo ura e veçantë, trenat që vrapojnë nëpër shina mbi urë, lumi i makinave nën urë, këmbësorët që nxitojnë, ca ndërtesa karakteristike të viteve 50-60′. Po nuk është gjithë kjo mrekullia. A e ke vënë re atë pamjen e ndërtesave në të dy anët e rrugës poshtë urës pasi ke lënë segmentin e rrugës”Nënë Tereza”? Jo? Po aty është një mrekulli e mbetur,që nuk e gjenë tjetërkund. Aty është Amerika e viteve 20- 30-të. Shihe me kujdes se do të mahnitesh”… 
Ai sikur ka marrë në dorë penelin dhe vazhdon e skicon pamjen poshtë urës, ndërsa fjalët përshkruese janë poezi e gjallë plot metafora… Pastaj flet për pamjet e kopshtit Zologjik, me blerimin e Kopshtit Botanik. Ka bukuritë e veta Bronksi.
“ARTISTI I POPULLIT”, I BIRI I “ARMIKUT TË POPULLIT”!
Ky është Pirro Mani, regjisori i madh shqiptar, shtylla, themeli dhe maja e teatrit kombëtar, aktori dhe regjisori i paarritshëm, Artisti i Popullit, njëkohësisht i biri i ” Armikut të Popullit”; Kosta Manit, dikur emigrant në Amerikë, inxhinieri idealist, që u rikthye të ndërtonte urat e rrugët e Shqipërisë. Paradoksi i absurdit shqiptar, “Artisti i Popullit” i biri i “Armikut të popullit”! Si mund të jetojnë së bashku? Sidomos në kohën e mjegullt të dekorit komunist, ku thika të ulej pas shpine si në tragjeditë e Shekspirit; ku biografia ishte “pasaportë” për gjithçka? Ai që nuk e njeh historinë e jetës së Pirro Manit, (ashtu siç nuk e njihja në detaje edhe unë para se ta takoja një ditë vere në Pelham Park, deri në çastin që nuk kisha lexuar monografinë e shkëlqyer të studiuesit Josif Papagjoni, do ta merrte këtë si një stisje, sajesë gazetareske për t’i dhënë Pirro Manit një dozë persekutimi demode, siç është bërë në modë ndër ne shqiptarët. Por Pirro Mani nuk ka nevojë për sajesa të atilla, emri i tij është aq i rëndë në themelet e teatrit shqiptar sa që nuk ka levë politike që e lëviz prej andej. Pa Pirron regjisor, teatri shqiptar shkërmoqet, mbetet pa histori…Po teatri ishte mburrja jonë, argëtimi ynë i pakët! Hija e të atit ende trazohet dhimbshëm në trurin e tij, i përzihet në subjektet e veprave që ka në dorë. Shpesh herë atë hije ia kanë nxjerrë si mur të pakapërcyeshëm në rrugën e jetës për t’i përmbysur ëndrrën e madhe për skenën regjisorit dhe artistit Pirro Manit. Ata, shefat e kuadrit, shpesh i nxirrnin nga sirtarët, hijen e të atit, Kostës, e bënin enkas si për ta trembur, ndërsa ai ngjitej pas asaj hijeje, bëhej njësh me të, këshillohej me të në çaste të vështira, kur ata e paralajmëronin: Në kazmë do të dërgojmë, nuk e ke të pastër biografinë, mos kujto se nuk të njohim! Ose: në Kukës merre vrapin dhe bëj thiatro atje, eduko masat me artin e partisë… Dhe Pirro nuk mund të bënte përjashtim nga ligji i biografive, vullneti i tij, fuqia fizike, në situata të vështira i bënë shumë punë. I binte kazmës, ndërsa pasditeve merrej edhe me sport. I ati, edhe pse e pat lënë fëmijë 12 vjeçar, i pati injektuar vullnet dhe dëshirë për punë. Veçse hija e babait do ta ndiqte këmba këmbës derisa të bëhej dikushi, të bëhej ai emër që peshon aq rëndë sot në teatrin tonë kombëtar. Sidoqoftë rruga nëpër të cilën eci regjisori i madh, Stanislavski shqiptar, qe plot labirinthe; një sekretar partie i tregonte vijën; një shef kuadri e thërriste dhe e paralajmëronte të kishte kujdes se partia ia njihte mirë biografinë; një tjetër vinte gishtin tek buza dhe i jepte këshillën cinike: Shëëëët, dhe rri urtë-ë! Ke talent, por duhet dhe pasaporta e biografisë! Biooografia…mbi të gjitha! Dhe ai luftonte me vetveten, këshillohej me hijen e babait të dashur, që nuk i pat bërë keq Shqipërisë përveçse e pat lidhur me ura dhe rrugë? Ndonjëherë Pirro ashtu me shpirtin copë e çikë përplasej në ndonjë mejhane dhe aty nën avujt e alkoolit përpiqej të gjente rrugën nëpër labirinthet e gjarpëruara të hamendjeve, por kur ftillohej i thërriste vetes, sidomos pas këshillimit me hijen e Kostës: Punë, Pirro, vetëm punë! Por edhe kur punonte ata nuk i ndaheshin. Dhe përpiqeshin që ta armiqësonin me hijen e të atit… Kur shkonte në gjendje të dëshpëruar, nënë Amalia, zëvrarë shpirtcopëtuar, përpiqej të mos e lëndonte:Përsëri paske pirë, mor bir? ç’të bënë këtë herë?!Me se të ranë në qafë… Ai ulte kokën…
(Vijon nesër)

Nga Dalip Greca

Sigal