Kristaq Laka: Djemtë e Partizanëve mbrojnë me dinjitet LANÇ-in

160

Historia e LANÇ rron e do të rrojë ndër shekuj, se do të transmetohet brez pas brezi

Djemtë e partizanëve mbrojnë me dinjitet veprën e baballarëve të tyre

 

Historia e LANÇ rron e do të rrojë ndër shekuj, se do të transmetohet brez pas brezi. Por këtë vit janë shpeshtuar shkrimet për këtë luftë jo vetëm pse është 75-vjetori i Çlirimit, por edhe për shkak të sulmit e atentateve që i bëjnë historisë së LANÇ, fashistët e ballistët e rinj. Është një kohë kur fëmijët e partizanëve, nipërit e mbesat e tyre janë hedhur në mbrojtje të vlerave të LANÇ, të partizanëve e dëshmorëve nga sulmet e pabesa e të pështira që bëjnë neonazistoballistët. Nuk mund të kalohet lehtë kjo nga djemtë e partizanëve, pa përplasje, pa kundërvënie, për të vërtetën.

-Ballistët në sulm, po ne ç’bëjmë?- më tha një ditë një pasardhës veterani. -Të shikojmë sesi ata hedhin baltë mbi fytyrat e baballarëve tanë, të gjyshërve, të njerëzve tanë të afërt, që kanë filluar t’i quajnë kriminelë, për fajin, se rrëmbyen armët e i dolën zot Shqipërisë?! Boll më…!
Kjo ide ka zbritur te njerëzit e familjeve të Luftës, ka trazuar mendjet e zemrat e tyre. Para ca ditësh unë ndjeva emocione kur pashë një gjyq sa të rrallë, aq edhe domethënës që të ngjallte krenari ku i biri një partizani kishte hedhur në gjyq autorin e librit “Kriminelët e luftës “. I biri i partizanit kërkonte drejtësi nga gjykata, sepse ishte njollosur emri i një trimi të rrallë, emri i babait në të tij Partizan. Pak a shumë ai iu drejtua gjyqtarit kështu:

-Unë kam ardhur sot këtu, jo për të mbrojtur babain tim, por nderin dhe dinjitetin e babait tim që ishte një atdhetar dhe patriot idealist dhe nuk mund ta bëjnë pis njerëz, të cilët nuk e di nga çfarë ndjenjash ushqehen. Unë kontestoj listimin e emrit të babait tim, që dje bëri Luftën dhe sot duan t’i thonë kriminel. Babai im ka ikur nga jeta me 13 plagë në trup dhe është varrosur me copa predhe në trup në moshën 90-vjeçare…
Djemtë e partizanëve mbrojnë me dinjitet veprën e baballarëve të tyre

Është një dukuri e re, një klimë e re, një klimë guximi e ballafaqimi, ku e vërteta do të vihet ballë për ballë me gënjeshtrat, mashtrimet e shpifjet. Djemtë e partizanëve janë partizanë të mbrojtjes së Luftës së baballarëve, ata janë me rrënjë te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e ato rrënjë nuk shkulen kollaj. Në gjithë këto vite jeta e historia e baballarëve dhe nënave janë bërë pjesë e jetës së tyre. Dhe tregojnë kujtimet e baballarëve të tyre.
Po le të kthehemi te rasti i Kujtim Axhemit që e takova këto ditë.

– A e di jetën e babait?- e pyeta. Ndjeva se e fyeva. Këtë pyetje nuk duhet t’ia bëja. Ai ia dinte jetën babait të tij, historinë e tij me hollësitë më të vogla dhe ndjente mall e dhimbje, se kishte ikur shpejt nga jeta.

-Ka 30 vjet që është ndarë nga jeta! tha. E desha ta kujtoj në këtë vit të 75- vjetorit, edhe si një amanet i mbajtur. Ta kujtoj Luftën e tij, se ai nuk ndenji nëpër kafene të lozte bixhoz e të pinte, siç na thonë këta ballistët e rinj me teorinë e madhe të “Rezistencës së madhe, pa armë e pa uniformë”. Ai dhe shokët e tij e kishin gropë supin nga rripi i pushkës e horizontet e lirisë i matën me plumba e rrobat u binin erë barut, jo livando…
Babai quhej Sherif Axhemi (Mbiemrin e kemi Haxhiaj, por ai mbajti tërë jetën për mbiemër emrin e të atit). Lindi në Çorrush të Mallakastrës, në vitin 1923, në një familje me ndjenja të thella patriotike. Për mua Çorrushi është një emër i madh dhe i dëgjuar në Mallakastër dhe jo vetëm, që nuk u është shmangur asnjëherë luftërave për liri, por sidomos LANÇ-it i dha lavdi.
Lufta e gjeti djalë të ri në lule të rinisë, Sherifin. Ishin pesë djem e një vajzë. Baba Axhemi, vdiq e të pestë mbetën jetimë me sytë nga nëna. Nëna e tyre Salia, ishte trimëreshë, nuk i la fëmijët të shihnin nga duar e botës, po i rriti me shumë mundime e sakrifica, por mbi të gjitha me shumë dashuri për njeriun e për mëmëdhenë. Se në Mallakastër edhe gurët e drurët e duan lirinë e tyre. Në shtëpinë e tyre hyri Lufta. Jetimët hodhën pushkën krahut e dolën malit atje ku ishte djalëria shqiptare, atje ku zjarri luftës do të digjte pushtuesit e tradhtarët e Ballit e të Legalitetit. Kokën e vunë në një gur, e për shtroje patën tokën e mbuloje retë e qiellin… Ashtu flinin me njërin sy te shtjekëza e pushkës e me syrin tjetër shihnin ëndrra për një Shqipëri të lirë, me shkolla e me fabrika, me liri. Ata kishin një ideal të madh në shpirt, Atdheun e Lirinë. Kujtimi e kujton babanë partizan që u ra maleve e gërxheve të Mallakastrës, por edhe nëpër Shqipëri, kudo që luftuan njësitë partizane ku ai bënte pjesë dhe nuk i harron historitë e betejave që i tregonte i ati. Sherifi që në fillim të vitit 1942 u përfshi në Lëvizjen Antifashiste, në njësitet e Mallakastër – Vlorë e më vonë do të bëhej pjesë e “Çetës Plakë”. Atë e kishte përfshirë vorbulla e luftës dhe e ndiqte hap pas hapi luftën për liri, bashkë me dy vëllezërit që i mori Lufta e ranë dëshmorë. Se lufta do kurbanet e vet. Baftjari u rrethua nga armiqtë, luftoi e luftoi e nuk u dorëzua, deri sa dha shpirt e mbeti dëshmor i parë i Çorrushit. Nuk dihet kush ia dërgoi plumbin, pushtuesi apo tradhtarët! Po një gjë është e qartë, ai plumb ishte nga një dorë kriminale. Toka piu sërish gjak, gjak trimi dhe e mori nën vete, si një nënë. Vëllai tjetër, Avniu, pas Luftës, mbeti në Batalionin e Ndjekjes në Veri, deri sa mbeti lapidar lirie në Kukës, më 1947-n, në përleshje me bandat e kriminelëve. I shpëtoi plumbave në Luftë, por nuk iu shpëtoi dot plumbave të mbeturinave të Luftës. Nuk ishin ngopur me gjak armiqtë, sepse kërkonin pushtetin e humbur… E mori toka edhe Avniun. Posta kufitare në Turaj të Shishtavecit deri vonë mbante emrin e tij.
Rriteshin formacionet luftarake, rritej edhe ndërgjegjja e Sherifit, që ishte fëmija i tretë i familjes që kishte hapur dyer për luftën e lirinë. Sherifi nuk e hiqte pushkën nga dora, se pa atë të shkretë grykëhollë, nuk do të shporrej pushtuesi e nuk do vinte liria. U bë pjesë e batalionit “Ismail Klosi” në korrik të vitit 1943 e, më pas, do të rreshtohej në Brigadën e 12-të Sulmuese, ku u ngarkua edhe me detyra të rëndësishme, nga skuadërkomandant deri në komandant toge.
Kujtimi sjell plot kujtime, episode e detaje të jetë së të atit. Dëgjoj një episod dhe hesht, sepse me duket se me heshtje nderohen më shumë luftëtarët.

-Në luftimet e Gllavës, thotë, ku dhe gurët e bari atje u drodhën nga luftimet e ashpra, komandanti i Togës Sherif Axhemi, plagoset në krah. Gjaku i shkonte çurgë…
Edhe pak centimetra më tutje të kishte shkuar plumbi, ai do të ishte dëshmor i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, bashkë me dy vëllezërit. Po mbeti dëshmor i gjallë, siç quhen invalidët e Luftës.

-Po ai kurrë,-shton Kujtimi,-nuk u mburr e nuk i ra gjoksit, se jam vëlla dëshmori e se për këtë tokë të lirë kishte dhënë edhe vetë gjak. Këta, njerëzit e Luftës, prerë nga heroizmi partizan, nga thjeshtësia proverbiale dinin e dinë të nderojnë dinjitetin.
Ka 30 vjet që Sherif Axhemi ka mbyllur sytë, por historia e tij flet me zërin e të birit, që do ta nderojë e kujtojë.

Kristaq Laka

 

 

Top of Form

Bottom of Form