Prof. Fedhon Meksi: Shkolla e Labovës së Madhe të kthehet në muze

525

“Mësonjëtoria e vjetër në fshatin Labovë e Madhe”, u shpall monument kulture i kategorisë II.

Përveç sinjalistikës, edhe ajo e formuluar gabim, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare nuk ka bërë veprimet e duhura “…për ruajtjen, mbrojtjen dhe restaurimin e këtij monumenti”.

Është e vërtetë se ata pak fëmijë që jetojnë sot në Labovë, shoqërohen çdo ditë nga prindërit e tyre për në shkollat e Gjirokastrës, veçse godina e Shkollës së Labovës duhet të qëndrojë në këmbë edhe si një dëshmi e gjallë historike”.

Sigal

Abetarja Grammë për shqiptarët është e treta në gjuhën shqipe pas dy abetareve të Naum Bredhi Veqilharxhit

Pse duhet që godina e shkollës së famëshme të Labovës së Madhe  të kthehet në muze

       Në mesin e shekullit XIX, në bazë të projekteve të ardhura nga Bukureshti dhe Athina, muratorët më të mirë të Vilajetit të Janinës, ndërtuan në qendër të Labovës së Madhe, dy ndërtesa jo të zakonshme për nga madhështia dhe bukuria. Ato do të ishin  banesa e atdhetarit dhe pasanikut të madh shqiptar Vangjel  Zhapa, si dhe shkolla e Labovës me dy klasë gjimnaz ku mësohej edhe gjuha shqipe.

Të dyja këto ndërtesa u dogjën gjatë Luftës së Dytë Botërore, por  shkollën e rindërtuan vullnetarisht vetë labovitët, madje kur lufta nuk kishte përfunduar ende (shtator – dhjetor 1944).

  1. Shkolla e Labovës ku mësohej edhe gjuha shqipe (1861-1892)

Sipas juristit dhe historianit labovit Vangjel Thoma Meksi (1903–1983), ishin labovitët që i kërkuan Vangjel Zhapës të mësohej shqipja në shkollën e tyre. Ata, pasi dështuan në bisedimet me të dërguarit e bashkëfshatarit milioner që jetonte prej 30 vjetësh në Rumani, “…udhëzuan fëmijët e tyre që të mos hynin në klasa ose edhe kur t’i detyronin, të mos përgjigjeshin  nëqoftëse mësuesit i pyesnin në gjuhën e huaj”.

Ata kishin vendosur që të bllokonin zhvillimin normal të mësimeve, nëqoftëse në lëndët e shkollës nuk do të ishte përfshirë edhe gjuha shqipe.

Vangjel Zhapa e kuptoi fare mirë, se pas fëmijëve qëndronin prindërit e tyre dhe vendosi menjëherë për futjen e mësimit të gjuhës shqipe në shkollën e re të Labovës

Vendimi për të lejuar mësimin e shqipes në shkollën e Labovës, u bë i njohur botërisht nëpërmjet një letre e shkruar nga vetë V. Zhapa, që u botua në gazetën Pellazgu (31 mars 1861), ku ai bënte të ditur se: “Në shkollën e Labovës nuk mësohet vetëm greqisht, por edhe shqip” (Gazeta Pellazgu, 1 mars 1861, cituar nga Aleks Buda: Studime historike, 2, 1965, f. 60 dhe Dhimitër S. Shuteriqi: Gjurmime letrare, 2, 1974, f. 247).

Në atë kohë kur në shkollën e re të V. Zhapës në Labovën e Madhe filloi të mësohej gjuha shqipe në dritë të diellit, “…qeveria turke, aty ku kishte pushtet të mjaftueshëm, përveç pengimit në çdo mënyrë të çeljes së shkollave shqipe, burgoste, madje rrihte publikisht të gjithë ata të cilët shkruanin qoftë edhe një letër në gjuhën  shqipe” (Eqerem bej Vlora: Kujtime, Tiranë 2002, f. 152).

Duket se në Labovën e Madhe, as otomanët, as edhe kisha, nuk kishin pushtet të mjaftueshëm !

Të ngjashme me shkollën e Labovës së Madhe, u ngritën dhe u mbajtën me fondet e Vangjel Zhapës edhe 15 shkolla  të tjera në rrethin e Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit etj. Në shkollat e Vangjel Zhapës përdorej abetarja Grammë për shqiptarët (1861), me alfabet të veçantë, e shkruar nga mësuesi lekliot Anastas Byku (1829 -1878), kryeredaktori i gazetës së parë shqiptare Pellazgu (1859-1861), me pronar Vangjel  Zhapën.

Abetarja Grammë për shqiptarët (1861)

Abetarja Grammë për shqiptarët është e treta në gjuhën shqipe pas dy abetareve të Naum Bredhi Veqilharxhit, që të treja të mbështetura financiarisht nga Vangjel Zhapa.

Në librin e Vangjel Thoma Meksit Labova në shekuj (Toena, Tiranë 2000), shkolla e Labovës përshkruhet si më poshtë:

“Shkolla e Labovës përbëhej nga foshnjore, fillore, qytetëse me tri klasa dhe me dy klasa gjimnazi. Numri i nxënësve shtohej vazhdimisht duke arritur në vitin arsimor 1875–1876: 108 nxënës në klasat foshnjore dhe fillore, 31 në tri klasat qytetëse dhe 14 në dy klasat e gjimnazit.

Në vitin 1878 në Labovë u hap edhe shkolla për vajza, me dy mësuese. Në fillim u regjistruan 80 vajza, por më vonë ato u shtuan. Nxënëset vinin nga fshatrat përreth, por edhe nga Gjirokastra, Tepelena, Dropulli etj.

Godinat e shkollës ishin nga më të mirat për atë kohë dhe të pajisura me orendi shkollore dhe bibliotekë të pasur me tekste shkollorë.

Labovitët e moshuar kujtonin klasën në katin e parë të shkollës, ku ishin vendosur mjetet e avlëmendit. Përfundimi i vitit shkollor organizohej me ceremoni të veçantë. Me këtë rast ekspozoheshin punime të dorës dhe prodhime avlëmendi që kishin kryer nxënëset e shkollës.

Më vitin 1892 pas 32 vjet aktiviteti shkolla u mbyll, me preteksin se qeveria rumune ndaloi dërgimin e parave nga pasuria e Zhapës”.

Shkolla e Labovës ku mësohej edhe  gjuha shqipe

Shkolla e Labovës është e para shkollë me dy klasa gjimnaz në Shqipëri, ku mësohej edhe gjuha shqipe qysh në vitin akademik 1860-1861. Në këtë shkollë mësuan breza të tërë labovitësh, por edhe nga fshatrat përreth, një pjesë e të cilëve i vijuan studimet më pas në Janinë e gjetkë.

  1. Shkolla e parë shqipe në rrethin e Gjirokastrës (1910)

Gjysëm shekulli më pas, më 10 prill 1910, në godinën e shkollës të ndërtuar nga V. Zhapa, u hap shkolla e parë shqipe në rrethin e Gjirokastrës, pas shkollës Iliria në qytetin e Gjirokastrës (1908). Për çeljen e shkollës së Labovës u organizua një referendum ku morrën pjesë 100 labovitë që përfaqësonin 100 familjet e fshatit Labovë. Për hapjen e shkollës shqipe votuan 96 labovitë (96%).

Këtë rradhë u përdorën abetaret me alfabetin e Stambollit (1879), që i pruri në Labovë patrioti labovit Pano Xhori, i ndihmuar nga gjirokastriti Kanan Kadare.

  1. Kursi i përsosmërisë (i kualifikimit) për mësuesit e Jugut të Shqipërisë.

Në verën e vitin 1921, u organizua në Labovë  Kursi i përsosmërisë për mësuesit, që zgjati 3 muaj dhe kishte për qëllim formimin profesional të afro 90 mësuesve që shërbenin në shkollat e krahinave të Jugut të vendit, si edhe unifikimin e programeve mësimore dhe të procesit të mësimdhënies.

Qeveria shqiptare e kohës, me këtë zgjedhje ka shprehur mirënjohjen ndaj përpjekjeve të labovitëve ndër shekuj për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe mësimin e saj në shkolla dhe kisha.

 

Kursi i përsosmërisë (Labovë -1921)

  1. Godina e Shkollës së Labovës sot dhe nesër

Vite më vonë shkolla e Labovës u kthye në shtëpi kulture, muze dhe më pas, për çudi të labovitëve, u shit! Shkolla e famshme e Labovës, dhurata kryesore që i bëri Vangjel Zhapa Labovës dhe labovitëve, në oborrin e së cilës ai dëshironte që të varrosej (shif testamentin), në vitin 1991 u shit sikur të ishte një shtëpi e zakonshme fshati.

Më datën 30 mars të vitit 2010, me kërkesën e labovitëve që banojnë në Tiranë, “Mësonjëtoria e vjetër në fshatin Labovë e Madhe”, u shpall monument kulture i kategorisë II.

Përveç sinjalistikës, edhe ajo e formuluar gabim, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare nuk ka bërë veprimet e duhura “…për ruajtjen, mbrojtjen dhe restaurimin e këtij monumenti”.

Është e vërtetë se ata pak fëmijë që jetojnë sot në Labovë, shoqërohen çdo ditë nga prindërit e tyre për në shkollat e Gjirokastrës, veçse godina e Shkollës së Labovës duhet të qëndrojë në këmbë edhe si një dëshmi e gjallë historike. Edhe pse nuk përmendet në tekstet e Historisë së Popullit Shqiptar, ajo rron në kujtesën historike të kombit tonë si përmendore e ndritur e vullnetit të tij të palëkundur për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin kombëtar, gjuhën dhe kulturën shqiptare.

          

      Godina e shkollës së Labovës pas rindërtimit (1944)

      Duke informuar  opinionin me dokumente e fakte të sigurta për rolin e rëndësishëm të shkollës me dy klasë gjimnaz  ku mësohej gjuha shqipe,  bëjmë thirrje që ndërtesa e shkollës së Labovës të mos lihet në mëshirën e fatit ose të pronarit, por të merret nën kujdesin e shtetit, i cili duhet t’a kthejë në muze  dhe në vend pelegrinazhi i nxënësve nga të gjitha trojet shqiptare, për të evokuar ata që e ngritën dhe e mbrojtën shkollën shqiptare të Labovës së Madhe në ato kohë të vështira.

Ne shprehim bindjen se kërkesa në fjalë, që është edhe opinioni i të gjithë labovitëve dhe jo vetëm, do të gjejë zgjidhjen e duhur.