Rama: Thethi zgjohet çdo ditë plot me vizitorë që eksplorojnë dhe shijojnë Alpet

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot një përshëndetje të shkurtër nga Thethi, një nga destinacionet më të frekuentuara të turizmit alpin në vend, i cili po njeh një rritje të vazhdueshme të vizitorëve gjatë sezonit veror.

“Nga Thethi që zgjohet çdo ditë plot me vizitorë që eksplorojnë dhe shijojnë përvojat në Alpe”, shkruan Kryeministri në një postim në rrjetet sociale, të shoqëruar me pamje nga natyra malore dhe atmosfera turistike e zonës.

Sigal

Thethi, pjesë e Alpeve Shqiptare, është kthyer vitet e fundit në një pikë referimi për turizmin e aventurës dhe natyrës, duke tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj që kërkojnë eksperienca autentike në zemër të maleve.

Thethi, bashkë me Lëpushën, Vukël-Nikçin, Rragamin, Çeremin dhe Currajn e Epërm bën pjesë në kategorinë e tretë të lokaliteteve që është emërtuar si “Porta të atraksionit turistik”.

Vitet e fundit, në Theth janë shtuar strukturat mikpritëse. Në shumicën e rasteve, janë kullat e vendasve të kthyera në bujtina, që kanë pritur vizitorë nga të gjitha anët e globit.