Agron MEMA: Nënë Fato Balani, 89 vjeçe, që reciton këngët e rinisë

1365
Sigal

Nënë Fato Balani, 98-vjeçarja që reciton përmendësh dhjetëra këngë e poezi nga fëminia dhe rinia e saj

Agron MEMA

Nënë Fato (Purizo) Balani është 98 vjeçe. Pasaporta e saj shënon datëlindjen 20 shkurt 1921. E megjithëse mban gati shekullin mbi supe, ka një memorie fantastike dhe të admirueshme. Ajo reciton përmendësh dhjetëra e dhjetëra këngë e poezi nga fëmijëria dhe vajzëria e saj, reciton pandërprerë dhe duke komentuar edhe ndonjë detaj historik apo jetësor që lidhet me këngën që përcjell tek neve. Një arkiv i gjallë folklorik. Shkuam për festën e 28 Nëntorin në shtëpinë e saj ku banon me djalin, Aranitin, një kolegu ynë i montazhit televiziv. E gjetëm me kostumin tradicional çam të veshur, kostum për të cilën na thotë, se na ka mbetur si atavizëm i kohës së pushtimit turk. Në ambientin e ngrohtë të dhomës ku qëndron dhe na pret e ulur në kolltuk, nis dhe përfundon bisedën me vargjet proverbiale me mesazh të fortë e të thellë filozofikë:

“Kur je në vend të huaj, mos bën si të thotë mendja juaj

Kur je në vendin tënd, merr pjesë në ç’do kuvend.”.

Dhe nënë Fatoja nis e tregon për fëmijërinë e saj të dhimbshme, të vuajtur e të varfër si jetime që u rrit. Rrëfen dhe e ka peng nënën e saj që u përzu nga shtëpia e burrit pa asnjë faj, por thjeshtë për forcën zakonore të patriarkalizmit të kohës. Dhe ka qejf ta rrëfej, mesa duket duke fshehur mesazhin e saj për kohën e sotme: “Babai qe në dele në mal. Ikte në mëngjes dhe kthehej në mbrëmje. Atëherë rrinim shumë kurora në një banesë. Me ne rrinte dhe xhaxhai me gruan. Atë ditë nëna shkoi për të mbushur ujë. Gruaja e xhaxhait lëshoi pulat, në vend që t’i mblidhte se po hynte dielli. Pulat shkuan në arrën e drithit dhe bënë dëm. Im atë erdhi. Pa pulat në drithë dhe u tërbua nga inati. Bërtiti: Kush i ka lënë pulat në drithë? Nusja e xhaxhait i tha: Jot shoqe. Kaq u desh dhe nëna ime shkoi në derëbabe. Kështu ishin zakonet familjare atëherë. Mbeta jetime dhe më pas më vdiq dhe babai. Pata fëmijëri të vuajtur.” Tregon se mban mbi supe shumë vite dhe ka parë shumë luftëra në vendin e saj, ashtu dhe shumë qeveri. Kur ishin të vogla nëna i fshihte poshtë parmakëve të dyerve për ti mbrojtur nga bombardimet e luftërave. Ka parë turqit, grekët, italianët, gjermanët, pushtetin komunist dhe demokracinë. Ajo rrjedh nga fisi Purizo. Xhaxhai i saj, Jonuz Purizo u akuzua dhe u dënua në grupin e famshëm armiqësor të cilësuar si “Grupi Çam” me në krye ish kundëradmiralin e Flotës Luftarake Detare Shqiptare, Teme Sejkon, kjo do të shtonte një tjetër risk mbi shpatullat e nënë Fatos. Por e keqja nuk qe vetëm kaq. Do të arrestohej dhe dënohej dhe vëllai Rexhep Purizo. Këtu ndalet dhe tregon një histori aq sa tragjike, po aq dhe me humor brenda: “Asokohe vëllai, Rexhepi, studionte për oficer në BRSS. Aty njohu një ruse, po ruse për kokë të ruses. Qe bukur shumë. Kur ajo e kish pyetur për fshatin e tij, Vërvën, ai iu përgjigj se në fshatin e tij ka 40 furra buke. (Kjo se Vërva atëherë kish 40 familje dhe secila kish furrën që piqte bukën e saj). Rusja e besoi se qenë 40 furra të mëdha që mbanin qindra njerëz me bukë dhe mendoi se do qe një vendbanim i madh me shumë banorë dhe i zhvilluar. Dhe erdhi dita dhe na i pruri në fshat sovjetiken. Ajo u çudit, por nga dashuria që kish për vëllain tonë e kuptoi shakanë. Dhe atë natë që fjeti nëna shtroi pesë dyshekë me kashtë mbi njëri-tjetrin që t’i krijonte rehatinë nuses nga Rusia. Ajo nga dhoma e saj këndonte opera, ca këngë që neve atëherë nuk i kishim dëgjuar kurrë e nuk kishim haber se çfarë ishin. Dhe ikën të dy, po u priu fati i keq. Erdhi koha që BRSS-ja nga miku ynë më i madh e më i mirë, na doli armiku më i madh e më i egër. Rexhepit i thanë të ndante nusen, se qenë armiq. Vëllai nuk dëgjoi nga ai vesh dhe nuk e ndau. Por një ditë rusen e rrëmbeu Sigurimi i Shtetit dhe e dërgoi në vendin e saj. Vëllai e vuajti shumë, por edhe ai u dënua me internim. Ajo i dërgoi edhe ndihma, por sigurimi ja kthente mbrapsht asaj përsëri.” “Ja kështu djem,-thotë nënë Fatoja dhe nis e këndon këngën e Flamurit që këndonin në atë kohë:

“Flakë i kuq, porsi zjarri

Dhe shqiponja me dy krerë

E qëndisur me fija ari

Gjerë e gjatë e bukur vlerë…”

dhe kënga vazhdon me vargjet e saj entuziaste të dala nga goja e nënë Fatos. Fillon e këndon këngën vajzërore që nënat çame u këndonin vajzave kur qenë të vogla, këngë lufte e këngë trimash, këngë pune e këngë sjelljesh e lloj –lloj pasurie folklorike popullore e trashëgimisë sonë gojore që meriton kujdesin për t’u mbledhur e ruajtur. Mundimi dhe sakrifica më e madhe e saj ishte arsimimi i fëmijëve. Tregon se i shpuri nga Vërva në Konispol të katër djemtë e saj ku kish dhe arsim të mesëm. I mblodhi djemtë dhe i këshilloi të qenë të urtë dhe të ndershëm. Ta thoshin gjithmonë të vërtetën, po ato që bënin vet, jo ato të të tjerëve, duhej të mbeteshin fisnikë. Iu desh të punonte edhe për tri norma në ditë e të ikte zbathur nëpër dëborë, vetëm e vetëm që fëmijët të rriteshin të edukuar e t’u jepte shkollë. Dhe ia arriti qëllimit…Vete e vete me fjalën e saj dhe i rikthehet merakut të saj, këngëve të Flamurit e të Pavarësisë. Porosisë së saj për brezat e sotëm që të jenë patriotë e të besës, të mos u mungojë dashuria për atdheun se Pavarësia është arritur me gjak e mundime. Dhe ndahemi me nënë Faton e mirë duke i puthur dorën e fishkur nga hallet më shumë se nga mosha. Pas na ndjek fjala dhe këshilla e saj.