Emigrantët në Itali duhet të kenë rreth 9 mijë euro të ardhura vjetore për të mundësuar bashkimin familjar

605
Sigal

Çdo shtetas shqiptar, emigrant në Itali, duhet të ketë të paktën 8 mijë e 900 euro të ardhura minimale vjetore, në rast se kërkon të tërheqë një familjar në shtetin italian. Bazuar në Tekstin Unik për Emigracionin që përcakton rregullat e reja që po bëhen publike në Itali në lidhje çështjet e emigrantëve, parashikohet se kush kërkon bashkim familjar të ketë “të ardhura minimale vjetore nga burime të ligjshme jo më të ulëta se çeku social, plus gjysmën e shumës së çekut për çdo familjar që do të sillet në Itali.” Të gjithë emigrantët që do të përtërijnë këtë vit leje qëndrimin, apo të kërkojnë leje qëndrimin për qëndruesit afatgjatë (karta e qëndrimit), duhet të tregojnë se kanë të ardhura vjetore jo më të ulëta se çeku: 5.954,00 euro, i cili u vendosur në janar të vitit 2019, me një vlerë 6 euro më të lartë në muaj, ne krahasim me vitin e kaluar. Kush do të nisë praktikën për të sjellë në Itali bashkëshortin me bashkim familjar duhet të tregojë se ka të ardhura sa të paktën 1,5 herë çeku social. Në krahasim me një vit më parë, Instituti Nacional për Sigurimin Social e ka rishikuar çështjen e bashkimit familjar duke e rritur me më shumë se 100 euro tarifën e shumës që emigranti me leje qëndrimi duhet të zotërojë, që të tërheqë familjen. Sipas rregullores, bëjnë përjashtim fëmijët, për bashkimet e të cilëve nën moshë madhore, kërkohen të ardhura vjetore jo më të ulëta se dyfishi i çekut social. Vlen të theksohet se, sipas ligjit italian, për përcaktimin e shumës së të ardhurave merren në konsideratë edhe të ardhurat e përgjithshme të familjarëve që bashkëjetojnë me kërkuesin. Në 40 qytetet të Italisë, komuniteti shqiptar përbën shumicën ndër të huajt e pajisur me leje të rregullt qëndrimi në Itali. Të huajt me leje të rregullt qëndrimi në këtë shtet janë rreth 3 milionë e 700 mijë, sipas shifrave zyrtare.