Ramazan Çeka: Nata që Shkodra e mban në zemër. Një himn për qytetin me zërin e Bujar Qamilit

52
Sigal

Në një natë ku emocionet nuk mund të përshkruheshin me fjalë, Shkodra jetoi një koncert madhështor, që tejkaloi kufijtë e spektaklit. Ishte një përqafim shpirtëror mes një qyteti dhe një artisti që e ka përfaqësuar me zërin e tij ndër vite: Bujar Qamili.

Një rrëfim për një koncert që u shndërrua në një dëshmi artistike që u bë si një amzë shpirtërore, një përqafim i kënduar për Shkodrën.

Në një natë ku emocionet nuk mund të përshkruheshin me fjalë, Shkodra jetoi një koncert madhështor që tejkaloi kufijtë e spektaklit. Ishte një përqafim shpirtëror mes një qyteti dhe një artisti që e ka përfaqësuar me zërin e tij ndër vite: Bujar Qamili.

Panorama e sheshit tregoi emocionin e natës me Bujar Qamilin që preku zemrat e publikut me zërin e tij të bukur. Emocioni i sinqertë i publikut është pasuria më e madhe.

Nën moton “Për ty Shkodër”, me pjesëmarrje masive dhe një atmosferë magjike, qyteti nuk ishte më një hapësirë e zakonshme vendbanimi, por një skenë gjigante, që këndonte bashkë me artistin.

Në zemër të qytetit, një zë që s’ka nevojë për prezantim dhe një repertor që prek shpirtin sollën një recital të paharrueshëm. Në skenë, Bujar Qamili, “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i Madh”, fali një natë që do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve.

Sheshi para Bashkisë u kthye në tempull emocionesh si kurrë më parë, Shkodra në festë. Ishte një natë ku e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e këngës qytetare bashkëjetuan në harmoni.

Bujar Qamili, një zë që sfidon kohën, nuk interpretoi vetëm këngë, ai zbuloi rrënjët tona të përbashkëta, na solli para syve Shkodrën e brezave të kaluar, me nuanca kujtimesh dhe një përkushtim artistik që vetëm mjeshtrit e vërtetë dinë ta mbajnë gjallë.

Ai nuk është vetëm një këngëtar, është kujtesa e gjallë e një qyteti që ka ditur gjithnjë ta kthejë mallin në këngë dhe gëzimin në art.

Në skenë u ngjitën emra të njohur si Artiola Toska, Shkëlzen Jetishi – Xeni dhe Mateus Frroku, që e shoqëruan Bujarin si anëtarë të një familjeje të madhe muzikore.

Ata sollën me zërin e tyre mallin, dashurinë dhe nostalgjinë, duke i dhënë ngjyrë një mbrëmjeje që do të mbetet në kujtesën e qytetit.

Nga bejtaxhiu Tonin Pervjela në publik, tek humori plot buzëqeshje në skenë i Dana Xhaj “Mjeshtre e Madhe”, Muhamet Çekini dhe Akili, e deri te emocionet e sinqerta të këngëtarëve të ftuar, gjithçka në këtë natë ishte frymë.

Nuk kishte dallim mes atyre që këndonin në skenë dhe atyre që këndonin poshtë saj, ishte një kor i gjallë i dashurisë për Shkodrën dhe për një artist që ka ngritur zërin e këtij qyteti në qiellin e artit shqiptar. Mes dritave, duartrokitjeve dhe emocioneve, publiku dëshmoi se Shkodra di të festojë, por mbi të gjitha, di të nderojë ata që i kanë kënduar Shkodrës, siç është Bujar Qamili. Ky koncert recital nuk ishte një performancë, por një rit i gjallë, një përulje ndaj shpirtit të qytetit.

Artiola Toska e quajti Bujarin “vëlla i madh”, ndërsa Mateus Frroku u shpreh me emocion: “Sonte ishte nata e Bujarit. Kam një ndjesi fantastike dhe një dëshirë të thellë për t’u rikthyer sërish në Shkodër.”

Edhe Shkëlzen Jetishi – Xeni, miku i pandarë i Bujarit përmendi lidhjen e tij të thellë shpirtërore me këngët shkodrane, duke e cilësuar pjesëmarrjen si një privilegj.

Çdo këngë u këndua live, e mbështetur nga mjeshtëria e orkestrës së drejtuar nga Vis Shkodrani, ku iu bashkua edhe Ilir Zoga, maestro i fizarmonikës, me një interpretim të gjallë, elegant dhe plot jetë.

E ndërsa tingujt përqafonin njëri-tjetrin, në sfond jehonte një qytet që lundronte mbi një det emocionesh.

Kjo mbrëmje si një rilindje artistike e përndritur dhe me aromë pranvere, u ndriçua nga eleganca dhe ndjeshmëria e moderimit të Dana Xhaj, “Mjeshtre e Madhe”, dhe Linda Kavajës.

Ato sollën në skenë atë që shpesh mungon: finesë, hijeshi dhe atë thellësi të heshtur që s’mund të shihet, por vetëm të ndjehet, si një dorë e padukshme që prek zemrën.

Shkodra nuk ishte vetëm qyteti pritës, por vetë skena, fryma dhe drita e asaj nate.

Qindra qytetarë, artistë e dashamirës të muzikës popullore, vizitorët e huaj, turistë nga Izraeli, Spanja e shumë vende të tjera, u përfshinë natyrshëm në atmosferën që krijon vetëm kënga popullore shqiptare.

Nuk munguan as miqtë e largët, që ndihen të afërt përmes këngës qytetare shkodrane, nga Ulqini, Tuzi, Tetova, etj. Të gjithë njëzëri, me sy të ndritur e duar që nuk pushonin së duartrokituri.

Nuk kishte dallim mes atyre që këndonin në skenë dhe atyre që këndonin poshtë saj, ishte një kor i gjallë i dashurisë për Shkodrën dhe për një artist që ka ngritur zërin e këtij qyteti në qiellin e artit shqiptar.

Mes dritave, duartrokitjeve dhe emocioneve, publiku dëshmoi se Shkodra di të festojë, por mbi të gjitha, di të nderojë ata që i kanë kënduar Shkodrës, siç është Bujar Qamili. Ky koncert recital nuk ishte një performancë, por një rit i gjallë, një përulje ndaj shpirtit të qytetit.

Në fund të mbrëmjes, mes duartrokitjeve dhe emocioneve që nuk donin të ndaleshin, Bujar Qamili e mbylli me fjalë që vinin nga thellësia e një zemre mirënjohëse, një reflektim i thellë për një karrierë që e ka lidhur ngushtë me Shkodrën: “Këtë Shkodër s’e kam parë, as përjetuar ndonjëherë kaq të mbushur me dashuri.”

Dhe nuk kishte nevojë për më shumë. Publiku e kishte thënë fjalën e tij, në çdo këngë të kënduar bashkë me të.

Më shumë se koncert: një shpirt i përbashkët. Kjo nuk ishte vetëm një natë muzikore, ishte një akt mirënjohjeje ndaj qytetit, një falënderim i ndërsjellë midis një artisti dhe publikut të tij. Një përjetim që do të mbahet mend, siç mbahen të gjalla legjendat e këtij qyteti.

Jam thellësisht i nderuar që, përtej emocioneve si libretist i këtij koncerti dhe autor i disa prej këngëve të interpretuara, pata privilegjin të jem dëshmitar i kësaj nate që do të shkruhet me germa të arta në kujtesën artistike të qytetit tim.

Ky aktivitet madhështor u realizua me përkushtimin e thellë dhe vizionin e pakrahasueshëm të Bashkisë Shkodër dhe Kryetarit z. Benet Beci, një mbrojtës i flakët i trashëgimisë kulturore. Ai, për të disatën herë, dëshmon se mbështetja e palëkundur ndaj artit është themeli i lulëzimit të shpirtit qytetar, ku kultura ngrihet në piedestalin e saj më të shenjtë dhe bëhet një festë e përjetshme e identitetit tonë.