Silvana Berki/ Kur përflaken qiejt e Finlandës

641
Sigal

“Unë jetoj kuqezi,

Marr frymë kuqezi,

Vdes kuqezi”

 Ky ishte teksti i këngës “Krenar të jem shqiptar” i grupit rep ‘Etno Engjëjt’, i cili së bashku me të ftuarit e tjerë, këngëtarin e serenatave Gena dhe surpriza e instrumentit popullor shqiptar, i bënë qiejt e Finlandës të shpërthejnë në mbrëmjen festive të 15.2.2014 si asnjëherë tjetër.

U deshën plot 23 vite që shqiptarët e integruar tashmë në Shtetin demokrat të Finlandës, nga të gjitha trevat Shqiptare, të festonin si asnjëherë më parë kaq të bashkuar festën kombëtare të çlirimit të Kosovës nga zgjedha Serbe. Jo pa qëllim zura vend sapo hyra në një cep të korridorit të klubit Apollo në Helsinki, vetëm e vetëm të shikoja pjesëmarrësit me një pyetje dhe dyshim në shpirt: a do të jemi bashkë, apo do të kenë ardhur vetëm shqiptarët e Kosovës. Megjithatë kurioziteti im u shua shpejt, kur pash të rinj e të reja, të veshur si për ballo me rrobe të shtrenjta, me makijazh festiv, djem e vajza të gjata e të bukur, e tek-tuk ndonjë simbol kombëtar, si çiftelia, në duart e dikujt, apo qeleshja me shkabën dykrenore në flokët kaçurrelë gështenjë, të hynin të qetë duke folur nga të gjitha aksentet. Pra, tabuja ishte thyer edhe këtu në Skandinavi. Që aty zemra ma bëri trak dhe një ndjenjë malli ma pushtoi shpirtin. Miku im që më shoqëroi për gjithë mbrëmjen më pëshpëriti në vesh kur kuptoi sytë e mi të lumtur “tani e di që do fillosh të lotosh”. Dhe ai kishte të drejtë. Eh, sa shumë kisha pritur për një atmosferë të tillë, për një ndodhi të tillë, apo një simbol të tillë si ky i bashkimit në një shpirt të vetëm. Jo se ishte hera e parë e festimeve të tilla, por ashtu si edhe populli ynë i kudondodhur e i përvuajtur, nga plagët që koha i ka sjellë, edhe ne emigrantët e Evropës veriore në hapat e parë të emigrimit tonë përjetuam përveç integrimit me një kulturë të re si kjo e Finlandës edhe një integrim tjetër edhe më të rëndësishëm: atë të njohjes mes veti, njohjes nga të gjitha trevat, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Çamëria, Mali i Zi, Presheva etj. U deshën këto dy dekada, që kufijtë e paragjykimeve të thyheshin, tabutë të mënjanoheshin dhe ne të fluturonim në qiellin e Finlandës të lirë si vet shqiponja jonë, si një komb i vetëm. Ishte shqiponja jonë ajo që në ngjyrën e flamurit të kuq dukej sikur fluturonte në të gjithë mbrëmjen nga njëri cep i sallës në tjetrën sikur të donte t`i ledhatonte të gjithë të pranishmit me dashuri.

Salla me mbi 500 pjesëmarrës buçiste nga këngët e bukura shqiptare. Shikoja herë pas here DJ-finlandez dhe disa punonjës të tjerë, të cilët rrinin të mahnitur nga ky lloj shpërthimi atdhedashurie i shqiptarëve për këngët dhe muzikën e tyre. Por surprizat e asaj mbrëmjeje nuk kishin të mbaruar. Pikërisht, atëherë kur entuziazmi ishte në kulmin e tij, mbërrijnë dy të rinj me daulle shqiptare në duar. Asnjëherë në jetën time nuk kisha parë të tingëllojë aq fuqishëm ai instrument, asnjëherë më parë, në asnjë vend të botës, nuk kisha parë manifestime kaq të lira në shërbim të ruajtjes së identitetit ku flamuri i kuq dukej sikur kishte përflakur jo vetëm atë sallë të vogël në një pikë të Helsinkit, por të gjithë qiellin e Finlandës, asnjëherë nuk kisha lotuar aq shumë nga gëzimi. Ai djaloshi i daulles sikur të donte të fluturonte, së bashku me daullen e tij hipën në bordurën më të lartë për të qenë më afër zemrës së shqiptarëve, e cila dukej që frymonte e rrihte në ato momente vetëm me ritmin e saj. Ndërsa unë ia kuptoja dhe zbërtheja gjuhën “Çaje këtë qiell, të derdhen rrezet e dashurisë në zemrën e çdo shqiptari si asnjëherë”. Dhe unë kërceja, qeshja, qaja. Sa shumë të malluar ishin shqiptarët. Në ato momente askujt si shkonte mendja të dinte prejardhjen e njërit apo tjetrit. Ato momente ne të gjithë ishim një, shqiptarë. Sado të arritura të jenë manifestime të tilla, nuk duhet të lemë pa përmendur atë që na e mundësoi një liri të tillë, dhe kjo është politika demokrate e Finlandës, e cila para 22 viteve hapi krahët plot bujari, i shkolloi ata fëmijët e vegjël shqiptarë që sot ishin aq të pashëm, e të bukur e të cilët fluturojnë të lirë botës së madhe si qytetarë të denjë. Si edhe pasaportës së vlerave e cila iu shpërnda të gjithë pjesëmarrësve në hyrje të sallës:

1. Të dish dhe të jesh i sigurt se fatbardhësia dhe lumturia juaj gjendet në Shqipëri, e cila të jep nder dhe të fal emrin Shqiptar.

2. Ruaje mirë karakterin kombëtar dhe kryelartësinë shqiptare: bindju ligjeve dhe urdhrave të vendit kudo që të jesh.

3. Çdo shqiptar është vëllai yt: nderoje kurdoherë dhe ndihmoje kur të ketë nevojë.

4. Mos e përbuz gjuhën e nënës tënde duke folur në gjuhë të huaj kur nuk është nevoja.

5. Ndero flamurin e atdheut tënd: kush nuk e nderon shenjën/simbolin e kombësisë, nuk e nderon as vetveten.

Dashuria për atdhe ndihet me shumë në mërgim, prandaj këtë dashuri ruaje edhe kur të kthehesh në vendin tënd.

Instituti i librit dhe i promocionit “Toena”

Organizon në  Ditën Ndërkombëtare të Gruas paraqitjen e romanit “Ankthi” të autores Kozeta Zavalani, ditën e shtunë, datë 8 mars, ora 11:00 në Ministrinë e Kulturës, salla “Tefta Tashko”.