Në kërkim të një varri të braktisur

592
Sigal

Për romanin e Spiro Mëhillit , “Varri i Ashikut”

Jo rrallë herë na qëllon të përhumbemi në brendinë e një libri, të mbetur ashtu nën jastëk, nga nata e kaluar. Dhe kështu kohë pas kohe, vetëdija jonë rëndohet me histori të jetuara, subjekte të ngarkuara me trill dhe emocion, por në të njëjtën mënyrë jemi të ndërgjegjshëm që shpesh na takon të kemi hasur edhe vepra që nuk kanë lënë asnjë gjurmë brenda nesh por që së paku kemi mundur t’i dënojmë me heshtje, ndoshta kritika më e denjë për misionin e pamundur të një shkrimtari. Por sa herë nis e përmbyll leximin e një vepre letrare, gjithmonë i jam bindur arsyes së palëkundur se për të vlerësuar një punim serioz, është e udhës që recensenti apo kritiku, duhet të shprehet vetëm pas fjalës së fundit të autorit. Dhe në rastin e romanit “Varri i Ashikut” të autorit Spiro Mëhilli, krejt i bindur për këtë vendim timin, parapëlqeva që vlerësimin tim, ta vendos si pasthënie të këtij botimi. Nëse ky është një vendim i drejtë apo i nxituar, këtë mendim kam dëshirën ta ndaj me të gjithë ju që do të rrekeni të depërtoni në kapitujt dhe situatat që zënë vend në këtë vepër, ku në fund të saj, gjithsekush do të ndihet një personazh i tërthortë i kësaj legjende, tashmë të përcjellë gojë më gojë që nga periudhat e mesjetës, e deri në momentin kur një lexues do të përballet me këtë tragjedi, protagonistët e së cilës ndihen të humbur në idealin e tyre, por kurrsesi të mposhtur! Pas një tregimi të tillë, besoj se gjithkush e ka mëse të vështirë, gati të pamundur të flasë përpara autorit të kësaj vepre romanore, që bëri të mundur pas një boshllëku të tillë ndërkohor, të risjellë për një gjeneratë tjetër, me një mendësi dhe norma morale krejt të tjera, edhe njëherë mundësinë të ripërjetonim dhe të gjykonim mbi fatalitetin e një historie dashurie e cila ende ngjan se përcillet në ato vise, ku enden dy protagonistët e legjendës “Fatbardhi dhe Bukuria”.

Lidhja e dy heronjve të kësaj vepre, shfaqet ashtu natyrshëm në rrethana krejt të rastit, e ngërthyer prej mentalitetit primitiv dhe një atmosfere ekzotike, ku fati i njeriut, kishte një pikënisje dhe një destin të paracaktuar. Në këtë histori të pashkruar kurrë më parë, por vetëm të përmendur ashtu shkarazi në nonjë studim, këto elementë përbërës të kësaj shoqërie, disi e veçuar nga zhvillimet që po njihte njerëzimi në botën përtej brigjeve, thyhen teksa personazhet u dorëzohen instinkteve dhe përjetimeve të fshehura brenda një flirti, diku në një cep të fshehur, larg njerëzve dhe mureve që përmbyllnin kontinentin. Për vetë rrethanat që krijohen hap pas hapi, subjekti i kësaj vepre nis të lundrojë në rrjedhë të përkundërt me ritet dhe zakonet që kjo shoqëri njerëzore pati ngritur ekzistencën e saj. Shiu është elementi fat’thënës i dashurisë së tyre në kumtin e një lumturie të përkohshme. Sërish çdokush prej nesh ka rrugëtuar mbi udhën në dalje të Tiranës, e cila përfundon në hyrje të një prej qyteteve më të vjetra të qytetërimit antik, Durrësit. Ashtu si krejt padashur, të gjithë ne, prekim një gjymtyrë të mbetur atje përtej, të kësaj historie të ndodhur shekuj më parë, por që ende ekziston e mumifikuar në kujtesën e vendasve. Ashtu ajo mëkon me ndjesinë e mëkatit dhe njëkohësisht të fajësisë, vetëdijen e bashkësisë njerëzore që ndoshta edhe rastësisht në kohë të ndryshme udhët i janë kryqëzuar me fatin e mëkatarëve Fatbardh e Bukurie. Ashtu, ndoshta si rastësisht ndërthuren tragjizmi i Romeo e Zhuljetës dhe i Fatbardhit dhe Bukurisë, në koordinata gjeografike dhe historike krejt të ndryshme, të pandikuara nga njëra tjetra, por të trysnuara për destinin e fundit nga një fuqi e mbinatyrshme, ajo njerëzore! Pasi ke lexuar krejt faqet e këtij romani dhe nëse të rastis të udhëtosh mbrëmjeve në udhën që përshkon fshatin Ndroq, të krijohet ndjesia sikur në këtë kënd të planetit nuk gjendesh i vetëm gjatë përshkrimit të kësaj rruge të gjarpëruar. Krejt papritur e gjen veten të ngërthyer në pandehmën se ata të dy ndodhen diku aty pranë teje, si në një sonabul ata dalin nga varri i tyre për të ritreguar atë çka ata përjetuan dhe ndanë së bashku në jetët e tyre, e cila zhbëhet vetëm në një histori dashurie. Po të mos ishin dëshmitë e shumta të udhëtarëve apo historian vendas apo të huaj, kjo histori të josh të besosh se është pjellë e traditës gojore të përcjellë brez pas brez. Dhe sërish kjo ngjarje e ndodhur shekuj më parë rivjen përmes letërsisë, ashtu e paprekur. Kur prek një pas një kalvarin jetësor të dy dashnorëve, nuk dihet se kush prej rrëfyesve ka shtuar apo ka ndryshuar diçka prej vetes në këtë histori, por ajo që kuptohet në epilog të legjendës, ka të bëjë me përshtypjen se gjithkush ka ritreguar diçka prej subkoshiencës së tij dhe ka lënë në të, një pjesë prej vetvetes. Në këtë roman, personazhet rivijnë në përmasat e tyre reale dhe autori është përpjekur me të gjitha hapësirat që ofron letërsia, të davaritë pluhurin e legjendës. Nëpërmjet një stili të ç’kontraktuar dhe lakonik, ai deshifron kthjelltësisht distancat ndërmjet gjeneratave të ndryshme, besëtytnitë dhe ritet, që të patransformuara vijnë deri të ditët e sotme. Autori i kësaj vepre e ka trajtuar këtë subjekt dhe protagonistet e tij në dy plane: në atë të shkrimtarit dhe të mjekut. Nëpërmjet formimit të tij, Spiro Mëhilli sendërton njerëzoren përtej haluçinantes, të përjetshmen matanë të përkohshmes, atë çka është tokësore, përkundër mitikes. Në një nga ato koiçidencat e rralla që i sjell vetëm jeta, loja e fatit, e ka hedhur autorin e kësaj vepre, Spiro Mëhillin të punojë për disa vite me radhë edhe në ato vise ku përcillet prej motesh gojëdhëna e kësaj tragjedie. Diku, ai ndërmend një udhëtim që ka përshkruar me të atin në të njëjtat koordinata gjeografike në një moshë fare të vogël, ku sërish ky vend i fanepsej si një botë me ligje dhe rite krejt të vetat. Dy të rinj të anatemuar nga koha e tyre, të dënuar nga vetvetja dhe më tej të braktisur nga celebrariteti i kohëve moderne. Një fatalizëm i mbrujtur nga shekujt e kaluar që endet si mallkim kudo nëpër botë që nis e përfundon në konturin e një varri të braktisur. Dhe ky shtrat i gërryer nga shirat e çdo stine, u formua heshtur në ndërgjegjen krijuese të shkrimtarit, përgjatë një jete njerëzore, deri në çastin kur rrëketë e tij vërshuan për të krijuar një vepër të tillë letrare, autorësinë e së cilën do ta lakmonte çdo penë që lëvron letërsinë. I dashur mik, në fund të kësaj historie, ku fshihet tragjedia njerëzore, ndiej detyrimin të të pohoj se falë vullnetit tënd për të na rizgjuar një histori të dënuar qëkuri dhe të ngritur në amshim deri në kohët e sotme, ke mundur të më japësh një ndëshkim disi të fatal, atë për të gjykuar mbi të parët e mi, mbi të parët e tu, mbi pararendësit tanë, për të gjithë ata që përbëjnë të kaluarën tonë, në një mënyrë apo në një tjetër, arrite të bësh rezonancën e prejardhjes të atyre që ende nuk kanë lindur, duke bartur një ndjesi për të cilën  ndërgjegjja jonë nuk do të gjejë kurrë prehje.

Zoti iu qoftë pranë dhe i ndjeftë për gjëmat e tyre!

Ermir Nika