-histori dhe aktualitet-
Janë dy emra të përveçëm toponimikë të Shqipërisë Jugore, që çuditërisht kanë shumë lidhje njerëzore të fuqishme dhe aspak lidhje e kufij territorialë. Janë dy krahina, e para prej më se 100 fshatrash, disa prej tyre si qëndra të banuara që nga prehistoria (Vlusha, Tomorri, etj) dhe të tjerat me lashtësi të dokumentuar rreth 700 vjetësh; e dyta, një trevë me 16 deri 32 fshatra të ngulmuara, me një hershmëri të njohur para epokës së Skënderbeut.Për një periudhë të shkurtër historike (1953-1955), kur Roskoveci ishte rreth, këto krahina kanë qenë të administruara si pjesë përbërse të qarkut të Beratit. Më pas fshatrat e Roskovecit u ndanë, disa për të qenë pjesë e rrethit të Beratit dhe të tjera të rrethit të Fierit e madje, disa të rrethit të Mallakastrës. Ndërsa, Skrapari si rreth më vete, gjithmonë mbetet nën juridiksionin e qarkut të Beratit. Për banorët vendas e të ardhur nga Skrapari në trevat e gjera fushore myzeqare kanë shkruar edhe shumë të tjerë. Kështu p.sh. në mënyrë thuajse shteruese për skraparlinjtë e rrethit të Fierit e sidomos ata të luftës, të naftës e të bujqësisë, është shkrimtari Demir Korita, që ka bërë studime, botime dhe libra monografikë të thelluara. Gazetarët Zylyftar Hoxha e Dhimitër Shtëmbari, mësuesi Belul Imshta, publicisti Enver Cakaj, kanë bërë publikime të shumëllojshme për individë dhe ngjarje me peshë kombëtare. Veçanërisht shkrimtari vendali nga Roskoveci, Thoma Goga ka publikuar fakte, emra dhe ngjarje të gjithë kohrave në gazetën ‘Roskoveci’ dhe në organe të tjera lokale e kombëtare. Duke lënë për të folur veças për shkrimtarin e ndjerë Jovan Jano që ka trajtuar emra e ngjarje për skraparlinjtë e rrethit të Lushnjës.

Nga të dhënat toponimike në afërsi të fshatit Strum del se gjendet një lagje që njihet edhe sot me emrin “Tomorrakët”. Thonë se një pjesë e madhe e tyre janë të ardhur nga viset e Tomorrit në kërkim të vendeve më të mira për jetesë dhe pjesa tjetër për t’iu larguar hasmërisë dhe efekteve të ligjit kanunor të hakmarrjes, thuajse të shuar në të dy këto krahina, si në Roskovec ashtu edhe në Skrapar deri në vitin 1990 dhe të përtërirë fatkeqësisht në vitet 1990 e tëderitanishme. Veç shkencave të tjera, toponimia, na jep të dhëna interesante lidhur me hartështrirjen e principatës së Muzakajve, nga emri i të cilëve hamendësohet të këtë prejardhjen emri i sotshëm i fushës së Myzeqesë. Kështu në Skrapar janë dy fshatra, Muzhakë dhe Muzhenckë. Në rajonin e të parit gjenden edhe toponimet “Sarajet e Gjonit” dhe “Pylli i Gjonit”.
Shekuj e vite më vonë, shumë skraparlinj do të ‘vareshin poshtë fushës së Myzeqesë’ duke blerë edhe toka e çifligje si Hysen Zaloshnja,e të tjerë.Duke përdorur ku paranë e mirëkuptimin dhe ku forcën e dyfekun ata u ngulmuan aty “me kuç e me maç”, ndërtuan marrëdhenie të mira me banorët vendas dhe u bënë me kalimin e kohës, edhe ata vendalinj .Janë faktorët ekonomikë ata që kushtëzojnë çdo ecuri të shoqërisë dhe marrëdhënieve njerëzore, ku ndërhyrja e politikës së klasave sunduese ka rolin e vet pengues apo përparimtar.Kështu mund të numëronin disa më kryesorët faktorë të lëvizjeve e ngulmimeve demografike të skraparasve:nevoja për mbijetesë, për jetesë më të mirë, për burime të reja pasurore e ecuri në ngjitje të zhvillimit ekonomik;luftrat për pushtime të reja nga forcat më të mëdha sunduese në kalim shekullor dhe dyndje , lëvizje e shpërngulje masive si rezultat i ardhjes zaptuese së të huajve; kërkimi i rrugëve për të shpëtuar fisin nga gjakmarrja ; luftrat kundër fiseve pushtuesve ose armiqve të përbashkët, ndërthurja e kulturave dhe dialekteve gjuhësore,lëvizja e centralizuar për fuqi punëtore në zonat fushore.etj. Por ka pasur e do të ketë edhe kushte natyrore si: tërmetet, përmbytjet, rrëshqitjet, djegiet me burim shkaqe të natyrës e vepër e njeriut etj. Kështu ka ndodhur edhe me lëvizjet e skraparlinjve drejt Roskovecit.E gjithësesi si të ardhurit edhe vendasit kurdoherëe kanë gjetur fjalën dhe kanë krijuar lidhje historike të qëndrueshme vëllazërore të ndërsjellta deri në ditët tona.

Në një kalim panoramik të zhvillimit të marrdhënieve historike të banorëve tëkëtyre krahinave del se vetëm gjatë periudhës së Luftës Antifashiste Nacional çlirimtare të popullit shqiptar-koha më vullkanike e popullit tonë në luftë për liri e çlirim-, në Roskovec kanë ardhur shumë skraparlinj.Kanë ardhur si luftëtarë, si komandantë e komisarë, a si drejtues kryesorë, dytësorë apo thjeshtë luftëtarë, etj-por ama kanë ardhur jo pak.Kanë luftuar, jetuar, punuar, ndihmuar dhe ngulmuar ose larguar.Vetëm nga komuna e Çepanit( e cila ka pasur e ka 15-16 fshatra) të inkuadruar në njësi të ndryshme partizane , kanë luftuar në zonën e Roskovecit Njazi Çepani, Tefik Lapani, Xake Basho, Ahmet Prishta, Besim Daja, Myrteza Çela,etj. Madje dëshmori i parë i rrethit të Skraparit i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare është pikërisht Tefik Lapani.Emrat e Alush Grepckës, Zylyftar Veleshnjës, Kahreman Yllit, Tajar Grepckës, Njazi Çepanit, Iljaz Sevranit, Qemal Begos, Hysni Daja, Safet Hatellari, etj janë shumë të njohur në krahinën e Roskovecit për nga roli që ata kanë luajtur në luftë e në punë, në administratë, në ekonomi bujqësore etj. në periudhat kur ata kanë qënë në Roskovec në harkun kohor 1942 deri 1974. Mjaft syresh kanë lënë edhe gjurmë të shkruara si Heroi i Popullit Zylyftar Veleshnja,kuadri i lartë i rinisë se i partisë së asaj kohe Safet Hatellari(Korita), inxhinieri gjeolog dhe shkrimtar Latif Fodulli,etj.Nga ana tjetër nuk harrohet kurrë se Brigada 16 Sulmuese partizane e krijuar ne 20 gusht 1944 në Therepel kishte një batalion, me emrin “Myzeqeja” me përbërje bij të fshatrave lushnjare, fierake, roskovecare, rreth 160 vetë, të cilët luftuan trimërisht.Nuk duhet lënë menjanë fakti se politikat ekonomike apo aspektet e tjera të karakterit administrativ e politik të qeverive të ndryshme pushtuese apo vendase shqiptare, kanë luajtur një rol jo të vogël në marrëdheniet Skrapar-Roskovec në periudha të caktuara historike. Kam një fakt historik me vlera jo vetëm njohëse, por edhe studimore e që hedh dritë mbi këtë moment i cili ka të bëjë me vendosjen e skraparlinjve në Roskovec.Çepanlliu Sejat Gani Selfo , lindur në vitin 1889 ( sipas arkivit të shtetit shqiptar , fondi 227 ,fleta12), …iku emigrant në Selanik kur ishte 17 vjeç . Atje punoi në një duhanishte dhe u specializua për ato procese pune. Atje qe edhe dajiu i vet çepanlliu i kamur Ahmet Ymer Osmani . Ky u martua me Sadikanë , një grua turke , burri i së cilës Sulejman Uzakin ishte vrarë në luftën famëkeqe vrastare të Çanakalasë . Sadikaja kishte dy vajza me burrin e parë dhe nuk pati fëmijë me Ahmetin. Vajza e parë e saj, Mirija, u martua në Turqi.Ahmeti, vajzën e dytë të së shoqes , Sadrijen ia bëri nipit Sejat për nuse.Atëkohë qeveria greke vendosi që emigrantët, të cilët kishin kombësi turke , sikteriseshin e të shkonin në Turqi . Njëzet skraparlinj, midis të cilëve edhe Sejati , morën vendim që të mos shkonin në Turqi e as të rrinin në Greqi fshehtas , por u kthyen në atdhe”.Ku ka si Shqipëria!”- thanë ata. Ashtu siç thonë jo pak emigrantë edhe sot!?Ka qenë viti 1931. Dy muaj, Sejati me pesë fëmijët qëndroi te Kapllan Bego i Çepanit e pastaj shkoi në Roskovec sepse atje,politika e qeverisë së asaj kohe i thithte emigrantët duke iu premtuar tokë dhe strehë dhe punë në kultivimin e duhanit. Ishte Rane Resuli ai që, tokën e mbetur në Çepan,ia punoi, i voli arrën dhe ia çonte në Roskovec rakinë , pekmezin, rehaninë dhe kaçkat.Më pas vdiq më 1936.Në Roskovec dhe e la djalin e vetëm, Refatin, 3 vjeç. Refat Sejat Selfo lindi në vitin 1932 në një hotel në Korçë , gjatë udhëtimit të familjes së Sejatit prej Selanikut për në Shqipëri. Pasi qëndruan disa kohë në Roskovec erdhën në Berat. Periudha e socializmit Refatin e gjeti dhe e përfundoi me punë si këpucar. Refati punoi më tepër se 40 vjet e në Berat njihet si prestari më i mirë.Kurdoherë Refati i ka patur inat dallaveret dhe ka bërë vetëm punë të pastër. Në një shkrim në gazetën “Puna”në vitin 1961, për Refatin shkruhej “ky njeri, a është puntor apo është motor “ nga që arrinte të realizonte edhe dy deri tre norma. Skraparliu dhe roskovecari e kanë parë jetesën vetëm tek puna, të djersa e ndershme dhe jo të krimi dallaveret dhe vjedhjet.Dhe si fati i familjes Selfoqë jetën e saj e ka lidhur me Roskovecin, ka patur edhe shumë të tjerë…”

Të tjera arsye që motivojnë ngulmimet jo të pakta të skraparlinjve, gramshjotëve,( ashtu si edhe jo pak qytetarëve beratas) në Myzeqe e posaçërisht në Roskovec janë ato tregtare dhe fetare. Roskoveci ka qenë e mbetet pikë nyje që lidh zonën e thellë të Shqipërisë qëndrore e jug-lindore me bregun e detit Adriatik.Njihet prej me tepër se një shekull ekzistenca e Pazarit të Frashërit që është bërë në qendrën e banuar të Roskovecit, emër i cili , për arsye të shpejtësisë, cilësisë, sasisë e shumëllojshmërisë sëprodukteve të shkëmbyera e të tregtuara, të famës që mori ndër vite, u shndrua me kohë në emrin emblematik ”Pazari i Roskovecit”, ashtu siç e ka edhe sot. Si rrjedhojë e këtyre marrëdhënieve të ndërsjellta të ardhurit nga zonat e thella krijuan bazat e tyre në Myzeqe e në rrethinat e Roskevocit për të lehtësuar veprimet e tyre tregtare.Shkrimtari myzeqar Jovan Jano në librin e vet “Fisnikëri Myzeqare”, botim i vitit 2009 e trajton gjerazi praninë e skraparlinjve në fshatra të Lushnjes e më gjerë në Myzeqe. Autori shpjegon se ata janë shumë dhe kanë ardhur në këtë krahinë me planifikim qeveritar, i asaj periudhës kur në Shqpëri punohej vetëm me plan,centralizim, disiplinë dhe shkencë, në dobi të prodhimit të të mirave materiale, siç qe rasti kur në fshatin Dushk u konturua një sektor frutikulture i gjerë dhe mbi baza shkencore në vitet 1970-1975. Po ashtu ata kanë krijuar madje dhe “oaze” skraparlinjsh në fshatra të tjerë. Janë komunitete që manifestojnë solidaritet të fuqishëm , ndjenjë miqësie e harmonie dhe e shohin lulëzimin e jetës me burim të vetëm punën dhe djersën e ballit.Jovan Jano përmend aty me qindra familje e akoma më shumë individë që kanë lënë gjurmë në jetën myzeqare në vite, si puntorë të thjeshtë, si specialistë të përkryer në sektorë të ndryshëm të bujqësisë , blegtorisë dhe frutikulturës,(pa përjashtuar edhe ato të industrisë, artit dhe kulturës), si drejtues të aftë e të ndershëm dhe si njerëz të emancipuar, të kulturuar e me komunikim të ngrohtë , tepër miqësor.Feja myslimane dhe ajo ortodokse kanë patur rolin e tyre jo të vogël në këto ngulmime. Lidhur me këtë aspekt shpirtëror të këtyre banorëve si vëndas edhe skraparlinj, shkrimtari dhe publicisti Jovan Jano ndalet hollësisht dhe do të mjaftonte shprehja lapidare e tij:”Ata vijnë nga Tomorri dhe janë si Tomorri”.Kam një tjetër episod interesant i viteve dymijë që flet pa koment.
“ Fshati im, Kállfani, administrativisht i përket rrethit të Fierit edhe pse është në afërsi të Roskovecit. Eshtë vend i sheshtë, me gjelbërim të këndshëm dhe me toka pjellore.Dikur ka patur shumë banorë, thuajse të tërë të ardhur nga Grabova, gjatë kohës së plaçkitjeve dhe djegieve të mëdha të atij qyteti tregtar aq të përmendur e të pasur në bukuri e begati.Këta vllehë (çobanë),siç dihet,me origjinë të largët janë të prejardhur si kolonë romakë dhe nga Vllahija.Historia bëri të sajën dhe prej mëse dy shekujsh ne ndodhemi në fshatin afër Qafës së Sqepurit ku gjatë luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare janë zhvilluar luftime shumë të ashpra që përfunduan me fitoren e partizanëve. Thuajse pas shpinës së fshatit tonë, në lindje , në një kodër të vogël është ndërtuar prej shumë kohësh Kisha e Shën Sotirit, një objekt kulti, i vetmi dhe më i bukuri në atë fshat.

Pas asaj kodre, ku është ndërtuar kisha, tutje larg në horizont, aty ku mbaron vazhdimësia e Shpiragut, në të njëjtin drejtim, madje në vijë të drejtë, sikur ta kishe hequr me vizore, syri të rrok majën e malit epik të Tomorrit. Dhe çudia është se këmbanorja e bukur e kishës është plotësisht në një vijë me majën e Tomorrit. Ai duket shumë i bukur e madhështor, joshës dhe sikur shpërndan dritë jetëdhënëse. Në ngushëllim për vdekjen e nënës time,të mjaftnjohur në fshat, paçka se ajo jetoi në Tiranë për disa vite rradhazi deri në fund të jetës së saj, kishte ardhur edhe djali rreth gjashtëdhjetë e pesë vjeç i xha Petros. Pas fjalëve të përshpirtjes, për të cilat i shpreha mirënjohjen, biseda rrodhi lirshëm.Unë i kujtova me respekt babain e tij xha Petron, që ishte kollos, i pashëm dhe punëtor i madh; ishte burrë që jepte ndriçim; se familjet tona kanë pasur një shkuarje të mirë dhe fqinjësi të ngrohtë me njeri -tjetrin. Kujtova me po aq respekt se xha Petro ishte i vetmi idhtar i bektashizmit në fshatin tonë ku të gjithë banorët ishin të besimit ortodoks.
“Jo, e keni gabim”, ma preu shpejt e shpejt i biri. “Ai nuk ishte aspak bektashi.Ai ishte vetëm një ortodoks i kulluar.”Me sa kuptova unë , nga toni i zërit të tij, ishte një mendim i shprehur me mërzitje që mund të kalonte edhe më tej. Mirëpo, për mua nuk ishte aspak e udhës, që ta yshtja më muhabetin kundërshtues. Ai vijoi me një zë të furishëm: ” Petrua, i ndritë shpirti, bënte kryqin sa herë, dhe si të tërë fshatarët, sipas zakonit, kthente fytyrën nga Kisha e Shën Sotirit.”
“Po ashtu ka qënë”, vazhdova unë.”E mbaj mend, por ama ai kurrë s’iu drejtua Krishtit, por thoshte ”Të qofshim falë o Abaz Ali Tomorri”. Kjo më kujton atë që thoshte Lord Bajroni :”Në fakt shqiptarët janë edhe myslimanë edhe të krishterë, por më shumë as ashtu , as kështu…”, veçse ama, e mbajnë “vështrimin lart andej nga Tomorri…”Kështu tregoi esteti, piktori dhe kritiku i artit roskovecari Llambi Blido nëKafe “Nirvana”, Tiranë.Ky piktor, edhe pse me shikim të humbur prej mbi 25 vitesh,është edhe një nga bijtë më të nderuar e aktivë të Rockovecit.

Arsye të karakterit psikologjik si afri në shpirtin luftarak, ndjenjën e mosnënshtrimit ndaj të huajit, ndjenjën e punës, mirëshkuarja në bashkësisi dhe në tradita e zakoneku përmendim mikpritjen, nikoqirisjen, thjeshtësinë, pastërtinë e mjedisit të banimit etj.- janë gjithashtu aspekte që kanë ndihmuar në ardhjen, vendosjen dhe ecurinë e shumë individëve e më pas familjeve të banorëve skraparlinj në Myzeqe në tërësi, dhe në Roskovec në veçanti.Ashtu si Çepani dikur edhe Roskoveci dikur e sot, kanë nga 15-16 fshatra në përbërje administrative. Janë të njohur në mbarë vendin shkrimtarët roskovecarë: Mystehak Xhemali,Mimoza Xhindi,Nuri Plaku, Flamur Çepele. I veçantëështë kontributi i publicistit, shkrimtarit dhe autorit të shumë e shumë fejtoneve në letërsinë shqipe bashkëkohore, Thoma Goga, i cili për katër vite rresht ideoi, strukturoi, përgatiti, botoi me cilësi të lartë e shpërndau falas gazetën “Roskoveci”, e para në historinë e këtij rrethi(bashkie).Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe Heroin e Punës Socialiste Qemal Yzeiri, lindur në fshatin Rërëzë, dhe banues prej afër një shekulli në Roskovec, më trimi dhe më punëtori i këtij rrethi, që ishtetre vjet partizan e tërë jetën e tij më pas qe traktorist;pra trim në luftë e hero në punë; babaxhan, njeri i vëllazërisë e i miqësisë, një nga kryesorët e epiqendrës së vlerave qytetare të krahinës.
E tani nga lartësia e çerekut të parë tëmijëvjeçarit të tretë, këto ngulmime skraparlinjsh,janë njësuar, diku janë shtuar si rezultat i martesave, ardhjeve të reja etj.Por më dendur ka plagë të rënda. Kanë ikur, janë mpakur, për shkak të emigracionit kësaj sëmundjeje kanceroze, të shpopullimit shfarosëse shumë arsyeve të tjera rezultat i politikave jo ndihmëse për banorët tashmë të mirëfilltë shqiptarë në trojet e veta.Gjithsesi, në krahinën e Roskovecit, gjithnjë në unitet të plotë dhe pa raste konfliktuale, jetohet e punohet për të siguruar pa dyshim vijimësinë e pashkëputur të lidhjeve midis Skraparit dhe Roskovecit në kuadrin e përgjithshëm të unitetit kombëtar shqiptar.Këto tradita, pikërisht, kërkon të njohë, të ruajë e të shtojë edhe puna e vijueshme e shoqatës mbarëkombëtare atdhetare e kulturore “Tomorri” në këto treva Fier, Lushnjë,Roskovec,etj.Kalimthi do të përmendnim aktivitetet e shumta dhe rolin e shokëve si Bashkim Sulçe,Estref Çullhaj, Demir Korita,Haxhi Kalluçi, Rustem Zyko,Zagoll Gjoni, dhe kryetarit të shoqatës Engjëllush Musaj, etj.


















