Sigal

Istref Haxhillari

Thonë se nuk mund të bëhesh profet në vendin tënd, thonë edhe se çupa e fshatit i ka këmbët e djegura. Sot këto fjalë të urta, ardhur nga thellësia e shekujve e kanë zbehur fuqinë e tyre. Me sa duket edhe ato plaken e firojnë. Në karrierën time letrare më ka qëlluar të marr disa trofe, ndër të cilat “Don Kishoti i Mençës” nga Ambasada e Spanjës në Tiranë, “Mitrush Kuteli” nga Klubi i shkrimtarëve të qarkut të Korçës, “Anton Pashku” nga Revista “Kuvendi” në Miçigan, SHBA etj. Po ky i tanishmi ndryshon kryekëput. Sot ndodhen në fshatin tim, Dunicë, ku u linda dhe u burrërova, ku njoh çdo kodër, grykë e gërxh. Aty janë vragat e pashlyeshme të fëmijërisë, çapkënllëqet e rinisë së hershme, jeta e mundimshme e prindërve, varret e të parëve brez pas brezi. Dhe kujtime pa fund. Ndodhem në Kalivaç, fshatin e dajallarëve te mi. Në lëmin e pjerrët pranë lumit Shkumbin kam luajtur këmbëçalë më shumë se në oborrin e shtëpisë sime. Qysh fare të vogël më çonte atje çdo javë gjyshja ime e mirë, Diliko. I pata premtuar se kur të bëhesha ca më i madh do t’i blija fustan me ngjyrën e qiellit. Atëherë s’kisha para. Nuk më priti, qe e moshuar dhe iku nga kjo botë, kur unë ende vazhdoja shkollën. Në Malinë babai im, djalë i vetëm, bëri një vëlla me të cilën shkoi më mirë se vëllezërit prej një gjaku në këtë botën tonë mëkatare. Në sahatin e vdekjes xha Sabriu kërkoi t’i ulesha pranë, për të më dhënë porositë e fundit: Ta respektoja tim atë se ishte burrë i drejtë e i vuajtur. I dhashë fjalën me lot në sy. Dhe u përpoqa sa munda. Po ende sot nuk e di a e kam mbajtur premtimin! Në Podgozhan gjyshja kishte një mike të çmuar, e cila çdo Pashkë na sillte një shportë me vezë të kuqe. Ne, fëmijët, habiteshim pse pulat e krishtera i bënin vezët me ngjyrë, jo të bardha si tonat! Çdo Bajram nëna më hidhte në krahë një torbë me kulaçe e lale t’ia çoja teto Fanos. Në këtë fshat të mrekullueshëm mbarova më vonë shkollën shtatëvjeçare dhe nisa rrugën e jetës, larg vendit e larg njerëzve të mi.

Në Trebinjë punova dy vjet drejtor i shkollës së mesme dhe bëra miq të shumtë me të cilët më lidhin kujtime të ëmbla. Një teze e nënës në Selcën e Sipërme jetoi njëqind vjet dhe, kur i erdhi koha, vdiq në gjumë. Sa herë e shihja, përpiqesha t’i numëroja rrudhat mbi fytyrën e plakur, po kurrë nuk ia dola, nga që habitesha si mund të ishte aq e zhubrosur një futurëzë e imët sa ajo e tezes. Sot ndodhem në Çezmë, Pleshisht, Oshteçë, Llëngë mes shokëve të rinisë. Rrallë ka qëlluar shtëpi ku të mos kem bujtur, kur punoja shef i seksionit të arsimit e kulturës së rrethit. Sapo merrte vesh se do të vija në Hondisht, Izja Xhika, shoku im i shkollës së mesme, mblidhte vëllazërinë, bënte aheng si të qe dasmë e vërtetë. Mua më dukej se ftonte gjysmën e fshatit. E, pra, sot jam në Dheun tim… Dyzet vjet më parë iu bashkova një grupi djemsh mokrarë me të cilët filluam rrugën e gjatë të dijes. Atëherë ishim të varfër, po nënat tona na kishin mësuar të mos ulnim kokën, se varfëria nuk është turp. Turp është të vjedhësh. Dhe ne nuk vodhëm kurrë. Kudo shkuam, nuk gënjyem, se baballarët na këshillonin të thoshim gjithmonë të vërtetën. Për këtë dikush na quajti syleshë dhe mori shpërblim një grusht turinjve, se na kishin mësuar të ruanim dinjitetin e vendit tonë. Dhe ne, djemtë e këtyre anëve, e mbajtëm me krenari emrin e të parëve. Ishim absolutisht të ndershëm se gjyshet e paepura na mësuan të respektojmë femrën, si motrat e nënat tona, ndaj për të mbrojtur dinjitetin e shoqeve të shkollës, u përleshëm dhëmb për dhëmb me imoralët. Për këtë na quajtën fanatikë. Por gabuan. Ne, djemtë e provincës, dashuruam vajzat më të bukura dhe nuk i mashtruam, po ndërtuam me to familje moderne dhe rritëm fëmijë të mrekullueshëm. Këto virtyte nuk i mësuam në shkollë, as në jetë, i kishim të injektuara nën lëkurë nga prindërit tanë, prandaj nuk i harruam kurrë. Nëpër mote miqtë u shtuan, rrethi u bë i madh sa nuk numërohen, po shokët e fëmijërisë mbeten më të dashurit, më besnikët e më të fismit. Shpesh më ka qëlluar të shtrohem në gosti me korçarë e devollinj, shkodranë e gjirokastritë, vlonjatë e dibranë, po kurrë nuk e hasa gjëkund atë dollinë e hollë mokrare, elegancën dhe finesën me të cilët baballarët tanë e pinin rakinë… Me kohë m ’u rrit në shpirt një ngarkesë që, pasi e mbajta gjatë përbrenda, e derdha nëpër shkrime. Fillova me një libërth të vogël titulluar “Përthyerje” ku hodha nxitimthi copëza nga etnosi i vendit. Shpejt e kuptova se me aq nuk kisha thënë gjë. Atëherë mora nismën për të shkruar romanin “Pesha e kohës”. Dy vjet e gjysmë derdha të gjitha sa më brenin për historinë dhe zakonet e të parëve, traditat dhe kulturën, derisa i ngrita vendit tim një monument prej letre që shpresoj të jetojë gjatë. Edhe në librat e mëvonshëm Dheu im mbeti burimi i frymëzimit dhe besoj kështu do të jetë sa të kem frymë…E pranoj me përulje këtë titull nderi, si dhuratën e çmuar të vendit tim, tuajën që keni mbushur këtë sallë. Faleminderit. Ju përqafoj të gjithëve! Mirënjohje për titullin “Qytetar nderi”!