Pasditen e vonë së të mërkurës Gjykata Kushtetuese me shumicë votash hodhi poshtë kërkesën e Partisë Demokratike për të shfuqizuar ligjin për administrimin e parkut të Butrintit me argumentimin se ligji nuk cenon parimin e kontrollit të financave publike edhe pse “Butrinti” do të jetë në menaxhimin e fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Ky argument rrëon kështu pretendimin e Partisë Demokratike për cenimin e kontrollit të financave publike që kushtetuesja e quan si të pabazuar pasi në “aktet e administruara dhe qëndrimet e palëve në gjykim ajo arriti në përfundimin se nuk vihet në diskutim ushtrimi i kompetencës së KLSH-së për të kontrolluar financat publike, pavarësisht llojit të entitetit që i administron ato” Gjithashtu, Kushtetuesja çmon se shteti shqiptar ruan atributin e tij sovran për sa kohë ruan pronësinë mbi Butrintin në administrimin e tij indirekt. “Gjykata vlerësoi se pavarësisht transferimit të kompetencave me natyrë administrative (menaxhuese) tek Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, shteti vijon të ruajë atributet e tij sovrane për sa kohë që ruan pronësinë mbi këtë pasuri ashtu edhe administrimin indirekt, në përputhje me standardet dhe parimet kushtetuese”, shpjegon Gjykata Kushtetuese. Për pretendimin për cenimin e parimit të ndarjes së pushteteve dhe të autonomisë vendore, Gjykata vlerësoi se argumentet e paraqitura kanë të bëjnë me përplasje mes akteve ligjore në fuqi, për rrjedhojë nuk bëjnë pjesë në juridiksionin kushtetues.






















