Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Himni i bukurisë burrërore

114
Sigal

Përmes fëshfërimës së gjetheve të dafinës,

si një afresk shfaqet madhështia e burrit,

dridhma e krimit marshon prej zanafillës,

etalon i legjendës,qysh nga epoka e gurit.

Mbi ty kanë rënë bukuritë sterile të bjeshkëve ,

pendë korbash daraviten syrit vegimtar.

Zana që të lindi, vdes dhe ngjallet netëve ,

duke mallkuar a bekuar eliksirin e bardhë.

Bukuria jote s’është e thënë të jetë diellore,

herë ngjan me yje, herë me përrenjtë,

kureshtje a frikë, ngjall te gruaja qiellore,

te virgjëresha, lë shkëndijën e beftë.

Që nga lashtësia pushton gjithçka që gjen,

me dashuri burri, apo tërbime epshore,

me unin mashkullor që rrjedh nga yti gen,

sa zemra shuhen heshtas netëve mortore.

Hiret e bukurisë sate ,nuk shijohen lehtë,

as kur rrjedh si valë, as si dallgë e sertë,

as kur fluturon madhështor gjer tek retë,

me njërin sy të puth, me tjetrin të vret.

Ndjenjën vrastare rrit në ngrehinat e zemrës,

pabesisht këput shpirtra, si të jenë degë.

Dora jote mizore, ndez e shuan jetën e femrës,

kandilin ia fik,si të mos jetë ndezur asnjëherë.

Kur gruaja të dashuron, bëhesh njeri tjetër,

në vesh i pëshpërit; I dua bukuritë e tua!

Gjaku ndizet kur e gjen në të tjerë shtretër,

por me guxim e shuan e ngrihesh fisnikëruar.

Bukuria jote, lyer me dekoracione gjaku,

bëma burrërore, mbjell flladeve përherë,

rënkime shpirtrash ti ndjell për së largu,

klithma llahtarë, të ndjekin nëpër terr.

Bukuria jote, nuk njeh plakje emri, prej moshës,

krijuesi të dha forcë muskujsh, të krijosh atdhe,

me frymën e shenjtë të pagëzoi,engjëll mbrojtës,

ty kryevepër më e adhuruar e më mizore mbi dhe’.