Majlinda KETA/ Institucione arsimore me standarde publike përballë korrupsionit shumëdimensional

540
Sigal

Për çdo shqiptar sot nuk ka më diskutim fakti i pranimit të prezencës së një dimensioni shumëdimensional edhe në institucionet arsimore, parauniversitare dhe universitare. Në qëmtim të fillim profileve të pohimit të fenomeneve korruptive dhe denoncimit publik të tyre në media, rreth viteve 2000 lidhemi me histori të kurseve private të detyrueshme në këmbim të kalimit apo cilësisë së notës. Kjo pamje ndeshej kryesisht në qytete të mëdha, në metropol dhe për habinë e kohës një televizion i vogël si Shijak TV, gazetarja Eljana dhe grupe senatorësh të qeverisë së nxënësve në studio, u bënë simbol i besimit publik për të denoncuar fenomenin. Ajo që unë vlerësoja ishte një farë seleksionimi pozitiv që vetë emisioni arriti për prezencën dhe shtrirjen e  fenomenit në shkolla konkrete. Ishin të pakët drejtuesit, apo stafe bashkë me drejtues, që “pranonin” ftesën e Eljanës pasi linja direkte kërkonte shumë moral personal dhe si staf. Mbi të gjitha Tirana u kthye në fuqinë e Qeverive të Nxënësve që merrnin jo rrallë në emision ngarkesën për t’iu përgjigjur publikut në mungesë të titullarëve të shkollave. Po ashtu kanë qenë një grup mësuesesh në shkolla edhe të “akuzuara” që mbeteshin si relike të faktit që mbi to mund të fillonte besimi se gjendjet mund të ndryshoheshin. Ka qenë nga eksperiencat më të bukura me stafin e gjimnazit “Arben Broci”, dhe që mbahet mend nga të gjithë si moment i ngritjes në kuota publike pasi njohën stafin, njohën që shkolla ofronte kurse në shërbim të cilësisë se ne bazë të politikave të vlerësimit kishte parimin e punës për një vlerë të shtuar në arritjet e nxënësve nga semestri në semestër dhe në bazë lënde. Si të thuash një e keqe me shumë dimensione në nivel sistemi u kthye në kredite publike të përmirësuara për një shkollë të këtij sistemi vetëm sepse bashkëvendosën standarde publike të qarta të mësimdhënies dhe matjes së arritjes së nxënësve në favor të cilësisë së arsimit komunitar. Kjo e fundit ndikoi shumë në mbështetjen shumëdimensionale, që ai komunitet prindëror, dha për shkollën dhe zhvillimin e saj po aq sa në gëzimin e një statusi si “Qendër Komunitare Qytetarie” në një rrjet të shkollave të Këshillit të Europës. Jemi pothuaj 14 vite më pas dhe besimi publik për imunitetin e institucioneve shkollore ndaj korrupsionit shumëdimensional është më i rënë. I lidhur me fëmijën nxënës apo student mbase edhe amplifikohet pasi shumë gjëra në sistem funksionojnë në favor të mungesës së standardeve publike dhe fuqisë vendimmarrëse të nxënësve dhe studentëve në jetët e tyre pranë institucionit arsimor. Po i kthehem institucionit të studentit në universitetet jopublike. Kanë 2 armë të forta në ligj ku vota e tyre sjell mundësinë për një standard institucional antikorruptiv. E para, është e drejta për të votuar për Rektorin dhe Dekanin, dhe e dyta që, janë të institucionalizuar si pjesë e Këshillit të Fakultetit apo Senatit të Universitetit. Janë fuqi jo të vogla, por të papërdorura deri tani në favor të denoncimit dhe luftës kundër korrupsionit më bën të bëj të besoj se “janë mundur” nga korrupsionistët që nuk janë në maxhorancë, por dëmin e bëjnë shumëdimensional në raport me perceptimin publik mbi korrupsionin në arsimin e lartë. Përfshirja në reformë duhet të përkojë me një rivitalizim të fuqisë së gjykimit të studentëve mbi dimensionet e korrupsionit në arsimin e lartë. Asnjë vlerësim përmes pyetësorëve institucionalë dhe nga struktura të institucionalizuara nga studentët nuk gjen si material mbi të cila të bëhen analiza dhe dënohen mbartësit e fenomenit, që e kthej sërish në vlerësimin që janë shumë pak, por dëmin e bëjnë jashtëzakonisht të madh. Çfarë i pengon Këshillat studentore, përfaqësuesit e senatit, Rrjetin e Studentëve Ekselentë që veç shumë angazhimeve të marrin përsipër të vetëvlerësojnë institucionin arsimor universitar, por edhe të ofrojnë mendim për standard që do të na imunizonin nga korrupsioni në arsimin e lartë publik. Mbi të gjitha më mungon në median e sotme “Eljana” kurajoze me emisione me linjë të hapur për auditorë studentorë, drejtues dhe pedagogë të universiteteve publike që në linja të hapura direkt pranojnë, diskutojnë dhe ofrojnë rrugëzgjidhje. Këto do ishin dy ide, por ka me dhjetëra që mund të ofrojnë vetë nxënësit dhe Qeveritë e Nxënësve, studentët dhe qeverisjet studentore për institucionet arsimore me standarde publike efikase përballë korrupsionit shumëdimensional në arsim.