Në rrugën me blirë gjurmët pikturuar,
mbi telajo minutash, që shpejt vrapojnë…
Me degët e pemës shpirti ka bleruar,
dhe lulet përmbi supet përqafojnë…
Në rrugën me blirë, buzëqeshjet ngjyrë ari,
dhurohen me aromën bashkuar;
Mbi flokë qëndrojnë si margaritari,
petalet e verdha mes prekjesh ëmbëlsuar…
Një fllad i ëmbël hije mjalti,
qytetin anembanë ka rrethuar:
I florinjtë bëhet i gjithë asfalti,
prej rrezeve të ngrohta, zemrat pushtuar…
Në rrugën me blirë brengat harruar,
në tik-taket e kraharorit kyçur qëndrojnë…
Prej dashurisë yjet kanë mërguar,
dhe dritën e artë pemëve ia dhurojnë…






















