Frano Kulli: Nga libri im “Djerrinave të kohës”, “Nishanet” e Hamit Boriçit …

19
Sigal

Sapo kisha filluar punë në gazetën “Bashkimi”. Kisha ca kohë që bashkëpunoja me gazetën. Shkrimet ia dërgoja kryeredaktorit Hamit Boriçi dhe kur rrethanat kishin ardhë e qe bërë e mundur, kryeredaktori kishte vendosur të më merrte në gazetë. Kemi filluar njëherësh, në të njëjtën ditë me Pëllumb Sulon, me të cilin njiheshim prej kohësh. Unë korespondent për zonën Lezhë-Mirditë, Pëllumbi për Shkodër-Pukë. Asokohe “Bashkimi”, e dyta gazetë në vend, ishte e vetmja pas të parës “Zëri i Popullit”, që në përbërjen e redaksisë, përposë gazetarëve të brendshëm, të ndarë sipas sektorëve e rubrikave, kishte edhe korespondentë në rrethe-gazetarë aktivë e profesionistë, që ishin pjesë e redaksisë. Rrethanat e kishin sjellë, që disa gazetarë mbas “colpo”-s (goditjes) që kishin marrë në kryegazetën e madhe, atë të Partisë dhe më pas i kishin degdisur në periferi jashtë Tirane për riedukim, kur i kishin rikthyer përsëri në Tiranë, tashmë të “riedukuar”, nuk i mbanin më te “Zëri…” po i  përcillnin tek “Bashkimi”. Njëri prej tyre ishte Mitro Çela. Gazetar i një formati të spikatur e që për ne ishte modeli…Nuk e thashë që në krye se për tre muajt e parë unë e Pëllumbi do të ishim në provë dhe vetëm mbasi të mbaronte kjo periudhë atëherë  mund të fillonim definitivisht punë në gazetë. Natyrisht një kohë impeniuese kjo për secilin prej nesh, e cila do të kërkonte një ritëm jo të zakontë e të zvargur, po përkundrazi të shpejtë e energjik. Një periudhë kohe e bashkëshoqëruar edhe me emocionet e natyrshme të një gjendje të tillë, diçka e ngjashme me emocionet e gjendjeve studentore para provimit. Se, sigurisht edhe kjo periudhë prove, një lloj provimi ishte, ndonëse njëra derë, ajo dera e madhe e redaksisë, si të thuash ishte hapur. Atë na e kishin hapur qysh kur na kishin pranuar për periudhën e provës. Veçse duhej merituar e ky ishte impenjimi. Por do të gëzonim, posë të tjerash edhe favorin që do të mund të dilnim shumë me shërbime, pra të lëviznim më shumë…Na thërret në zyrë kryeredaktori, prof. Hamiti. Ngulur e përqëndruar mbi shkrimet e hallakatura mbi tavolinën e madhe, i përqëndruar po njëherësh i qetë e me një ndjesi krejt butoshe që rrezatonte kurdoherë mirësi. E kishim shkodran dhe të dy ndjenim një afërsi pak më speciale simbas arsyetimit tonë, afërsi, të cilën, e zinim shpesh në gojë në bisedat tona të atyre ditëve me Pëllumbin. Kjo na bëri që njëzëshëm t’ia thonim lirshëm dëshirën e kërkesën tonë, se në shërbimin e parë do të donim të shkonim me Mitron. Mirë, me Mitron shkoni – na tha pa u zgjatur kryeredaktori, me atë ëmbëlsinë e komunikimit, të cilën ai e dhuronte me gjithsecilin bashkëbisedues, po që ne na dukej më e praruar edhe për motivin e sipërpërmendur. Në Shkodër e pastaj edhe në rrethet e tjera në veri- i thamë njëzëri ne. Mirë me Mitron, po pse në Shkodër, tha Hamiti. Ju nga andej po vini sot. E andej do të jeni prap. E do të keni më pak mundësi të shkoni në jug. Prandaj unë mendoj se është mirë të shkoni atje. Dhe ashtu ndodhi. Dolëm të bindur nga zyra hijerëndë, siç mund të ishte zyra e kryeredaktorit, e cila kontrastonte dukshëm me personin në krye të saj. U nisëm me shërbim në jug, me Mitron udhëheqës. E me Gugen (Astrit Alimehmetin) shofer. Ndaluam në Lushnje e morëm Filip Çakulin, asokohe korespondent i gazetës në atë qytet dhe vijuam udhëtimin e shërbimit: në Fier, në Tepelenë, në Gjirokastër, në  Sarandë… Ashtu si e kishte arsyetuar Hamiti. Dhe e kishte arsyetuar drejt e me plot maturi. Mirë për gazetën, por edhe për ne gazetarët e rinj mirë e kënaqshëm, gjithashtu. Ndërsa mua s’më shqitet nga kujtesa “urdhëri” i kryeredaktorit që tek ne vinte si një këshillë e butë e me ndjesi prindërore, më shumë se sa si urdhër. Një aso këshille  që i jepet birit a bijës të cilit a të cilës i dëshiron më të mirën e mundshme që mendon për të… E kujtoj shpesh këtë ndodhi të fillimeve të mija në gazetë dhe e përmend edhe sot me emocion po aq të fortë sa atëherë. Edhe tashmë kur mosha më vë mua në pozitën e atëhershme të prof.Hamitit. Se nuk gjeje kollaj sjellje e mirësi të tilla aso kohe, kur ndërmjet shefit e vartësit, zakonisht kishte më shumë drojë se mirëkuptim. Mbledhja e redaksisë, e cila qe thirrur mbasdite, zgjati deri vonë. Ashtu siç zgjatnin rëndom mbledhjet-analizë, kur thirreshin edhe korespondentët e rretheve. Unë me Pëllumbin që dëshironim të ktheheshim në Shkodër, shihnim orën herë njëri e herë tjetri, nëse do të mund ta kapnim apo jo trenin e fundit. Nejse, dikur mbledhja mbaroi. Dolëm. Teksa silleshim nëpër koridor, para se të ndaheshim me kolegët tanë, Hamiti doli vetë në derë e na thirri të dyve: -Ju po shkoni me Luanin në Shkodër – na tha. Ai do të shkojë në Shkodër sonte. (Luani ishte shoferi i kryeredaktorit). Ne u stepëm, të gjendur përpara një propozimi që nuk ishte i zakontë, sidomos për ne që ishim rishtarë. Më kujtohet se asnjëri nga ne të dy nuk foli. Ai, duke parë hutimin tonë të çastit, si për ta përforcuar kumtin e parë përsëriti: -Po po, shkoni me Luanin! Dhe pasi e pa se ne e kishim kapërcyer atë gjendjen e hutimit të fillimit, m’u kthye mua: “Hajde pak se kam me të dhanë një porosi për Myzaferin”, dhe nxorri nga sirtari i tavolinës një zarf e ma zgjati. E din Myzaferi – më tha dhe ma la zarfin në dorë. Myzaferi është vëllai i prof. Hamitit, me të cilin unë njihesha. U takuam me té të nesërmen paradite në Shkodër e, ndërsa drejtoheshim për në kafe, nxora nga xhepi zarfin dhe…Ë, poo – nisi me të qeshur ai- gjithmonë i pari ky…- tha duke bërë me dorë nga zarfi, sikur kishte përpara të vëllanë e më pas më spjegoi se në zarf ishte “kuota”për nënën. Hamiti, prej vitesh i dërgonte së ëmës një hise nga rroga e vet. Ky ishte rregull për të, qyshsekur ajo kish mbushur moshën e pensionit. Dhe si vëllai i madh që ishte  ua kishte sugjeruar këtë rregull edhe tre të tjerëve. Ka qenë një mbasdite vonë kur në Shkodër, në “Vorret e Rr’majit”, nën prarimin e qetësisë që mbretëron nën hijen e qiparizave, aso dite të trazuar shumë, në Kapelen ku prej 23 vitesh nuk thuhej meshë, do të “celebrohej” mesha e parë për shpirtin e purgatorëve. Dy ditë mbas ditës së “të shumtëve” (Ditës së të vdekurve që bie përvitshëm me 2 nëntor), 4 nëntor 1990…Pak më mbas qe lejuar më së fundi si lëshim i parë besimi në Zot edhe në vendin ateist, unikal në botë për nga ky shëmbëllim. Klerikët e pakët katolikë të mbetur gjallë prej zulmës ateiste, të sapodalë prej burgjeve të rregjimit (si prej fundit të ferrit), të ripërtërirë në shpirtin e tyre kurrë të bjerrun, ishin shpërndarë vetvetishëm nëpër kishat e transformuara e nëpër ato famulli prej ku i kishin nxjerrë përdhunshëm e i kishin plasë në burg. Nga “paria”e tyre kishte mbetë gjallë vetëm dom Nikollë Troshani. I vetmi Ipeshkëv i shuguruar. Edhe ai i sapodalë nga burgimi i gjatë…Kumti ishte kthyer në lajm tashmë dhe përcillej përzier me ngjarjet bujëmëdhá, që njerëzit besimtarë po u drejtoheshin gjysmë të lirë, po me kurajo, enteve të kultit. Në mbledhjen e redaksisë së “Bashkimi”-t, e cila qe rreshtuar tani disi në avangardë të veprimeve transformuese, që po ndodhnin në proceset ripërtëritëse demokratike, Hamiti kryeredaktor më drejtohet mua: Ti do të shkosh t’i bësh një intervistë Ipeshkvit dom Nikollë Troshani. Një detyrë, që mua më gëzoi. Më pas, kur mbledhja mbaroi e dolëm, duke m’u drejtuar si gjithmonë ëmbëlsisht shtoi: -Ti e di që ai është nga Troshani, unë e kam njoftë herët. Me nipin e tij Ernestin, shumë vite më parë kemi qenë mësues bashkë në Blinisht të Zadrimës…Të nesërmen kur mbërrita në shtëpinë ku qe kthyer e banonte ipeshkvi, e para gjë që më bëri përshtypje ishte një foto e madhe me ngjyra që pashë të kornizuar e varur në mur, e urimit që Papa Shenjti Gjon Pali i II i bënte Ipeshkvit Troshani me rastin e 50 vjetorit të shugurimit meshtarak. Atij dhe Kishës së Ripërtërirë Katolike të Shqipërisë, prelati i vetëm i së cilës ai ishte…Duke dalë nga shtëpia-bujtinë e Imzot Troshanit, në krye të rrugicës na përshëndet një mesoburrë, mua bashkë me shoqëruesin tim që kishte njohje me ata të asaj shtëpie.-Te Monsinjori ishit ?- lëshoi ai pyetjen përzier bashkë me përshëndetjen. Po i përgjigjet, miku im bashkëshoqërues. E takuam, ky miku im gazetar i mori një intervistë. I cilës gazetë je ti, gazetar?- m’u drejtua masandej mua. I “Bashkimit”- iu përgjigja shkurt. Aa i Hamit Boriçit, ëë. E kena mik shpiet. Ka kênë mësuesi jem. E kena dasht fort na e prind’t tonë. Edhe tash që asht i madh atje në Tiranë, ai prap vjen në katund te na. Asht zotní, Hamiti…Fluturova me mendimin e ngulur gozhdë se për profesor Hamit Boriçin ky mund të ishte nishani më i shënjuar se “nishanet”, siç emërton ai vetë me modesti serinë e kompletuar të gradave shkencore e nderimet e pafund me meritë.