Pas miratimit të ligjit, “Për inspektimet në Republikën e Shqipërisë”, i cili ka hyrë në fuqi në maj të 2025, u paralajmërua se një sërë inspektoratesh, përfshirë AKU do të shkriheshin dhe riorganizoheshin në një sërë organesh inspektuese si në fushën e bujqësisë, mbikëqyrjes së arkivave; sigurisë dhe shëndetit në punë; në fushën e shëndetësisë, arsimit parauniversitar; turizmit; mbikëqyrjes së tregut; mbikëqyrjes së trashëgimisë kulturore; tokës, mbikëqyrjes së mjedisit dhe territorit. Në total në këtë ligj përfshihen ndryshime për 68 ligje të tjera specifike në të cilat parashikohen funksione inspektimi.
Në zbatim të këtij ligji, Vendimi i Këshillit të Ministrave, që ka hyrë në fuqi në datën 20 qershor, ka miratuar organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit të Përgjithshëm. Organika e rishikuar në qershor të vitit 2025 për këtë institucion që tashmë shndërrohet në një super strukturë parashikon 98 punonjës nga 21 që kishte Inspektorati Qendror në fillim të vitit buxhetor, pra pesëfishim të punonjësve.
Procesi i ristrukturimit dhe trajtimi i punonjësve ekzistues
Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, punonjësit aktualë të Inspektoratit Qendror, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës, transferohen pranë Inspektoratit të Përgjithshëm, në përputhje me strukturën organizative të miratuar.
Nëpunësit civilë aktualë të Inspektoratit Qendror, të cilët kryejnë funksionet e mbikëqyrjes së inspektimeve dhe koordinimit, trajtohen sipas dispozitave kalimtare të ligjit nr. 99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”. Dispozita kalimtare e këtij ligji parashikon se inspektorët, marrëdhëniet e punës së të cilëve aktualisht rregullohen sipas ligjit për nëpunësin civil, vijojnë marrëdhëniet e tyre të punës sipas dispozitave të parashikuara në Kodin e Punës dhe në këtë ligj. Gjithashtu, deri në riorganizimin e plotë të institucionit, organet ekzistuese me funksione inspektimi vazhdojnë të funksionojnë sipas organizimit të tyre përpara hyrjes në fuqi të ligjit “Për inspektimin”.
Ndërkohë për nëpunësit civilë aktualë të Inspektoratit Qendror, të cilët kryejnë funksionet horizontale, në kuptim të ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, VKM 330/2025, parashikon se trajtohen sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit.
Sipas VKM -së nr. 125, datë 17.2.2016, “Për transferimin e përkohshëm dhe të përhershëm të nëpunësve civilë”, parashikohet se nëpunësit e institucionit të ristrukturuar apo të mbyllur njoftohen individualisht nga njësia e burimeve njerëzore për fillimin e procedurës së transferimit apo përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil, për shkak të mbylljes apo ristrukturimit të institucionit, në momentin e miratimit të aktit të ristrukturimit apo mbylljes së institucionit. Efektet financiare për nëpunësit që do të transferohen apo do t’u përfundojë marrëdhënia e punësimit, fillojnë jo më shpejt se 1 muaj nga momenti i njoftimit.
Ky proces do të kryhet nga një komision ristrukturimi, i cili shqyrton mundësitë e sistemimit të çdo nëpunësi civil në vendet e lira ekzistuese dhe propozon transferimin e nëpunësit në një pozicion të lirë të së njëjtës kategori apo përfundimin e marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësit.
Procesi i riorganizimit duhet të përfundojë brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit, ndërsa deri atëherë Inspektorati Qendror do të vazhdojë veprimtarinë sipas organikës aktuale.
Misioni dhe kompetencat
Vendimi i qeverisë i ka ngarkuar Inspektoratit të Përgjithshëm një sërë detyrash strategjike dhe ekzekutive, përfshirë mbikëqyrjen e zbatimit të politikave dhe standardeve të inspektimit, bashkërendimin e objektivave të inspektorateve qendrore dhe vendore, miratimin e dokumenteve standarde të procedurave të inspektimit; hartimin e raportit vjetor të përgjithshëm për veprimtarinë inspektuese dhe paraqitjen e tij pranë Këshillit të Ministrave; urdhërimin me shkrim të inspektorateve për të nisur inspektime të posaçme mbi çështje konkrete.
Inspektori i Përgjithshëm ka gjithashtu të drejtë të ndërhyjë në çdo fazë të procesit të inspektimit dhe të kërkojë dokumentacionin e plotë për çdo inspektim të kryer nga strukturat qendrore apo vendore.
Vendimi përcakton se Inspektorati i Përgjithshëm do të luajë një rol aktiv në rritjen e transparencës përmes publikimit të raporteve në platformën zyrtare dhe sistemin elektronik “e-Inspektimi”. Ai gjithashtu do të zhvillojë fushata ndërgjegjësimi, trajnime, seminare dhe bashkëpunime me institucione kombëtare e ndërkombëtare. Kryeinspektor aktualisht është ish-prokurori Shkëlqim Hajdari, i cili do të qëndrojë në detyrë, duke marrë tani edhe më shumë kompetenca dhe pushtet.