BB: Rritja ekonomike në Shqipëri nuk reflektohet si mirëqenie, varfëria mbetet kokëfortësisht e lartë, dyfishi i rajonit

34
Sigal

Pavarësisht rritjes ekonomike të vendit ndër vite, kjo e fundit nuk reflektohet në mirëqenie të popullatës në varfëri.

Ky është një konstatim i Bankës Botërore në një raport të fundit të saj që analizon ndikimet e projektit të modernizmit të asistencës sociale i cili është zbatuar në me mbështetjen e saj për disa vite nga qeveria.

Konkretisht në pjesën e fundit të analizës banka ndalet edhe tek ecuria e përgjithshme e varfërisë.

“Shkalla e varfërisë në Shqipëri ka mbetur kokëfortësisht e lartë, pavarësisht periudhave të rritjes ekonomike edhe krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Me një shkallë rreth 29.3 për qind të popullsisë vlerësuar në vitin 2022, shkalla absolute e varfërisë në Shqipëri (e matur me 5.5 dollarë amerikanë për person në ditë sipas fuqisë blerëse [PPP]) është aktualisht pothuajse dyfishi i normave të vendeve të tjera në Ballkanin Perëndimor për të cilat ekzistojnë të dhëna të krahasueshme të kohëve të fundit që vlerësojnë varfërinë. Shkalla e varfërisë duket se është ulur në mënyrë të konsiderueshme midis 2016 dhe 2018, por më pas tërmeti i nëntorit 2019, i ndjekur nga pandemia e COVID‐19, fillimisht përmbysi trendin dhe më pas ngadalësoi shkallën e uljes së varfërisë.

Ajo që vihet re është se lidhja midis rritjes së PBB-së dhe shkallës së varfërisë ka qenë shpesh negative në 20 vitet e shkuara, rritja nuk reflektohet në mirëqenien e njerëzve më vulnerabël në Shqipëri” thuhet në raport.

Në një tjetër pikë banka vlerëson se Shqipëria është relativisht më mirë për sa i përket shkallës së atyre që rrezikojnë të bien në varfëri e llogaritur nga Eurostat në Ballkanin Perëndimor, por gjithsesi, ka një normë më të lartë se mesatarja e BE-së.

“Eurostat vlerëson shkallën relative të varfërisë, ose shkallën e rrezikut nga varfëria, si përqindje e njerëzve me të ardhura më pak se 60 për qind e të ardhurave mesatare kombëtare të ekuivalizuara. Në Shqipëri, rezultatet e EU‐SILC për vitin 2019 tregojnë se rreth 659,000 individët (23 për qind e totalit), ose gati 173,421 familje, jetojnë nën pragun e rrezikut nga varfëria.

Kjo përqindje është e krahasueshme me vendet e tjera të rajonit . Megjithatë, varfëria relative norma është ende më e lartë se mesatarja e BE-së prej 16.5 për qind në të njëjtin vit” vlerëson Banka.

Lidhur me projektin e modernizimit të asistencës sociale ku një element i rëndësishëm sipas bankës është ndihma ekonomike dhe vendosja e sistemit të pikëzimit që ndryshoi qasjen e vjetër ndikimet kanë qenë pozitive në zbutjen e varfërisë. Projekti u bë efektiv në vitin 2012 dhe parashikohej të mbyllej në vitin 2017 por në fakt pas një rishikimi u shty për në 31 dhjetor 2022. Banka ofroi një financim rreth 60 milionë USD.