Zbardhen argumentet e paraqitura nga mbrojtja e Ilir Metës në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO), ku po shqyrtohet kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Kreu i Partisë së Lirisë, që ndodhet nën hetim nga SPAK, ka kërkuar zëvendësimin apo revokimin e kësaj mase, duke argumentuar se nuk ekzistojnë më kushtet ligjore për vijimin e saj.
Avokatët e Metës theksuan para trupit gjykues se dokumentacioni prej 31 faqesh i paraqitur nga prokuroria nuk përmban asnjë provë të re. Ata argumentuan se materiali nuk përmbush standardet e nevojshme për të justifikuar masën e rëndë të sigurisë.
Një ndër pikat kryesore të mbrojtjes ishte çështja e kontratës së lobimit në SHBA në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI). Sipas mbrojtjes, SPAK është bindur tashmë se Ilir Meta nuk ka pasur asnjë lidhje me kontratat apo pagesat e kryera në këtë rast.
Gjatë seancës, vetë Ilir Meta mbajti qëndrim në sallën e gjyqit, ndërsa avokatët e tij kërkuan që gjykata të marrë në konsideratë jo vetëm mungesën e provave të reja, por edhe karakterin politik të akuzave, siç e kanë pretenduar më herët.
Gjykata pritet të shprehet në ditët në vijim për kërkesën e ish-Presidentit.



















