Krijimi i frontit opozitar, Kryemadhi: Vijojmë aksionin, protesta i takon popullit

127
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në një deklaratë për mediat pak pas mbarimit të tryezës së partive opozitare, deklaroi se fronti i krijuar do t’i shpallë luftë kryeministrit Edi Rama. Në një dalje publike për mediat, Kryemadhi theksoi se situata aktuale në Shqipëri është fatkeqësi për vendin.
“Në tryezë u vumë përballë një presioni psikologjik të qytetarëve shqiptarë, që gjenden të kërcënuar nga bandat, që po i marrin frymën Shqipërisë. Tryeza ishte një sinjal për opinionin publik, për mediat dhe ata që bojkotuan zgjedhjet, për shqiptarët që bojkotuan zgjedhjet. Ky front do nis angazhimin e tij kundër narko-shtetit që përfaqësohet dhe drejtohet nga Rama. E rëndësishëm është që të gjitha partitë politike që morën pjesë në tryezë ishin të shqetësuar nga situata në Shqipëri, për inkriminimin e shtetit dhe institucioneve të saj. Kjo është fatkeqësia e një vendi, e një shteti dhe e një kombi.”, tha Kryemadhi.
Ajo shtoi se protestat i takojnë popullit.
“Sa i përket protestave, partitë nuk bëjnë protestë, por manifestime. Protestë bën populli. Është momenti që të gjithë së bashku t’i japim fund tranzicionit që po kalon Shqipëria. Të gjithë së bashku duhet të rizgjojmë ndërgjegjen kombëtare. Ka ardhur momenti që të bëjmë një gjë të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët”- tha Kryemadhi.