Kristo MËRTIRI / Pse nuk harrohet trishtimi i profesor Ahmet Kamberit?

526

Eshtë nga ata njerëz e intelektualë që tërë jetën “i jep zemrës pak zemër”, ndërsa faqes e bluzës së bardhë ua shton mirësinë, bardhësinë e dashurinë. Lerë e rritur mes 9 maleve të Dibrës, jo në bulevarde të rrethuar nga luksi e as në metropole verbuese. Ashtu 14-15 vjeçar e si i pjekur para kohe, trokiti dridhshëm në portat e brishta të mjekësisë shqiptare. Vinte plot ëndrra djaloshare nga fshati Peladhi rrotull Bulqizës, drejt e në Politeknikumin Mjekësor të Tiranës. Fati nuk i buzëqeshi pak më shumë, siç ndodhte me disa vërsnikë të tij që studiuan në Moskë a Leningrad, në Pragë a Varshavë, në Bukuresht, Vjenë a Budapest…Shkollën e mesme dhe të lartën i përfundoi në Shqipëri. I fitoi me shumë djersë e mundime. Prandaj e deshi dhe e do me aq shpirt profesionin. Të lutem, më dëgjo mirë, profesor Ahmeti nuk i hyri detit të mjekësisë me këmbë dhe nuk vinte në auditor e pavijone si me lugën në brez, -më thotë miku im i vjetër Kicco Peshtanaku, që jeton e punon te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit. -Nuk e harroj atë infermieren veterane në Spitalin Nr.1, kur të tha si nën zë një “sekret” gati të pabesueshëm nga kjo botë e trazuar: “Zotëri, ky mund të jetë nga të vetmit në spitalin shtetëror që pacientët nuk i shikon a peshon nga duart që hyjnë bosh e dalin plotë nga xhepat…”. Dhe t’u betua me kokën e kalamajve të vet. Në mos gaboj, ishte mespranvera e vitit 2008. Ti, miku im, po shkoje në kabinetin e provës ushtrimore pranë Klinikës Universitare të Kardiologjisë…

-Por ajo mesditë prilli nuk po më shuhet ende nga kujtesa. Nuk e kisha parë kurrë aq të brengosur e aq të trishtuar Profesorin e mirënjohur. Për pak çaste mendova kështu: “Njerëz të gjallë jemi, do ketë ndonjë hall familjar…”. Atje mësova se 32 vjet më parë, atë kabinet e kish ngritur e drejtuar vetë. Por gjendja e tij shpirtërore, më në fund na detyroi ta pyesim njerëzisht. Mirëpo me dy fjalë kursimtare ai na i shkriu pikëpyetjet: “Sot isha në Fakultetin e Mjekësisë, kisha provim me studentët e vitit të fundit…Nga 23 vetë, vetëm 3 e merituan marrjen e lëndës! Madje disa thirreshin, ftoheshin e hynin në provim si me lutje e temenara (?!). Besoj, ju më kuptoni e gjykoni tamam. Kjo situatë më dëshpëron e trishton pa masë, për sot e për nesër”…

Kur shprehet kështu një intelektual e kardiolog jo dosido si Ahmet Kamberi, nuk mund të kalohet thjesht si një vesë shiu me erë. Shkallët më të larta të Mjekësisë nuk i arriti me katapultë, as me nota, dëshmi e diploma false në këmbim të parasë kallpe! Përkundrazi. E nisi nga patologjia. Atje i fali 10 vite, në spitalin e Peshkopisë. Pastaj iu hap udha për specializim 3 vjeçar në spitalin Nr.1 e jo matanë kufijve. Punë studimore intensive e plot sakrifica. Skrupuloz si ai, armatosje e posaçme për luftën kundër sëmundjeve të brendshme. Dhe frytet e diturisë nuk vonuan: Mbi një dekadë në Klinikën Speciale si kardiolog nuk ishte pak, pa llogaritur 2 vitet e drejtimit të saj. Dihej mirë se kush përzgjidhej. Veç të tjerave, filtri i aftësisë profesionale i hapte shtegun zotësisë e përgjegjësisë. Një përgjegjësi që një ditë mund të kthehej në gijotinë reale për cilindo që mund të humbiste sadopak toruan përkrah jetës e shëndetit. Librat e revistat shkencore nuk hiqeshin nga duart dhe shoqëronin çdo hap në praktikë. Kur iu ndez drita jeshile për herë të parë drejt specializimit në Stokholm për kujdesin koronar intensiv dhe për dietologjinë në Paris, kërkesat ndaj vetes u rritën natyrshëm. Pa eufori e pa fluturime, filloi ngjitjen e të përpjetave nëpër disertacionet shkencore. Se nuk ishte aspak  e lehtë kapja e disa majave dhe gjer te titulli më i lartë, “Profesor”! Dhe jo siç u katandisën gjatë viteve të tranzicionit, ku dhjetëra tituj u “vodhën” sa hap e mbyll sytë nëpër universitetet shtetërore, “garën” e të cilëve e tejkaluan ato private! Madje pa hapur asnjë libër, nëpër kafenetë e Tiranës dëgjon shpesh jo pa shpoti edhe ftesa të tilla: “Rrimë që rrimë, a do psonisim ndonjë master? Se xhixhat (paratë) nuk hedhin vetëm ujin përpjetë…

Plagët e rënda në Shëndetësinë shqiptare (veçanërisht në fshat e në zonat malore), po ngelen të hapura dhe kullojnë dhimbje të pashërueshme. Mjekë të vjetër e të rinj po i mbajnë sytë të mbërthyer drejt qyteteve të mëdha. Për disa specialitete, sot hallexhinjtë marrin arratinë nga Veriu e Jugu dhe zbresin në Tiranë. Doni akoma fakte rrëqethëse? Ka fshatra ku ndihmën e parë njeriut mund t’ia japë edhe një veteriner kafshësh! Ose gra shtatzëna në Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit e gjetkë, shpesh i zbresin të shtrira në vig si para Çlirimit të vendit nga pushtuesit e huaj, pa kujtuar ndonjë epokë tjetër të errët. Pushtetet pluraliste të tranzicionit kanë abuzuar tmerrësisht me lirinë, me votuesit pacientë ose jo. Për një kokërr aspirinë a një injeksion të rëndomtë, fukarenjtë zbresin nga kodrat e malet në qendër të rrethit ! Se vetëm fjala nuk e shëron dot të sëmurin. Një nga shkaqet e braktisjes së fshatit shqiptar, që mua më ther gjer në kockë, është edhe kjo shkretëtirë mjekësore. Një herë në 4 vjet shkojnë e ikin deputetë e politikanë lypsarë të votave. Pastaj ligjërojnë me cicërima në internet e nëpër foltore kryeqyteti, shkurt, derdhin përrenj me lot krokodili nga thasët e premtimeve elektorale. Dhe u duket se lajnë duart përballë zgjidhjes së halleve e derteve sa një mal. Për veten e familjet e tyre i kanë gati fuoristradat, helikopterët civilë a ushtarakë, klinikat luksoze private e gjer te ato në Europë e Perëndim. Fakirët e shumtë as që guxojnë të ëndërrojnë shërbime të tilla…

-Ore babam, edhe ne në nahijen tonë e dimë herët atë fjalën e mençur: Sëmundje ka shumë, por Shëndet ka vetëm një!,-më flet paksa i irrituar, miku im i vjetër në Jug.-Po nga t’ia mbajë i ziu njeri? Fshatarët, që perëndia u ka falur prakticitetin e zgjuarsinë natyrale, ua kanë pirë lëngun bubullimave elektorale me kandidatë lokalë e qendrorë. Le të vinë me daulle të shpuara, por festen do ua vëmë sipas kokës, qofshin të majtë a të djathtë. Kupa është mbushur e po derdhet me ulërimë mbi kurrizin tonë që tashmë është bërë shumë më i butë se barku…Ndoshta sot mund t’i gjesh me kokrra misri pacientët që mbajnë mend se çfarë shërbimi ka pasur mbi 20 vjet më parë te Qendra Spitalore “Nënë Tereza”. Ti e provove vetë dhe u lemerise kur krahasove atë të vitit 1983 me ato të 2001-it. Është apo nuk është plotësisht spital? Bëri përpara teknologjia, por eci mbrapsht shërbimi, humanizmi, siguria minimale fizike nëpër oborret e mbushura me autovetura private e zyrtare. Ndërsa mungesat e ilaçeve i dinë mirë vetëm “me nder tenderaxhinjtë” e panginjur nën hije politikanësh e pushtetarësh…

Kur profesor Ahmet Kamberi thoshte të vërteta të hidhura, ndonjë kolltukofag rrudhte buzët. Por nuk lejonte t’i cenonin traditën e shkëlqyer profesionale të spitalit civil të Tiranës që nga viti 1935. -“Unë nuk i them këto për të mburrur thjesht të kaluarën, por ne të gjallët që punojmë ende, duhet ta bëjmë të sotmen shumë më të mirë se të djeshmen. Ishte dhe mbeti edhe vatër e rëndësishme ku formohen brezat e studentëve të mjekësisë…Fjala vjen, mua më shqetësojnë edhe taborët me polici private që fare pak probleme zgjidhin, por është zgjidhur qesja e shtetit për pronarë e pushtetarë. Qendrën Spitalore unë e quaj vend të shenjtë ku falen qindra njerëz që duan të shërohen. Por…nuk e harroj dot atë rastin në klinikën e kardiokirurgjisë, ku të sëmurë rëndë prisnin 3-4 javë të shtruar për ndërhyrje në zemër. Përse vallë? Thjesht për mungesë të barit të nevojshëm, me kosto ndoshta më të vogël se shtrimi për 4 javë i një pacienti (?!)…Nuk duhet harruar viti i zi ’97 apo ’98, kur të tjerët i bënin fole vetëm kokës së tyre, mjekët dhe infermierët e QSUT-së e ngritën më lart moralin, vetëdijen qytetare e profesionale, duke shërbyer me shpirt për të tjerët. Kjo qendër e madhe mjekësore e kërkimore shkencore, është një pasuri kombëtare e pallogaritshme…”. Por përballë të vërtetave, Ahmet Kamberi nuk e kafshon asnjëherë gjuhën. Dilema e tij është e hapur: E shikojnë studentët shkollën apo i shikon kjo ata?!. Këtu është thembra e vërtetë e Akilit. Të mërzesh me orë të tëra kafeneve, larg bibliotekave e pavijoneve me pacientë, është një mjerim i madh, tronditës për të ardhmen. Sepse dituria flet, injoranca e korrupsioni ulërijnë! Trishtimi i natyrshëm i profesorit më mërzit e përpëlit ende.- Pa mjekë nuk ka mjekësi, ju lutem, mos i fusni të gjithë në një thes! Se puna e mirë është edhe shëndet i mirë…

Janë mesazhe të kulluara nga një njeri, mjek e pedagog jo i rëndomtë; bashkautor i tekstit “Sëmundjet e zemrës”; ish- drejtues i Shëndetësisë e i Shoqatës përkatëse shqiptare; anëtar i Shoqatës Europiane të Kardiologjisë dhe themelues e kryeredaktor i revistës së vetme shkencore etj. Pranë njerëzve të tillë e kuptojmë mirë atë urtësinë postulat: Nuk ka errësirë më të madhe se padituria! Vetëm ajo zgjohet e fle bashkë me ligësinë. …Mbi 10 vjet më parë, kur kardiologët e mirënjohur, profesorët e  nderuar, Pandeli Cina e Spiro Qirko, më zbuluan e kuruan në kohë goditjet fatale të një infarkti të papritur në zemër, miku ynë i përbashkët por fatkeq, i miri Xhevahir Spahiu po derdhte vargje dhembshurie. Vargje që tani citohen kudo. Sepse zemra e gazetarit dhe e poetit të veçantë loton fshehtas, si gjethet ngjethet, fshan, zemërohet, zbutet, përpëlitet dhe koha i rrjedh në të si rryma në tel. Por është e gatshme t’i japë pikën e fundit të gjakut zemrës së tharë si eshka të Botës: “…Zemra ime, doktor, është heroinë e gjallë e Punës Socialiste,Zemra ime, doktor, është Martire e vërtetë e Demokracisë…Ajo gjëmoi si kambanë kundër poshtërsive, kur të tjerëve, ajme`, u shkonin pordhët në zemër…”.