Dy botimet e para me nota muzikore në Shqipëri, me autor Paskal Anibale

“Marshi i Bandës së Lirisë” e krijuar në Korçë, në vitin 1908; si dhe “Marshi i Kongresit të Elbasanit”-1909, janë dy krijimet e para muzikore të publikuara në nota në dhjetvjeçarin e parë të shek. XX në Shqipëri, kjo falë shoqërisë muzikore korçare që mbështeste “Bandën e Lirisë”.
Që të dy krijimet kanë për autor muziktarin Paskal Anibale, me origjinë arbëreshe, i cili ishte njëherazi edhe dirigjenti i “Bandës së Lirisë” në Korçë, formacioni muzikor i cili pati nderin që të interpretonte i pari në publik këngën “Rreth flamurit të përbashkuar”, më 1908, këngë e cila u bë më pas HIMNI KOMBËTAR i Shqipërisë dhe shqiptarëve, kudo ku janë.

Ja si shkruhej në shtypin e kohës:
“Shoqëria Muzikale “Band’ e Lirisë” me qënë që kish nevojë për të mësuar nxënësit’ e saj, dërgoj e solli nga Egjipti Zotin De Paskal Anibale , i cili ardhi këtu në Korçë bashkë me zonjën e tij Adela edhe vuri radhë Muzikën, e cila në pak kohë që mësuan nxënësit, këndonin ato më të mirat marshe , se ky Zotni ishte një nga ata më të mirët mësonjës muzikant edhe përpiqesh shumë për përparimin e kësaj Shoqërie si edhe çështjes Shqiptare, se ishte një filo-Shqipëtar i mirë edhe fort zemër bardhë , gjithë qyteti si edhe gjithë ata Shqiptarë që e njihnin , kishin një simpati të madhe për atë , aqë sa dhe sot thonë se kur do të na vinjë prapë Zoti De Paskal Annibale”!
Ishte koha kur edhe muzika u bë pjesë e frontit atdhetar për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë!






















