Suplementi Pena Shqiptare/ Zija Çela: Kungulli i lopës dhe molla e njeriut

714
Sigal

Atë mëngjes fshatari u vonua për t´i nxjerrë bagëtitë në kullotë. Kështuqë, me të dalë nga stalla në oborr, lopa iu vërsul një kungulli gardhi dhe e përlau menjëherë.
Të zotit të shtëpisë i kërcyen nervat dhe e goditi lopën, sepse kungullin e kishte pasur shumë merak. Mirëpo si ta dinte kafsha merakun e tij?! Nëse do të kishte gjuhë dhe fshatari do ta pyeste përse e hëngre kungullin, lopa nuk do t´i bënte bisht, por do t´i përgjigjej drejtëpërdrejt: E hëngra se kisha uri. Duke qenë krijesë pa ndërgjegje, asaj do t´i fliste instinkti, nga i cili mbizotërohet.
Dhe ja tani çfarë bëjmë ne, qeniet me Ndërgjegje dhe me aftësinë e veçantë për të Arsyetuar. Po i referohem me një interpretim vetjak episodit të famshëm biblik. E pyeti Zoti Adamin: Pse e hëngre mollën? Më tha Eva, u përgjigj ai. Iu kthye Zoti Evës: Pse e hëngre mollën? Më tha gjarpri, u shfajësua ajo…

Shihni pra, asnjëri nuk e ktheu gishtin nga vetja, por nga tjetri. E marr me mend mërzinë e Hyjit, duke kuptuar dobësinë e kreaturës së tij më superiore, Qenies me Vetëdije.
Ndoshta, qysh atëherë, Zoti parashikoi se njeriut nuk do t´i pëlqente të mbante përgjegjësi.