Xheladin Çelmeta / Diskriminimi tjetër i ushtarakëve

595
Sigal

Financiarisht, ushtarakët në rezervë janë të diskriminuar dyfish. Një herë, për shkak të Aktit Normativ të Qeverisë dhe një herë tjetër për shkak të mos kompensimit të papunësisë së tyre. Shpjegimi është i qartë: Diskriminimi i parë i tyre lidhet me “zëvendësimin e Statusit” nga një akt normativ qeveritar; diskriminimi i dytë evidentohet në raport me kolegët e tjerë të tyre, që kanë arritur të punësohen. Qoftë në shtet, apo në privat. Të më ndjejnë kolegët e mi të nderuar, kudo që ndodhen, se nuk kam asgjë me ta, se në fund të fundit, ato pak qindarka shtesë që marrin mbi Aktin Normativ, janë lekë lodhjeje, sakrifice e mundimi, sigurisht. E kam me parlamentarët tanë, e kam me ekzekutivin shqiptar. Të mjaftohesh vetëm me një skemë pensionesh qesharake për ushtarakët në rezervë, për ata që kanë dalë shumë përpara kohe nga puna (“me reformë”, është fraza më e përdorur nga zyrtarët tanë), dhe t’i përplasësh ata tek ISSh-ja, kjo është mese nënvleftësuese e injoruese, njëkohësisht. Dhe kjo histori po zgjat, duket, pafundësisht. Ushtarakët në rezervë për shkak të kësaj situate, jo për faj të tyre janë vënë në një pozitë të pabarabartë. “Si mund të korrigjohet kjo?”, shtrohet pyetja. Në një intervistë të para pak kohëve në “Telegraf”, zëvendësdrejtori i ISSh-së, zoti Ali Emini, mes të tjerave theksonte: “Ne zbatojmë skemën e pensioneve si për të gjithë qytetarët e tjerë të këtij vendi. Ushtarakët, nëse kanë pretendime, nesë kanë nevojë për trajtime të veçanta, atëherë le të drejtohen dhe të marrin trajtime të veçanta financiare pranë institucioneve ku kanë shërbyer”. Pikë. S’e luan as topi. Saktësisht këtu qëndron i gjithë problemi. Komuniteti i ushtarakëve në përgjithësi, në rezervë apo në lirim, në koshiencën e tyre një gjë e kanë mëse të qartë: Që një ditë Statusi i tyre do behët realitet. Se nuk ka asnjë mundësi, është sens antidemokratik, që ligjet demokratike të një vendi “të bëjnë hapa prapa”, sikurse po ndodh tek ne. Besoj se e keni vënë re, që politikanët tanë, punën e Statusit as e prekin, as e “përflasin”, as e diskutojnë, as e mohojnë, as e pohojnë, as e…… Thjeshtë, duket se ata duan ta harrojnë fare atë. Sikur të mos kish ekzistuar kurrë më parë. Rrallë, shumë rrallë ka zëra kurajozë në Parlament, që e sjellin ndonjëherë atë në debat. Ushtarakët nuk janë tërhequr dhe as nuk do të tërhiqen ndonjëherë në kërkesën e tyre për Statusin. Kjo frazë, ky konstatim, mbase është bërë paksa i mërzitshëm në shkrimet e mia. Por thellë-thellë ndjej se nuk mund ta anashkaloj asnjëherë. Do ndjehesha keq me veten dhe me gjithë ata mijëra e mijëra kolegë të mi, kudo në Shqipëri, që kanë gdhirë me ditë e net të tëra, në dimër të acartë apo në zheg vere të nxehtë nëpër llogoren e mbrojtjes së Atdheut. Ishin llogore të vërteta lufte (edhe pse “luftë e ftohtë”) dhe jo “klishe donkishoteske”, për t’u përdorur nga dikush, (nga ndonjë zotëri apo zonjë e parfumosur), si objekt humori, në ndonjë seancë plenare të Kuvendit, sikurse ka ndodhur rëndom. Ishin net të gjata pa gjumë që zgjasnin me muaj të tërë, ndoshta edhe me vite. Si ato që përshkruan Juri Korolkov në romanin “Kështu ka ndodhur”. Në aq dekada, sa zgjati Lufta e ftohtë. Ishin dremitje, kallkanosje në kullën e ftohtë të tankut, me javë të tëra, me muaj të tërë. Ishin ditë e net izolimi nëpër maja malesh, duke marrë plevitin nëpër bunkerët e municioneve luftarake. Tamam si në frigoriferë prej betoni, që na “prisnin” përgjatë alarmeve të shpeshta, neve oficerëve të rinj, tamam si mysafirë mesjetarë. Na grinte mushkëritë aroma e athët gjithë avuj acidi e predhave të rënda dhe e baterive alkaline. Shtretërit prej metali të topave të rëndë na “dhuronin” në mënyrë të pamëshirë ftohtësinë e vet. Me dhjetëra e dhjetëra kolegë të mi sot vuajnë pasojat e asaj kohe të rëndë. Vuajnë nga astma bronkiale, nga tensioni i gjakut apo nga artriti reumatoid. Vuajnë, vuajnë së brendshmi, vuajnë edhe më keq ekonomikisht, por ndërkohë e kanë kurajën, që të ndjehen, ashtu sikurse janë në të vërtetë, njerëzit krenarë të këtij vendi. Që shumëkush ka harruar t’i quajë ashtu sikurse janë në të vërtetë ata: Shtresa-elitë e kësaj shoqërie. Që si të tillë, nuk kanë pse të meritojnë një trajtim kaq skandaloz nga shteti i tyre. Ishte “kohë e çmendur” apo jo, kjo sot as që ka ndonjë vlerë të diskutohet. E rëndësishme është që këta njerëz janë akoma me një barrë me halle mbi kurriz. Kanë derdhur kontributet e tyre në mënyrë tejet korrekte nëpër vite dhe tani kërkojnë t’u kthehet djersa e vet. Në këtë kuadër, edhe unë që po e “sjell” edhe një herë në vëmendje këtë gjë, pra, trajtimin financiar, si më i domosdoshmi për të jetuar apo mbijetuar, jam një ndër ata, po kaq me nevoja jetike e telashe, natyrisht. Dhe po logjikoj “brenda kontekstit” të kësaj kohe krize që po kalon Shqipëria. Madje, teksa hedh këto rreshta, jam konsultuar më parë me juristë e konstitucionalistë. Mirë që tani për tani po trajtohemi (padrejtësisht) përmes ISSh-së me një skemë të reduktuar pensionesh (edhe pse nuk jemi pensionistë, por kategori e veçantë e administratës shtetërore, e lënë pa punë “për shkak të reformës”), por më tej si do bëhet zotërinj qeveritarë? Koha deri sa grupmosha e ushtarakëve në rezervë të dalë në pension të plotë pleqërie varion nga 10-15 vjet. Atëherë, duke mos neglizhuar asnjëherë faktin që Statusi në momentin më të parë të na njihet, të paktën të bëhen korrigjimet, aq sa mund të jetë “e mundshme”. Tej konceptit të lëmoshës, sigurisht. Të paktën të heqim këtë, “diskriminimin e dytë” të ushtarakëve, në raport me njeri-tjetrin. S’është faji i asaj pjese të ushtarakëve në rezervë që nuk arrijnë të vetëpunësohen dot (në shtet apo privat). Zoti Ali Emini, zëvendësdrejtori i ISSh, ka  hedhur piketat fillestare se si mund të korrigjohet ky diskriminim. Institucioni ynë i vartësisë, pra, ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, sektori i Përkujdesjes Sociale, së paku të ndërhyjnë duke krijuar një “fond përkujdesjeje për ushtarakët në rezervë të pa punësuar, që marrin fillikat vetëm qindarkat e Aktit Normativ. Për ta, sa pa u vënë akoma në zbatim Statusi (si për gjithë ushtarakët) të jepet një koeficient pagese plus, për të bërë të mundur eliminimin e diskriminimit brenda vetë ushtarakëve. Është e padrejtë, që disa të marrin edhe pagesën sipas Aktit Normativ, edhe pagesën e punës së re (në shtet apo privat). Kurse ata që nuk arrijnë të vetëpunësohen dot për njëmijë e një arsye, të mbeten nën mëshirën e qindarkave të aktit normativ, i cili edhe pse “shtohet” çdo muaj korrik me 4-5% (pra, me nga 5 apo 10 mijë lekë të vjetra) “asgjësohet” sakaq, madje shkon në minus menjëherë për shkak të inflacionit të pamëshirshëm që ekziston në Shqipëri. Kjo, mendoj se është një situatë emergjente që duhet të analizuar nga dikasteri apo Përkujdesja Sociale për ushtarakët në rezervë.