Dr. Qemal Lame/ Mbrojtja e interesave kombëtare dhe luftë kundër korrupsionit

133

Dr. Qemal Lame

Zgjedhjet e jashtëzakonshme, më 6 tetor 2019, në Kosovë treguan, se pakënaqësia publike me arritjet e Haradinajt në krye të koalicionit trepalësh kanë rritur mbështetjen dhe fitoren për partitë opozitare. Që kur Kosova përfundoi luftën e saj me Serbinë dy dekada më parë, figurat e saj politike mbizotëruese u ngritën si luftëtarë dhe e mbajtën pushtetin, pavarësisht se nuk arritën të siguronin një paqe të qëndrueshme dhe një ekonomi e mirëqenie të mirë. Tani, erdhi në pushtet një gjeneratë e re e politikanëve që sfiduan për herë të parë gardën e vjetër të luftës. Besohet se vendi do të shkëputet nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi i viteve të pasluftës dhe do të ketë një qeverisje më të mirë për të çuar përpara zhvillimin, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, anëtarësimin në OKB dhe integrimin euroatlantik.

Vetëvendosja e drejtuar nga Albin Kurti, provoi se edhe një parti politike e bazuar në një program të qartë politik në mbrojtje të interesave kombëtare dhe garant për plotësimin e kërkesave të drejta të popullit, ka mundësi të mposhtë edhe partitë që kanë kapur pushtetin e imponojnë politika që nuk kanë mbështetje të gjerë. Fitorja tregon sesi mund të reflektohet nga partitë politike edhe në shtetet e tjera të rajonit me mangësi në demokracinë funksionale dhe shtetin e së drejtës, ku është shumë e vështirë të triumfosh në një garë elektorale, pa qenë pjesë e pushtetit, pa shpërndarë vende pune për militantët partiakë, pa pasur nën kontroll e përdorur padrejtësisht policinë dhe shërbimin informativ, pa u mbështetur nga financimet e biznesmenëve të pasuruar edhe më shumë me para publike, pa ndihmën direkt ose indirekte nga mediat që në pjesën më të madhe mbështesin pushtetin në fuqi.

Vetëvendosja tregoi sesi një grupim politik i dalë në skenën politike afro 15 vjet më parë, i luftuar nga partitë e “mëdha” me aureolën e pushtetit të plotfuqishëm, është e mundur të meritojë besimin e popullit dhe të marri pushtetin me ide dhe parime e objektiva të qarta, me durim, me qëndrime transparente, me veprimtari bindëse në opinionin publik, me politikanë pa kompromis, me mjetet demokratike për realizimin e qëllimeve, të pa korruptueshëm nga oligarkët që sigurojnë super fitime duke imponuar shtetin me vendime në kundërshtim me interesat e përgjithshme.

Vetëvendosja u tregua e ekuilibruar dhe mbrojti parimet e drejta të ekonomisë së tregut, duke demaskuar pushtetarët ultra liberale dhe të gjithë të tjerët të lidhur me ta që donin të privatizonin gjithçka. Ajo analizonte, tërhiqte vëmendjen dhe ndërmerrte aksione konkrete për të sensibilizuar të vërtetën tek opinioni publik për pasojat e rënda ndaj shtetit e ekonomisë kombëtare e pronës private, solidarizohej dhe mbështeste interesat e drejta të viktimave nga korrupsioni i pushtetarëve në bashkëpunim me biznesin e madh. Miqësia e vetëvendosjes ishte me viktimat dhe dallohej nga dashuria e pushtetarëve për korporatat e këmbimi i privilegjeve me oligarkët të cilët në disa raste përflitet se janë edhe vetë politikanët që kanë bisneset me emërtime të tjera me persona të besuar.

Politikanët e vetëvendosjes deklaronin idetë politike, vlerësonin partneritetin strategjik dhe nuk pajtoheshin me qëndrimet konjukturale të gjeopolitikës në kundërshtim me interesat kombëtare. Mbroheshin produktet “Made in Kosova” ose Shqipëria dhe iu kundërvihej atyre të huaja që dëmtonin ekonominë e konsumatorin vendas. Thoshin me kurajë të vërtetën dhe nuk thërrisnin me servilizëm “Rroftë Amerika” duke mos u bërë shtojcë artificiale e qëndrimeve të diplomatëve. Kundërshtuan e penguan me forcë planet e vendimet e fshehta për të falur e ndarë trojet amtare për interesat e ruajtjes së pushtetit personal. Ishin të gatshëm për të mbrojtur integritetin territorial edhe me jetën e tyre, kur përmbysnin makinat e UNMIK-ut, të njollosnin me bojë selitë e ndërkombëtarëve, të derdhnin gjakun e tyre në rrugët e Prishtinës, të ndalonin në kufi kamionët e Serbisë, të sfidonin prangat, kontrollin trupor në hyrje të Kuvendit apo të përflaknin parlamentin me bomba tymuese për të mos u miratuar copëtimi i Kosovës.

Shqiptarët kanë parë dhe e kanë mbështetur Vetëvendosjen të mos miratojë automatikisht vendimet e marra në Rambuje, të mos pranojnë bisedimet e Vjenës e planin ndërkombëtar Ahtisari, vendimin e miratuar në fshehtësi me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe që është në fakt ndarje e Kosovës, të kundërshtojnë aktivisht demarkacionin me Malin e Zi etj.

Në këtë përballje me pushtetin e forcat e rendit deri edhe trup me trup aktivistët e Vetëvendosjes nuk u mposhtën nga etiketimet si dhunues radikalë e kundërshtarë të partnerëve ndërkombëtarë, por mbrojtën interesat kombëtare. Sakrifica e tyre u shpërblye nga vetë populli me votën e lirë. Me përkushtim e tyre, ata u bënë shpresë për ndryshimin e politikës së deritanishme, të besueshëm për të krijuar optimizmin për zhvillimin ekonomik e shoqëror, ndaljen e largimeve masive, ndërtimin e të ardhmes më të mirë për të rinjtë në Kosovë etj.

Vetëvendosja ka përpara provën e madhe të krijimit sa më parë të Qeverisë dhe të programit politik për të plotësuar pritshmëritë e popullit e ato ndërkombëtare. Ajo nuk zotëron shumicën e nevojshme në Kuvend dhe detyrohet të bëjë koalicion me partitë e tjera fituese, duke filluar me LDK me të cilën ka një marrëveshje parazgjedhore.

Në radhë të parë, problemi aktual është e mbetet ndarja e hidhur me Serbinë, me qeverinë në Beograd që refuzon ta njohë Kosovën si komb të pavarur, dhe shpresat për pajtim duken akoma larg. Kërkohet një zgjidhje dinjitoze. Prandaj është e domosdoshme ripërtëritja e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, arritjen e marrëveshjes së paqes e të njohjes me Serbinë që të mund të shtohen njohjet për anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Së dyti, lufta e vështirë kundër korrupsionit të rrënjosur thellë në institucionet shtetërore, biznesin dhe marrëdhëniet e pushtetarëve me popullin.

Së treti, tani që erdhi në pushtet, Albin Kurti dhe Vetëvendosja kanë për detyrë të qartësojnë edhe detyrimin për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, heqjen e pengesave kufitare me Shqipërinë, bashkimin ekonomik, etj., masa shtetërore të mundshme për tu realizuar duke bashkëpunuar e unifikuar qëndrimet edhe me partnerët strategjikë SHBA e BE.

Albin Kurti tha menjëherë pas fitores se: “Dialogu ka qenë sfidë deri më tani për shkak se kemi pasur përgjithësisht njerëzi pa kredibilitet dhe pa kompetencë, kemi pasur dialog të pa përgatitur mirë, pa parime, asimetrik, ku Kosova ishte më shumë temë se sa palë dhe kjo natyrisht që ndryshon. Tash e tutje unë si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës e marr përgjegjësinë që më takon me kushtetutë e ligj që ta udhëheq këtë dialog i cili nuk do të jetë më në dëm të Kosovës dhe i cili nuk shtron më pyetjen e gabuar se çfarë çmimi duhet të paguaj Kosova për njohjen e Serbisë, por shtrohet pyetjen e duhur për borxhin që na e ka neve Serbia si atë të okupimit dhe atë të luftës.”

Dihet se bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër pavarësisë e sovranitetit shtetëror të Kosovës. Rifillimi i bisedimeve pa kushte do të ishte zgjidhja më e drejtë. Por Beogradi kushtëzon bisedimet me heqjen e tarifave. Qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre. Qeveria e Re do të duhet të qartësojë kërkesat e saj për garanci nga Qeveria e Serbisë për marrëdhënie e bashkëpunim nga pozita të barabarta, si dhe ndalimin e fushatës diplomatike kundër njohjes apo heqjen e njohjes së Kosovës.

Diplomatët amerikanë lobojnë dhe presin të rihapen bisedimet pas krijimit të qeverisë së re. Rifillimi i bisedimeve pritet të ndodhë para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

Shpresohet të mos përdoren zgjedhjet dhe Qeveria e Re e Kurtit për të plotësuar pa kushte kërkesat e Serbisë. Nuk do të pranohet përsëritja e skenarit të krijimit të Qeverisë Haradinaj për të miratuar demarkacionin dhe faljen e 8200 hektarë tokë Malit të Zi.

Urime dhe suksese Qeverisë së Re!