Prof. Anastas Angjeli: I jepet titulli “Nderi i Akademisë”, Prof . Dr Aristotel Pano

964
Profesor Aristoteli është për të gjithë ne që gjendemi sot në këtë sallë, një pedagog i duruar një koleg i vyer, një shkencëtar i vërtetë dhe studiues i përkushtuar, dhe mbi të gjitha një njeri i mire, i drejtë me zemër dhe shpirt të gjerë. Prandaj me lejoni te shpreh mirënjohjen dhe respektin më të thellë, timin dhe jam i sigurt, edhe tuajin, për Profesorin tone, Aristotelin. Faleminderit për gjithçka qe keni bere për ne dhe për kontributin tuaj te çmuar që kini dhënë në shkencën ekonomike dhe financiare në vendin tonë. Mund të mendohet se ky titull pasuron kurrikulumin e profesorit dhe një gjë e tillë bën sens, porse, duke pasur parasysh se për cilin personalitet bëhet fjalë, duhet të themi se edhe institucioni, Akademia, pasuron CV e tij. Ka tituj që i bëjnë nder personalitetit, porse, është me shumë rëndësi të themi se ka disa personalitete që i japin kuptimin dhe vlerën e mirëfilltë titullit. Nderi është një nocion etik, madje herët, herët dhe religjioz, por kur ai bashkohet me akademizmin, ndërton një kategori tejet të veçantë, është institucion vlerash që në mënyrë adekuate, shpreh se çdo të thotë të nderosh veten dhe një akademi me arritjet e tua në vite. Brenda “Nderit Akademik” është ëndrra kur ishe një aspirant i ri dhe ndërtoje idealet e tua universitare dhe shkencore, janë studimet fondamentale dhe interesat janë prirjet dhe qëllimet e thella dhe të qëndrueshme në kërkimin shkencor, janë brezat e studentëve që të kanë dëgjuar në auditor e janë drejtuar në udhën e tyre të studimit dhe të jetës nga Ty si pedagog i tyre. Në “Nderin Akademik” bën pjesë debati shkencor, ngre krye thyerja e tabuve, është e pranishme kruajua për t’i hapur udhë tezave të reja, është inovacioni shkencor si shprehje e dijetarëve eruditë që nuk tremben nga përmbysjet e ideve, nga korrigjimet e nevojshme dhe nga rishikimi i shkencës edhe në themel, duke mos u vetëpenguar për të ndryshuar e zhvilluar idetë duke u kapur pas atyre që bëjnë revolucion në fushën e dijes. Kështu, Akademizmi merr vlerat e një pune të nderuar. Porse, kur ai botohet dhe si i tillë, ka një fushë kontakti të gjerë dhe në kohë, pa u refuzuar apo anashkaluar, gjithçka shndërrohet në një Memorie Akademike. Kështu studiuesi është prezent kurdoherë, duke përcjellë mes faqeve të librit mendimin e tij. Idetë e qëndrueshme e të sprovuara kanë edhe atribute të nderit, ndaj ka kaq vlerë dhe kuptim që të nderojmë sot një personalitet që me punën e tij krijuese i bartë të gjitha këto virtyte të shkencës. Ky është profesor Aristotel Pano. Në epokën, në të cilën jetojmë mund të themi pa frikë se janë të rralla figura të tilla kaq shumë poliedrike, kaq të kompletuara e me integritet kaq të lartë. Në një epokë, kur kërkimi shkencor shpesh herë konsiderohet si një qëllim në vetvete, ku dija shpesh herë trajtohet si një mjet konsumi, Profesor Aristoteli na kujton të gjithëve se karakteristikat e shkencëtarit duhet të mbeten të njëjtat, pavarësisht ndryshimit të epokave. Vetëm nëpërmjet punës së vazhdueshme, vetëm nëpërmjet përulësisë shkencore dhe vetëm nëpërmjet përkushtimit intelektual mundet që një shkencëtar ta përmbushë misionin e tij. Për këto veti të çmueshme të gjithë ne të jemi mirënjohës profesor. Një pedagog është i mirë, kur bën çfarë është e mundur që studentët e tij të bëhen më të mirë se ai vetë. Kur nuk mban asnjë dije vetëm për vete, por e ndan atë me auditorin dhe me studentët duke shpresuar pa fund që ata një ditë do të arrijnë ta kapërcejnë vetveten. Kur arrin t’i bëjë studentët të aftë të mendojnë me mendjen e tyre. Pikërisht një njeri i tillë është Profesor Aristoteli për të gjithë ne. Leksionet e tij, jo vetëm që kanë mbetur të paharruara në kujtesën time dhe të shumë brezave të studentëve që janë diplomuar në shkencat ekonomike, por edhe kanë ndikuar aq shumë në formimin tonë intelektual dhe profesional. Dhe ky fakt, besoj se është shpërblimi më i mirë për të gjithë ata që kontributin kryesor profesional e japin në ambientet universitare. Profesor Aristotel Pano është njëri prej themeluesve të shkollës së mendimit ekonomik e financiar shqiptar, një anëtar i brezit të artë të studiuesve që eksperiencën e përftuar jashtë vendit e vunë në shërbim të ngritjes së institucioneve të arsimit te larte në Shqipërinë e viteve 50-60,duke kontribuar pareshtur deri me sot. Ai me njohuritë e thella teorike dhe me përvojën e tij u shndërrua në një studiues dhe njohës të shkëlqyer të të dyja sistemeve ekonomike të kohës; të ekonomisë së centralizuar dhe të ekonomisë së tregut. Një shkencëtar që njohuritë e tij teorike i përdori gjithmonë në mbështetje të reformave rrënjësore që ndërmori vendi ynë në fillim të vitet 90. Një studiues me aftësi të shkëlqyera, me një thellësi mendimi kritik të papërsëritshëm dhe me një guxim profesional të admirueshëm, Profesor Aristoteli është dhe mbetet gjithmonë besnik i ideve dhe mendimeve të tija, të cilat i vuri dhe vazhdon t’i vërë në mënyrë të pakursyer në shërbim të vendit dhe të shoqërisë.
Profesor Aristoteli kontribuoi në zhvillimet shkencore të ekonomisë dhe financave duke botuar një sërë studimesh, artikujsh, monografish shkencore dhe librash universitare të cilat karakterizohen nga një nivel shkencor,metodologjik e didaktik me te arrirët,me një qartësi dhe mprehtësi mendimi dhe vizioni të admirueshëm. Është e vështirë të renditësh,t’i numërosh ato dhe nuk është e lehtë të komunikosh me to dhe përmes tyre. Kryetari i Akademisë në fjalën e tij, përmend disa vepra me vlerë të Tij. E në këtë numër të madh botimesh, unë nuk mund të rri pa përmendur disa vepra të vyera si“Analiza e ekonomiko- financiare e ndërmarrjeve” , “Fjalori ekonomiko financiar” . “Karl Marksi nga shkenca në utopi”, si dhe dy të tjera, të kohëve të fundit, në të cilat ai më ftoi të isha bashkautor: Çmimi Nobel në Ekonomi dhe Ndërhyrja e shtetit në ekonomi. Gjatë periudhës së tranzicionit të tejzgjatur, Profesor Aristoteli vazhdoi të kontribuonte në mënyrë thelbësore, nëpërmjet studimeve të tij, të cilat do të zinin vend të retorikën ekonomike të subjekteve që u morën me përgatitjen dhe zbatimin e reformave në vend. Profesori me kontributin dhe angazhimin e tij kërkimor shkencor na kujton përsëri të gjithëve se puna shkencore nuk duhet dhe nuk mund të ndalojë dhe se rruga drejt dijes është një rrugë pa fund. Botimet e tij shumë interesante dhe me vlerë të viteve të fundit na bindin për këtë fakt.
Për të gjitha këto arsye më lejoni dhe një herë që të falënderoj Profesor Aristotelin dhe ta uroj për këtë mirënjohje që po i bëhet sot nga Akademia e Shkencave. Njëherazi, më lejoni të mos harroj të uroj profesorin edhe për një ngjarje tjetër të shënuar (u bënë dy gëzime në një ditë) 82-vjetorin e lindjes së Tij. 
Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 15.12.2015
Sigal