Ka një lloj heshtjeje që nuk është as mungesë e zërit, as mungesë e veprimit, por një boshllëk që gjëmon mes fjalëve dhe gjesteve të përditshmërisë sonë. Është pikërisht kjo heshtje që Eugene O’Neill, mjeshtër i dramës amerikane të shekullit XX, arrin ta artikulojë me gjuhën e vet personale dhe të pakompromis. Në dramën “Hughie”, të vënë në skenë më 20 dhe 21 qershor në Teatrin Metropol, regjisori dhe aktori Dritan Boriçi krijoi një univers të përmbajtur, por tronditës, ku zbrazëtia dhe nostalgjia për rëndësinë e dikurshme u kthyen në dramën e përhershme të njeriut të vogël.

Një tekst i shkurtër, i ndërtuar mbi një monolog të gjatë të personazhit kryesor, Erie Smith, një bixhozxhi i dështuar dhe banor i përhershëm i një hoteli të lirë në Nju Jork, “Hughie” është një reflektim i pastër për vetminë si gjendje ekzistenciale. Vepra nis menjëherë pas vdekjes së Hughie-t – portierit të hotelit, i vetmi dëgjues i përkushtuar i rrëfimeve të Erie-t – dhe përballjen e tij me recepsionistin e ri, një njeri pa emër, i heshtur dhe i padukshëm, që vepron si pasqyrë e indiferencës së botës.
Regjisori Dritan Boriçi, i cili njëkohësisht luan edhe rolin e Erie Smith-it, ka ndërtuar një shfaqje me intensitet të ngadaltë, të përmbajtur, por të fuqishëm. Vendosja skenike është e thjeshtë, thuajse minimaliste: një holl hoteli me drita të ftohta, një tavolinë, një karrige, një pasqyrë, dhe mbi të gjitha – një heshtje që flet më shumë se çdo dekor tjetër. Kjo skenografi e zhveshur i jep më shumë hapësirë aktorit për të ndërtuar ritmin e vet të brendshëm, dhe i fton spektatorët të ndjekin me durim, por edhe me ndjeshmëri, zbërthimin e një vetmie të përditshme, të zakonshme, por thellësisht njerëzore.
Regjia nuk e zmadhoi dramën, as nuk u përpoq ta aktualizojë në mënyrë të drejtpërdrejtë me realitetin shqiptar – dhe kjo ishte një zgjedhje inteligjente. Sepse “Hyji” nuk ka nevojë të vendoset në një kontekst lokal për të qenë i kuptueshëm. Temat që ngre – iluzioni, boshësia, kujtesa si vetëmbrojtje – janë universale. Boriçi i besoi forcës së tekstit dhe intensitetit të lojës aktoriale, duke arritur të krijojë një përvojë teatrore të denjë për vëmendje dhe respekt.
Roli i Erie Smith-it është ndër më të vështirët në dramaturgjinë moderne. Është një monolog i gjatë, i mbushur me digresione, përsëritje, ton ironik dhe rrëshqitje nga kujtimi në imagjinatë. Është një lloj rrëfimi që nuk kërkon përgjigje, por dëgjim – dhe përmes këtij dëgjimi, afirmim të ekzistencës.
Dritan Boriçi, me një zë të kontrolluar, me një gjuhë trupi që alternon nervozizmin e njeriut që ndjen se nuk po dëgjohet me lodhjen e atij që e ka humbur tashmë dëgjuesin, arrin të ndërtojë një personazh të përmbushur. Ai është një njeri që kërkon dëshmitarë të jetës së tij – dhe kjo kërkesë është një lloj lutjeje moderne. Në mungesë të Zotit, në mungesë të dashurisë, në mungesë të historisë, Erie kërkon një portier, një vesh, një fytyrë që të dëgjojë.
Mjeshtëria e interpretimit qëndron pikërisht në përballimin e kësaj kërkese të brendshme pa e kthyer personazhin në karikaturë, as në viktimë. Boriçi i jep Erie-t një ndjeshmëri të fortë, një përpjekje për të mos rënë në patetikë, por për të mbetur – në mënyrën më njerëzore – i zakonshëm dhe i prekshëm.
Në rolin e recepsionistit, roje së natës , Joen Mezini qëndron pothuajse i heshtur gjatë gjithë shfaqjes, por ky është një nga ato raste kur heshtja ka më shumë ngarkesë se fjalët. Ai është prania që nuk përgjigjet, që nuk komenton, por që ndikon përmes asaj që nuk thotë. Ai është dëgjuesi i përkryer i një bote që ka harruar të dëgjojë. Sytë e tij, që shpesh duken të shpërqendruar ose të largët, janë në fakt pasqyra ku Erie projekton gjithë nostalgjinë dhe mashtrimin ndaj vetes.
Mezini arrin të ndërtojë një personazh të heshtur, por jo pasiv. Përkundrazi, prania e tij e heshtur ngjan si një akt gjykimi ndaj Erie-t, por një gjykim që nuk vjen nga ligësia, por nga indiferenca e botës moderne – nga ftohtësia që vjen nga mungesa e lidhjes njerëzore.
Në këtë version të “Hyjit”, përveç dritës dhe lojës, një element i veçantë ishte përfshirja e një kitaristi në skenë (Edlir Mumajesi), që e pasuroi atmosferën pa ndërhyrë në narrativë. Muzika nuk u shfaq si ilustrim emocional, por si përforcim i atmosferës – një fije tingulli që shoqëronte vetminë e Erie-t dhe krijonte një tekst të dytë emocional, në sfond.
Tingujt e lehtë, të thjeshtë, që herë-herë ngjanin si kujtime dhe herë si kolona zanore e një qyteti të zbrazët, i shtuan thellësi dramaturgjisë pa e deformuar atë. Ishte një zgjedhje regjisoriale që tregonte maturi dhe inteligjencë.
“Hyji” nuk është një dramë me zhvillim të madh, me kthesa dramatike apo konflikte të jashtme. Është një dramë e brendshme, një portret i vetmisë moderne që, përmes një monologu, bëhet akt universal i dëshirës për përkatësi. Në duart e regjisorit Dritan Boriçit, ajo u shndërrua në një përvojë skenike që, ndonëse e heshtur dhe përmbajtëse, fshihte një shpërthim të butë emocional.
Për një publik që ndoshta është më mësuar me dramaturgji të drejtpërdrejta, kjo shfaqje kërkonte vëmendje, durim dhe ndjeshmëri – cilësi që, fatmirësisht, u ndjenë në sallën e Teatrit Metropol. Publiku reagoi me duartrokitje të menjëhershme dhe me një heshtje mirënjohëse – një nga reagimet më të rralla dhe më të sinqerta që mund të marrë një shfaqje.
“Hyji”, në këtë realizim delikat dhe të menduar thellë, është një dëshmi e qartë se edhe dramat e vogla, kur trajtohen me ndjeshmëri dhe maturi artistike, mund të bëhen ngjarje të mëdha. Dritan Boriçi dhe ekipi i tij nuk e shfaqën thjesht një dramë, por sollën në skenë një copëz të vetmisë njerëzore, që u kthye në pasqyrë për të gjithë ne. Dhe ky është funksioni më i lartë i teatrit – të na kujtojë se, përtej fjalëve, gjithmonë kërkojmë të dëgjohemi.





















