Kozma Gjini: “Invalidi dhe deputeti”

538
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Tregim satirik

Ndodhur, as në tokë e as në qiell, me frikën në palcë nga “Covid-19”, teksa zbrisja shkallët e 15-katëshit të Tiranës, për t’iu ruajtur prekjes së bërrylit të një kinezi, humba ekuilibrin e rrëshqita rrukullimthi nga shkallët dhe më gjetën pa ndjenja në hollin e katit të parë. Një këmbë e një dorë ishin thyer, kurse në kokë kishin mbirë disa xhunga sa një ftua, plus nja tre a katër brinjë kishin ikur për lesh…Në spital, kur erdha në vete, më treguan se kisha qenë me fat, pasi mund të kisha përfunduar në Tufinë…Gjysma e së keqes. Pas disa muajsh karantinë, përfundimisht, mbeta sakat, ose më saktë, “gjysmëinvalid i pacertifikuar”, sepse ligji kështu e përkufizonte, kur ke dy gjymtyrë jashtë funksionit. Plaka dha ulërimën kur erdhi e më gjeti në atë derexhe, siç më kishin fashuar mjekët, por s’thonë kot se, gruaja edhe mendjen e ka femër…

-Mos u mërzit, se çdo e keqe e ka dhe një të mirë, -po më mbante me gajret plaka.

-Nuk po të marrë vesh fare, moj e uruar! Çfarë të mire shikon zotrote te unë pas kësaj gjendjeje që jam katandisur? Pa ma shkoqit pak më troç!

-Televizori, burro, televizori! Mbrëmë, televizori tha se po të aplikosh në adresën “e-Albania”, ti fiton pension të plotë invaliditeti. Pensionin e pleqërisë e kemi, plus pensionin e invaliditetit dhe “hop”, ia hedhim fukarallëkut…! Kështu mendonte plaka dhe gati të kërcente, po, dale beg, se ka hendek!

“Stolisur” kokë e këmbë me fasha të bardha si kozmonaut gati për fluturim, nuk kisha fuqi, as të qeshja as të qaja. Me paterica në sqetull, iu drejtova bibliotekës, por më kot, se fjala

“e-Albania!” nuk figuronte gjëkundi në “Fjalorin e Gjuhës Shqipe”. Gjithsesi, gjeta ngushëllim te shprehja: “Sa të rrosh, do të mësosh.”

-Hyr në temë, moj plakë, të kam rixha! Mos ma lodh trurin, se disa fije më bëjnë “masë” ngaqë janë çakorduar nga rrokullisja te 15-katëshi. Ç’më ngatërron mua me këtë allbenien? Unë jam: një këmbë në varr e një këmbë përmbi varr, zotrote më thua të mësoj kompjuterin! Plakëëë, qeni mësohet  të gjuaj lepuj, sa është këlysh, more vesh!?” Ç’ t’i thosha plakës!? Nejse!

Pas gjashtë muajsh, o-lele, o-bobo, me dy gjymtyrë të paralizuara, dola nga spitali dhe me ndihmën e fqinjit, aplikova online, siç i thonë rinia, në Sigurimet Shëndetësore për pension invaliditeti. Prit përgjigje, e s’ka, prit e s’ka. Kur një ditë, më vjen një pusulle nga KML-ja, ku shkruhej se unë duhej të paraqitesha personalisht për vizitë, që të më shikonin me lupë anëtarët e komisionit, jashtë e brenda, paçka se epikrizën e kishin në dosje.

“Nuk vij dot, se jam i paralizuar,-u thashë në telefon atyre, po ku dëgjonin nga ai vesh ata.

Kështu, plaka me një anë dhe fqinji në anën tjetrër, më hipën në një tezgë dhe, si “I teti në bronx”, shtirë e mbledhur me fasha, duar, këmbë e kokë, kaluam përmes qytetit e më shkarkuan në shtratin e Komisionit Mjeko-Ligjor.

Një ekip mjekësh i specializuar në Evropë, më vizituan mirë e gjithë nga të katër anët dhe si u bindën që unë vetëm dy gjymtyrë kisha të paralizuara, “vetëm dy gjymtyrë…”, konkluduan:

-Zotëri! Na vjen keq, po ty nuk të takon pension invaliditeti!

Brof, u ngrita në këmbë i mbajtur pas supit të plakës (njeriut i vjen nga zoti fuqia kur ia bëjnë me të pabesë) dhe kapa patericën, e ngrita sipër t’i bija atij që më tronditi plaçkat e barkut me lajmin e keq, por faleminderit plakës, që më mbërtheu krahun sagllam dhe më shpëtoi nga pas-hekurat, se do të kisha rënë nga shiu në breshër. Por ma kishte bërë borxh tjetri, more mik!

-Si, more, s’ më takoka pension? -u revoltova unë dhe i rashë me paterica dyshemesë, saqë ai i katit më poshtë kishte marrë sopatën e qe ngjitur sipër për të vendosur qetësinë në KML.

-Sepse pensionin e plotë mund ta fitoje, po t’i kishe të katër gjymtyrët të paralizuara, -tha qetë-qetë kryetari i komisionit. (!)

-Jeni në vete, apo jo!?

-Ne, në vete jemi, por ligji s’është në vete! Ne jemi këtu për të mbrojtur ligjin.

-A mund të ma jepni pak shkresën që ta lexoj vet ligjin!

Dhe ai, pa iu dridhur qerpiku, ma la shkresën e qeverisë në pëllëmbë të dorës. Gruaja më vuri “sytjenet” e  syve për të lexuar…Ç’të lexoja, o miq të dashur?! “REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË”… KËSHILLI I  MINISTRAVE…” Hoqa syzet e i thashë plakës të m’i fshinte me podhiqe, se mendova mos nuk e kisha lexuar mirë. Por, jo, isha esëll. Ishte ligji i diktaturës së proletariatit i vitit 196… kur: president, kryeministër, kryeparlamentar, kryeprokuror dhe kryegjyqtar ishte ai që disa i thërrasin merhum. Ai, pra, që e nxorën nga varri… e kuptoni ju! Kaq i fortë të paskej qenë burri, sa të na e fusë ujin poshtë rrogozit edhe pse kanë kaluar 30 e kusur vite demokraci!?  Çfarë shkruhej te neni përkatës do të pyesni ju? Ja, më ndiqni:

“Pension të plotë invaliditeti fiton ai që i ka të paralizuara të katër gjymtyrët, dmth: të dyja këmbët dhe të dyja duart”. O zot! thashë me vete. Se, po t’i kisha thyer të katra, do të më konte me lugë plaka, si bebe.

Tunda kokën vetvetiu. Nuk doja ta tundja, po ajo po ziente si fasulet në tenxheren me presion. Nuk kishin faj mjekët, jo!

-Po mirë, more zotërinj, -u thashë. -Sa lekë në muaj merr po t’i kesh të katër gjymtyrët të paralizuara?

-20.000 lekë, -hazërxhevap doktori.

-Atëhere, mua më jepni gjysmën, dmth, 10.000 lekë, meqënëse kam dy gjymtyrë të paralizuara dhe kjo mesele mbyllet me kaq.

-Nuk e përmban ligji! -tha prerë mjeku. -Dil përjashta, se po presin radhën te dera të tjerët! Nuk luajta nga istikami unë. Bëhet, s’bëhet, vajti sherri në kupë të qiellit. Për fat, debatin tonë e kishte dëgjuar që pas derës një deputet, i cili hyri në derë pa trokitur…

-Qetësi, zotërinj, qetësi! Nuk jemi në pazar, këtu?! Pse grindeni? -foli ai gjithë seriozitet.

-Po, ja: ky zotëria ka dy gjymtyrë të paralizuara dhe kërkon medoemos që t’i lidhim pension invalidideti…, -e mori fjalën kryetari i komisionit dhe po argumentonte kriteret…

Deputeti, pasi dëgjoi me qetësi parlamentare kriteret, nguli bërrylin në tavolinë, mbështeti mjekrën në pëllëmbën e dorës, mënjanoi kokën paksa shtrembër si për të më blerë mendjen dhe me sytë gjysmë të mbyllur e dhëmbët përjashta, tha:

-Mos u mërzit, or ti, mik! Je me fat! Po, ti, re që re, o lumëmadh, pse nuk i theve të katër gjymtyrët!? Vëëëërrrt, m’u rrotullua dhoma e vizitave përmbys dhe kisha kapur patericat.

-Ama edhe ti, kështu thua  -ulërita me sa më hante fyti. Ptu?!

-Mos u çudit, -tha deputeti. Ne s’ kemi gajle nga grushtat e jo nga pështyma! Dëgjo këtu: -Ligji është kokëfortë! Ta dish ti se ç’heqim ne, kur miratojmë ligjet! Copa bëhemi për popullin, copa-copa! -Gjithsesi, halli yt e ka një zgjidhje, -e uli tonin ai dhe po bëhej gati të ngrihej.

-Urdhëro e fol! -kapsallita sytë me shpresë… dhe futa dorën në xhep…për çakmakun…!

Deputeti drejtoi kollaren, vuri syzet e errëta sa një patkua kali, u krekos duke shkundur supet dhe foli serbes-serbes duke më prekur llapën e veshit, me majën e hundës:

“Meqënëse jemi në prag të zgjedhjeve, ngërçi ligjor mund të rregullohet vetëm nëse ju votoni për subjektin tonë: “Rashë e theva këmbën!”… Kaq tha deputeti, shikoi orën e dorës dhe brusht, doli në derë duke na lënë të gjithëve me gisht në gojë. Kishte të drejtë,…sepse  nxitonte të kapte orarin e kuvendit, pasi ishte mbledhja e fundit e komisionit të ligjeve…(!)