MSc. Albert Habazaj: Lefter Çipa dhe bibilioteka digjitale e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë

500
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Biblioteka digjitale e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe materialet e rralla – fondi Lefter Çipa

Me projektin e ri të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, të Bibliotekës digjitale, e cila konsiston në konvertimin e të gjithë fondit të koleksioneve të Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të UV nga libra fizikë -që janë akutalisht- në digjitalë, realizojmë automatizimin e Bibliotekës universitare, katalogimin dhe administrimin elektronik të fondit dhe periodikut sipas standardeve ndërkombëtare të shkencës së bibliotekonomisë.Përpunimi teknik sipas standardeve ndërkombëtare në shërbim të katalogimit dhe administrimit elektronik të fondit dhe periodikut, po e jep efektin tek rrit cilësinë, shpejtësinë dhe efektivitetin e shërbimeve të ofruar ndaj përdoruesve, tek mundëson qasjen me informacion në distancë të përdoruesve dhe shpërfaqjen e e informacionit nëpërmjet burimeve alternative, duke përfshirë internetin, nëpërmjet motorëve kryesorë të kërkimit e shërbime të tjera, që i përkasin Bibliotekës digjitale.

Kjo platformë mundëson aksesimin e të gjitha botimeve që biblioteka e UV disponon nga përdoruesit e ndryshëm, nga çdo bibliotekë dhe laborator të fakulteteve përkatësisht. Ndërkohë, duke qenë në formatin digjital, i njëjti material/ botim mund të aksesohet nga më shumë se një përdorues njëkohësisht, dhe mund të lexohet në kohën që përdoruesi përcakton, pa pasur varësi nga disponibiliteti i ambjenteve të UV. Vlera që ka fondi dorëshkrimor i Lefter Çipës është e pamatë jo vetëm për përdoruesit tanë, për studentët, pedagogët, stafin e studiuesit e tjerë, por edhe për të interesuar të mundshëm nga fusha e etnologjisë, folkorit, poezisë dhe urtësisë popullore. Tashmë e për gjithmonë, sidomos dorëshkrimet unikale të Çipës janë dhe do të jenë në funksion të përdoruesve/ lexuesve në sallë për t’i shfrytëzuar për interesat e tyre studimore, duke patur në vëmendje edhe veçoritë specifike që ka biblioteka për materiale të tilla siç është parimi i konfidencialitetit dorëshkrimor të autorit.

Trashëgimia kulturore e Kryepolifonit shqiptar, pas skanimit, në proces digjitalizimi

Në Opusin e Trashëgimisë Kulturore të Vjershëtorit Kombëtar, bardit të madh të këngës polifonike të Bregut, Lefter Çipa përfshihen Dorëshkrimet e autorit dhe Fonoteka e tij unikale, që janë vërtet pasuri kombëtare. Lefter Çipa, edhe pse ka ikur fizikisht, mbetet një dritë e pafikur, se është ndër etnofolkloristët më të shquar të trashëgimisë kulturore, ndër poetët më interesantë e poet atipik, me botën dhe profilin e tij, sa rebel si stuhia e malit, aq të dhembshuruar si loti i detit. Ato që ende s’dihen nga arkivi dhe fondi i Lefter Çipës në Himarë, janë të barabarta me një muze… Janë gjëra që mbartin befasi dhe pasuri të pazakontë, që plotësojnë antologjinë e argumenteve historikë dhe materialë për këtë zonë, ku ndeshet enigma me provën reale. Etnografia shqiptare, folkloristika dhe më së shumti poezia orale në banesën e Lefter Çipës kanë një muze tjetër kulturor ende të palegalizuar zyrtarisht, që gjykojmë se Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, me administratën e tij dhe Bibliotekën Shkencore të Universitetit pati vullnetin (duke mos menduar vetëm për sot, por edhe për nesër, pasnesër..) dhe e mori në pronësi Perlën lefteriane, duke e inventarizuar, regjistruar, klasifikuar, promovuar dhe për ta vënë në funksion të edukimit të studentëve dhe studiuesve të tjerë, jo vetëm të këtij institucioni të lartë arsimor, por edhe të studiuesve të tjerë të qytetit, pse jo dhe të studiuesve të huaj, albanologë të universiteteve të Italisë, Greqisë, të shteteve të tjera të Ballkanit, Evropës  apo mbarë botës, ku Çipa Plaku ka bërë histori kulturore.

Dorëshkrimet e Lefter Çipës, thesar për Bibliotekën Shkencore

Janë pesë vëllime të pabotuara, dorëshkrime të Kolanës “Këngët e Atdheut tim” nga të cilët njeri është botuar, vëllimi i parë (dokumente të lidhur dorëshkrimorë)

Tekste autoriale të këngëve të interpretuara nga Grupet më të njohura polifonike shqiptare  nga vitet ‘60 të shekullit të kaluar dhe deri në ditet tona:

-Tekste këngësh të ansambleve të këngëve qytetare,

-Tekste të këngëtarëve të njohur të muzikës popullore dhe asaj qytetare.

Këto vëllime janë të paisura edhe me një aparat teksti dhe kalendar kronologjik për kohën, interpretuesit, vendin dhe eventin (ngjarjen) ku janë interpretuar për herë të parë këto krijime.

Në këtë krijimtari, përfshihen edhe pesë libra të pabotuar me poezi tipologjike autoriale të Lefter Çipës, të cilat gjenden si dorëshkrime në 17 lidhje të mëvetësishme dhe në version origjinal të autorit.

Një monografi për jetën, veprimtarinë dhe historinë artistike të Grupit Polifonik të Pilurit me një veprimtari intensive të shtrirë në pesë dekada.

Dy monografi për Polifonë të famshëm në trevat e Bregdetit të Himarës, ku paraqiten edhe interpretime autoriale për karakteristika e specifika indicidualiteti në fushën e interpretimit dhe prurjeve të melodive në polifoninë shqiptare.

Pjesë e këtij fondi janë pashmangshmërisht pasuria gjuhësore, idiomatike dhe vlerat etnoteksuale të autorit.

Në këtë fond përfshihen edhe kopjet autentike të fondit të fonotekës individuale të ruajtur për më shumë se 70 vjet në banesën dhe studion e etnofolkoristit dhe poetit atipik Çipa.

Gjithashtu, poeti dhe folkloristi Kristo Çipa, vëllai i vogël i këtij udhërrëfyesi të poezisë, që i ka rrënjët ngulur thellë në shpirtin e popullit, e ka shndërruar në muze etnokulturor atë shtëpi të bukur të bardhë të artistëve në Pilur, që tërheq gjithmonë e shumë vizitorë e turistë shqiptarë e të huaj.

Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë