Presidenti Begaj: E drejta për t’u shprehur duhet të ushtrohet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet

Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar me rastin e 100-vjetorit të krijimit të Prefekturës së Tiranës, ku vlerësoi rolin historik të këtij institucioni në forcimin e administratës shtetërore dhe lidhjen mes qeverisjes qendrore dhe komuniteteve vendore.

Në fjalën e tij, Begaj theksoi se një shekull histori e Prefekturës së Tiranës përfaqëson një rrugëtim të gjatë përgjegjësie, përkushtimi dhe transformimesh të rëndësishme në zhvillimin e shtetit shqiptar.

NOA

“Krijimi i Prefekturës së Tiranës në vitin 1926 përkoi me një vullnet të madh kombëtar për modernizimin e vendit dhe forcimin e autoritetit të ligjit. Që prej asaj kohe, ky institucion ka shërbyer si një urë lidhëse e pacenueshme midis qeverisjes qendrore dhe komuniteteve vendore, duke garantuar stabilitet, rend dhe zhvillim”, u shpreh Presidenti.

Begaj vlerësoi transformimin e Tiranës gjatë një shekulli, duke theksuar se kryeqyteti është shndërruar në zemrën politike, ekonomike dhe kulturore të vendit, si dhe një simbol të aspiratave të Shqipërisë moderne.

Presidenti shprehu mirënjohje për të gjithë prefektët, nëpunësit dhe punonjësit e administratës që kanë kontribuar ndër vite në ndërtimin e traditës shtetformuese dhe forcimin e institucioneve publike.

Duke iu referuar zhvillimeve aktuale në vend, Begaj theksoi rëndësinë e respektimit të Kushtetutës dhe të drejtave themelore të qytetarëve.

“E drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, deklaroi ai.

Sipas Presidentit, konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën, shtetin e së drejtës dhe interesin publik.

Begaj ritheksoi angazhimin e tij në mbrojtje të Kushtetutës, të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit në funksion të interesit kombëtar, integrimit evropian dhe vlerave euroatlantike të Shqipërisë.

Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti bëri thirrje për rritjen e cilësisë së shërbimeve publike dhe forcimin e besimit të qytetarëve tek institucionet.

“Të kërkojmë më shumë nga vetja dhe nga njerëzit e shërbimit publik. Të rrisim cilësinë, sepse duke rritur cilësinë forcojmë besimin”, u shpreh Begaj.

FJALA PËRSHËNDETËSE E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS
Me rastin e 100-vjetorit të Prefekturës së Tiranës

I nderuar zoti Prefekt i Qarkut të Tiranës, z. Hajdari,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore,
Të nderuar ish-prefektë,
Të dashur qytetarë,
Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë e veçantë të jem sot mes jush në këtë përvjetor jubilar, përvjetor që shënon një shekull nga krijimi i Prefekturës së Tiranës, një shtyllë e rëndësishme që ka shoqëruar dhe dëshmuar rritjen e shtetit shqiptar në epoka të ndryshme të historisë sonë moderne.
Njëqind vjet histori për një institucion do të thotë një shekull përgjegjësi, përkushtim, sfida të mëdha dhe transformime të thella.
Është një rrugëtim gjatë të cilit Shqipëria ka kaluar nga hedhja e themeleve të administratës shtetërore, përmes stuhive të kohërave të trazuara, e deri te konsolidimi i vlerave demokratike dhe rruga e pakthyeshme drejt integrimit europian.

Krijimi i Prefekturës së Tiranës në vitin 1926 përkoi me një vullnet të madh kombëtar për modernizimin e vendit dhe forcimin e autoritetit të ligjit. Që prej asaj kohe, ky institucion ka shërbyer si një urë lidhëse e pacënueshme midis qeverisjes qendrore dhe komuniteteve vendore, duke garantuar stabilitet, rend dhe zhvillim.
Nëse Tirana e vitit 1926 ishte një kryeqytet i ri, me ambicie të mëdha, por me mundësi modeste, Tirana e sotme është krejt tjetër gjë. Ajo është zemra politike, ekonomike dhe kulturore e kombit, një metropol dinamik që reflekton energjinë, transformimin dhe aspiratat e Shqipërisë së shekullit të 21-të.
Në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm, Prefektura ka qenë aty: pranë qytetarëve në ditë zhvillimi e prosperiteti, por edhe në momentet më të vështira të krizave apo fatkeqësive natyrore, duke mishëruar në çdo hap seriozitetin dhe vazhdimësinë e shtetit.
Përvjetorë të tillë janë para së gjithash, një ftesë për të nderuar kujtesën dhe kontributin.
Ndaj, dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që shërbyen këtu ndër vite: prefektët, nëpunësit dhe punonjësit e thjeshtë të administratës. Me profesionalizmin dhe integritetin e tyre, ata ndërtuan traditën shtet-formuese që ne e gëzojmë edhe sot.
Ky jubile nuk na fton vetëm të kthejmë kokën pas. Ai na kërkon të shohim me përgjegjësi drejt së ardhmes.
Ky aktivitet zhvillohet në një moment kur qytetarë po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore.
Në respekt të pozicionit kushtetues, neutralitetit  kushtetues, mund të theksoj se e drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në  pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin  kombëtar dhe atë publik.
Korniza kushtetuese,  së bashku me rregullat e shtetit ligjor dhe  demokracisë përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë.

Si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave Euroatlantike të vendit.
Të nderuar pjesëmarrës,
Ky jubile na fton të mendojmë për rëndësinë që administrata publike ka për qytetarët.
Të kërkojmë më shumë nga vetja!
Té kërkojmë më shumë dhe nga njerëzit e shërbimit publik.
Të rrisim cilësinë, sepse duke rritur cilësinë të forcojmë besimin!
Gëzuar 100-vjetorin e Prefekturës së Tiranës!
Faleminderit dhe punë të mbarë!