20 organizata ngrenë alarmin: Ligji për Policinë godet pavarësinë e gjyqësorit dhe kërcënon jetën private të qytetarëve

545
Sigal

Organizatat më të rëndësishme të shoqërisë civile në Shqipëri kanë reaguar ashpër ndaj projektit të qeverisë për ndryshimet në Policinë e Shtetit. 20 organizata mes të cilave, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Këshilli Shqiptar i Medias, etj, deklarojnë se me ndryshimet në ligj qeveria godet pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.

Organizatat vënë në dukje se dhënia e leje e policisë për të kryer përgjime pa miratimin e Prokurorisë është një kërcënim për jetën private të çdo shqiptari.

“Organizatat e shoqërisë civile vërejnë se projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.108/2014 “Për policinë e shtetit”, ashtu sikurse akti normativ përmban dispozita që ngrenë dyshime serioze për cënimin e parimeve të rëndësishme kushtetuese si parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, parimin e pavarësisë së gjyqësorit, si dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut“,- thuhet në deklaratë.

Deklarata e plotë e 20 organizatave të shoqërisë civile:

Një grup organizatash të shoqërisë civile, në mbështetje të reagimeve të mëparshme, pasi u njohën me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.108/2014 “Për policinë e shtetit”, të depozituar nga Këshilli i Ministrave në Kuvendin e RSH dhe të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit (pjesë e paketës ligjore ANTI-KÇK), shprehin shqetësimin si vijon:

Organizatat e shoqërisë civile, ashtu si në të kaluarën mbështesin çdo nismë që synon të intensifikojë luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimet e rënda dhe të konsolidojë sigurinë publike në vendin tonë. Mbështetja jonë në këtë drejtim është pasqyruar edhe me kontributin që është dhënë në kuadër të reformimit të sistemit të drejtësisë, një reformë, për të cilën pati konsultime gjithëpërfshirëse me aktorë vendas dhe ndërkombëtarë. Me shqetësim vërejmë se, projektligji i propozuar, ashtu sikurse më herët edhe akti normativ me fuqinë e ligjit i miratuar në dt.31 Janar të këtij viti nga Këshilli i Ministrave, janë hartuar pa transparencë dhe pa konsultim publik paraprak me përfaqësuesit e organizatave vendase të shoqërisë civile.

Organizatat e shoqërisë civile vërejnë se projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.108/2014 “Për policinë e shtetit”, ashtu sikurse akti normativ përmban dispozita që ngrenë dyshime serioze për cënimin e parimeve të rëndësishme kushtetuese si parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, parimin e pavarësisë së gjyqësorit, si dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

 Konkretisht:

Edhe pse koordimini dhe bashkëpunimi midis institucioneve është i nevojshëm, në vlerësimin tonë, përbën shkelje të pavarësisë së prokurorisë neni 2 i projektligjit (njësoj si neni 8 i aktit normativ). Në këtë dispozitë propozohet që organe të pavarura kushtetuese, sikurse është Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme të jenë pjesë e Komitetit Kombëtar për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar. Ky komitet, i organizuar në mënyrë kolegjiale do të kryesohet nga Ministri i Brendshëm (pjesë e ekzekutivit). Gjithashtu, kjo strukturë ka në përbërje funksionarë të ekzekutivit si psh Ministri i Drejtësisë, Ministri i Financave dhe Ekonomisë që emërohen dhe shkarkohen direkt nga Kryeministri si dhe ka në përbërje gjithashtu Drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Komiteti Koordinues, krijon premisa për ndikim të papërshtatshëm nga ekzekutivi në ushtrimin e pavarur të funksioneve të Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Vlen të përmendim gjithashtu faktin se Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale ndaj veprave penale të kryera nga zyrtarët e nivelit të lartë, përfshi këtu edhe përfaqësuesit e ekzekutivit në këtë Komitet Koordinues (neni 148/dh i Kushtetutës).

Çdo rregullim i ri ligjor është vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese se nuk është i mjaftueshëm dhe jo kushtetues, nëse nuk garanton shmangien e ndikimeve që mund të ushtrojë pushteti ekzekutiv në çështje që lidhen me dhënien e drejtësisë nga gjykata.[1].

Neni 4 i projektligjit ndryshon nenin 131 të ligjit në fuqi për policinë e shtetit, ku parashikohet se gjatë veprimtarisë informative-gjurmuese ose të një procedimi policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave penale, Policia përdor masat e parashikuara në shkronjat “a” – Përgjimi ambiental, “b” – Përdorimi i pajisjeve teknike për fotografim, filmim, video, “c” – përgjimin e bisedave telefonike ose telekomunikimeve” dhe “ç” mbikqyrjen e fshehtë. Në ndryshim nga ligji në fuqi, për të zbatuar këto masa, nuk kërkohet autorizim nga prokurori. Ndërkohë që për masat e parashikuara në gërmat “a”, “b” dhe “ç”,  mund të zbatohen bazuar thjesht në miratimin nga titullarët e strukturave të policisë, në nivel drejtorie qendrore e vendore. Parashikimet e nenit 131 të projektligjit, dhe heqja e autorizimit të prokurorisë për të dhënë këto masa, në vlerësimin tonë bien ndesh me nenet 221-226 të Kodit të Procedurës Penale. Kodi i Procedurës Penale është ligj i miratuar me shumicë të cilësuar, bazuar në nenin 81 pika 2 të Kushtetutës dhe dispozitat e tij kanë epërsi ndaj dispozitave të ligjeve që janë miratuar me shumicë të thjeshtë, sikurse është Ligji “Për Policinë e Shtetit”.

Lidhur me masat e propozuara në nenin 131, dëshirojmë të sjellim në vëmendje vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) që ka penalizuar në një rast të ngjashëm Hungarinë (vendim i dt.12 Janar 2016, në çështjen Szabo dhe Vissy kundër Hungarisë). Në këtë çështje, Gjykata e Strasburgut (GJEDNJ) vlerësoi se aktivitetet e gjera të përgjimit sekret që ishin kryer nga Task Forca Hungareze Anti-Terror kishin shkelur të drejtat e aplikantëve. Task Forca Hungareze u krijua nën ombrellën e strukturave të policisë, bazuar në legjislacionin antiterror të vitit 2011. GJEDNJ konstatoi shkelje të Konventës Evropiane e në mënyrë të veçantë të së drejtës për privatësi, pasi Hungaria nuk kishte garantuar mbikëqyrje apo kontroll gjyqësor mbi veprimet përgjuese të Task Forcës si dhe nuk kishte garantuar masa të tjera mbrojtëse të sakta dhe efektive. Në rastin e Shqipërisë, dispozitat e parashikuara përbëjnë akoma më shumë shkelje flagrante të Konventës Evropiane (KEDNJ), pasi në ndryshim nga Hungaria, vendosja e masave të veçanta nga policia e shtetit por pa autorizim të prokurorisë, nuk është kufizuar vetëm në kuadër të luftës kundër terrorizmit por është për çdo vepër penale.

Lidhur me propozimin e bërë në pikën 4 dhe 5 të nenit 131 të ligjit (sipas projektligjit), vlerësojmë se caktimi i kompetencave të tilla të përbashkëta, mes Ministrit përgjegjës për Rendin dhe Sigurinë Publike, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dobëson kontrollin e gjyqësorit mbi ekzekutivin, dobëson pavarësinë e gjyqësorit, vendos gjyqësorin nën ndikimet e papërshtatshme të ekzekutivit dhe mund të çojë në cenimin e të drejtave të shtetasve, përfshi këtu në mënyrë të veçantë të së drejtës për privatësi, të sanksionuar në nenin 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Organizatat e shoqërisë civile:

  1. Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH)
  2. Instituti për Studime Politike (ISP)
  3. Birn Albania
  4. Instituti Shqiptar i Shkencës
  5. Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI)
  6. Instituti i Kërkimeve Urbane
  7. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)
  8. Fondacioni Shqiptar për të drejtat e personave me Aftësi të Kufizuar
  9. Qendra Altri
  10. Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes
  11. Qendra për Nisma Ligjore Qytetare
  12. Qendra Europiane
  13. Civil Rights Defenders
  14. INAC
  15. Në dobi të gruas shqiptare
  16. Aleanca LGBT
  17. CRCA
  18. Këshilli Shqiptar i Medias
  19. Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER)
  20. Gender Alliance for Development Centre
  21. Partnerët Shqipëri
  22. AWEN- Albanian Women Empowerment Network