Gafurr Duda: 10 vite Universiteti “Marin Barleti”

711
Këtë vit institucioni i lartë arsimor, Universiteti “Marin Barleti” feston 10 vite nga krijimi i tij. 10 vite përkushtim, punë e palodhur në rrugën e dijes. Breza studentësh, të cilët pasi kanë kaluar rrugëtimin e gjatë nëpër auditor nën përkujdesjen e pedagogëve të tyre, të cilët janë munduar të jenë jo vetëm mentorë akademikë, por edhe udhërrëfyes të rrugëtimit të gjatë jetësor, tanimë janë profesionistë shumë të mirë. Qindra juristë, ekonomistë, menaxherë, financierë, psikologë, sociologë dhe politologë janë formuar në auditorët e këtij universiteti. Duke u mbështetur në modele universitare që njohin një traditë dhe sukses shumëshekullor, UMB sjell risinë e përqasjes, ku harmonizohen modelet më të mira perëndimore me kërkesat që parashtrojnë sot të rinjtë dhe shoqëria shqiptare. Ne kërkojmë njerëz që vijnë nga rrugë dhe eksperienca të ndryshme të jetës dhe që kurorëzojnë e ndërthurin individualitetet e tyre në/dhe për pasurimin e komunitetit tonë. Kjo mundësohet nëpërmjet një kombinimi të përsosur të pedagogëve dhe specialistëve më të shquar e me përvojë, të rinjve të shkolluar në universitetet perëndimore e lektorëve të huaj të ftuar, si dhe kurrikulave moderne perëndimore të provuara nga universitete prestigjioze. 
Që nga themelimi
Që nga themelimi, UMB është konceptuar të rrethojë e të plotësojë me dije individualitetin e çdo studenti, duke zbuluar e stimuluar talentin e tij/saj, interesat, por edhe për të zhvilluar kritikën e shëndoshë profesionale e akademike. Vizioni i UMB-së nis nga dëshira e themelimit të një institucioni universitar lider, i cili ofron vlera të vërteta qytetarie dhe profesionalizmi. Nëpërmjet një edukimi ndërdisiplinor, ne përgatisim qytetarë të angazhuar dhe me integritet në një mjedis social aktiv. Studenti është fokusi ynë dhe ne do të jemi bashkë-udhëtarë në hedhjen e bazave të përgatitjes për jetën dhe projektimin e karrierës së ardhshme profesionale dhe sociale. Pas rrugëtimit në UMB, profesionistët që diplomohen tek ne do të dinë të ofrojnë zgjidhje dhe zgjedhje të dobishme e funksionale në karrierat e tyre, në fushat e ndryshme të jetës.
Aktualisht ky institucion
Aktualisht ky institucion ka dy fakultete: Fakulteti i Drejtësisë, Shkencave Sociale dhe Politike si dhe Fakultetin e Shkencave të Aplikuara dhe Ekonomisë. Gjithashtu bëjnë pjesë edhe pesë Institute, të cilët janë një pikë e fortë e Universitetit Marin Barleti, pasi ato nxisin më së miri kërkimin shkencor dhe zhvillimin e komunitetit. Kësisoj instituti i Smart and Creative Developement, prej disa vitesh kontribuon në ndërtimin e një qyteti sa më kreativ, sa më modern, sa më të zgjuar që të bëhet jo vetëm i jetueshëm, por edhe i dashur për qytetarët e tij. Instituti i Edukimit Barleti ofron këshillimin dhe mbështetjen e specializuar për zhvillimin e një kurrikule bashkëkohore në sistemin e edukimit (parauniversitar dhe universitar) në Shqipëri. Instituti ofron alternativa profesionale dhe moderne për çështje që lidhen me hartimin dhe zhvillimin e kurrikulës në arsimin parauniversitar, duke paraqitur dhe formate/templates të zhvillimit të kurrikulës së arsimit të lartë, si dhe duke përhapur përvoja të suksesshme të mësimdhënies dhe të të nxënit për të gjitha fushat kurrikulare, të cikleve të ndryshme të arsimit, në të cilat do të ketë një vend të posaçëm përdorimi i teknologjive të edukimit.
Synimi
UMB ka synuar gjithmonë që të jetë një qendër jo vetëm akademike, por edhe një qendër e cila zhvillon “soft skills” si gjuhët e huaja, kurse përgatitore për financierë, menaxherë, kurse të gjuhës angleze, të çertifikuara dhe kurse të gjuhëve japoneze dhe turke. Kësisoj UMB kthehet në një qendër komunitare, me anë të Qendrës së Trajnimit dhe Testimit Barleti ofron shërbime për komunitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij. Makroideja e themeluesve të këtij universiteti ishte krijimi i një qendre qytetare, ku rrihen mendime nga më të ndryshmet dhe ku risitë dhe inovacioni marrin krahë. Kësisoj me anë të Institutit për Çështjet Publike dhe projekte si “Vota Rinore”, “Stop Dhunës ndaj Grave”, “Edukimi Publik Ligjor, është arritur që vetë studentët të luajnë rolin aktiv në shoqëri, duke trajnuar gjimnazistët apo të rinjtë e gjithë vendit, se si duhet të respektohen të drejtat e njeriut, se pse është e rëndësishme barazia gjinore, si mund të parandalohet dhuna në familje, si mund të trajtohen viktimat apo të ngujuarit prej gjakmarrjes. Nga ana tjetër, ky institut, së bashku me Universitetin Marin Barleti, kanë mundësuar ngritjen e urave të komunikimit midis studentëve dhe personaliteteve të shquara si: ambasadorë, politikanë, shkrimtarë, artistë etj. Me ciklin e takimeve “Histori Suksesi” studentët diskutuan me Z. Ben Blushi, për Shqipërinë dhe të ardhmen e vendit, me Z. Blendi Fevziu, për eksperiencën e tij jo vetëm si gazetar, por edhe si shkrimtar e romancier, me ambasadorin rumun Sh.t.z. Viorel Stanila, për çështjet e minoriteteve në vendin tonë etj. 
Dallohet nga të gjithë universitetet e tjera
Në këto 10 vite, UMB dallohet nga të gjithë universitetet e tjera, pasi në qendër të aktivitetit ka studentin, barletasin. Barletasit janë shpirti dhe energjia e universitetit. Aktivitetet e tyre dhe udhëheqja e kujdesshme që ju bëhet që në vitin e parë e deri në mbarim të studimeve, me anë të zyrave studentore, ndihmon studentët që të kuptojnë rëndësinë e tyre në shoqëri, por njëkohësisht, të bëhen të përgjegjshëm për të ardhmen. Klubet studentore janë modeli më i mire i organizimit të jetës në kampus. Me anë të zyrës për aktivitet studentore herë pas here organizohen ekskursione dhe aktivitete kulturore nga studentet e Klubit Bota Studentore, ndihma vullnetare për familjet në nevojë, dhe për dy vite, Klubi i Vullnetareve i Universitetit Marin Barleti konsiderohet si Klubi më i mirë i vullnetarëve. Studentet e Klubit Ligji dhe Demokracia kanë një ekspertizë të gjatë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Prej 3 vitesh tanimë, nën udhëheqjen e pedagogëve të Departamentit të Drejtësisë, studentet e UMB marrin pjesë në konkursin e Gjyqit Simulues sipas modelit të Gjykatës së Strasburgut. Kjo skuadër barletase e ka si traditë deri më tani kualifikimin deri në finale. Sivjet finalja do të jetë në datën 19 dhjetor 2015 dhe urojmë dhe besojmë fort se do të dalim fitimtarë. Edhe njëherë ky fakt demonstron multidimensionalitetin e universitetit tonë, i cili përveç emrit të mirë në këto 10 vite kërkon të formojë liderët e së ardhmes evropiane të vendit. Jo rastësisht është zgjedhur emri Marin Barleti, i cili si historiani më i rëndësishëm i Skënderbeut, ka lënë gjurmë të pazëvendësueshme në historinë e shqiptarëve. Kështu besojmë të jetë dhe Universiteti Marin Barleti, një institucion historik dhe plot vlera për jetën akademike dhe shkencore të vendit. 

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 15.12.2015
Sigal